E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

“Mbrojtja e fëmijëve në mediat audiovizive” AMA konferencë ndërkombëtare në Tiranë!

Në Tiranë, më 13 tetor 2021, u mbajt Konferenca Ndërkombëtare me temë “Mbrojtja e fëmijëve në mediat audiovizive”, organizuar nga Autoritet i Mediave Audiovizive.
Konferenca i zhvilloi punimet në tre panele në të cilat referuan ekspertë nga Britania e Madhe, Belgjika, Gjermania si dhe profesorë e ekspertë të fushës nga vendi dhe rajoni..

Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi në fjalën e saj, ndërsa falenderoi pjesëmarrësit dhe OSHMA-të garantoi se AMA do të vijojë monitorimin e rregullt dhe të rreptë për zbatimin e dispozitave që rrjedhin nga “Kodi i Transmetimit” dhe forcimin e penaliteteve për OSHMA-të që shkelin dispozitat e këtij kodi për mbrojtjen e fëmijëve.

“Kontributi për mbrojtjen e fëmijëve është kontributi më thelbësor që mund të jepet për një shoqëri dhe të ardhmen e saj. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se ndikimi i mediave audiovizive tek fëmijët mund të çojë në sjellje agresive, mund të trembë fëmijët, mund të ofrojë heronj të dhunshëm për të imituar dhe mbi të gjitha shpesh krijon bindjen se tregon se dhuna është normë shoqërore. Në një kohë kur zhvillimi teknologjik po na përball me sfida shumëdimensionale, detyra e medias është mbi të gjitha mbrojtja e interesave më të larta shoqërore përmes edukimit dhe mbrojtjes së fëmijëve”, nënvizoi Krasniqi.

Kryetarja e AMA-s bëri të ditur se në bazë të strategjisë së AMA-s për vitin 2021-2023 do të rishikohet Kodi i Transmetimit.

Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro në fjalën e saj, u shpreh se: “E drejta për të shprehur lirshëm opinionet, sidomos ato të fëmijëve thekson edhe njëherë rëndësinë se sa e rëndësishme është të mbrojmë të drejtat e njeriut.
Duke përgëzuar AMA-n për organizimin e konferencës Ribeiro më tej shtoi se: “Sapo kam përfunduar Konferencën Mediatike për Evropën Juglindore, e cila u mirëprit këtë vit në Tiranë. Kjo konferencë për gazetarinë në këtë kohë krizash shërben për të shpjeguar se sa e rëndësishme është gazetaria për publikun dhe si një shtyllë kryesore e shoqërisë tonë demokratike, në këtë konferencë u dhanë mundësi shumë të rëndësishme për të folur për lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes në rajon”.

Konferenca Ndërkombëtare ‘Mbrojtja e fëmijëve në mediat audiovizive, ishte konceptuar dhe organizuar në tre panele diskutimi.
Paneli i parë diskutoi mbi “Procesin rregullues dhe mbrojtjen e fëmijëve”. Drejtori i Përgjithshëm i PA Media Group në Mbretërinë e Bashkuar, Clive Marshall, Drejtori Ekzekutiv i KSF në Gjermani, Stefan Linz dhe “Themeluesi dhe drejtori i Wagner-Hatfield (Belgium) Jean-François Furnémont, ndanë eksperiencat e vendeve të tyre në këtë drejtim. Diskutimi u pasurua nga znj.Elma Tershana e cila prezantoi studimet e gjetjet e “Observatorit për mbrojtjen e fëmijëve”.
Paneli i dytë i’u kushtua nevojës së madhe që ka marrë në ditët e sotme “Edukimi mediatik”. Panelistët Remzi Lani, nga Instituti Shqiptar i Medias, pedagogët Iris Luarasi dhe Elvin Luku, eksperti Emiljano Kaziaj, ekspert i Këshillit Suprem RTUK Yusuf Demirtas, e vendosën theksin tek rëndësia e edukimit mediatik për fëmijët, si në një sfidë për shoqëritë demokratike.
Paneli i tretë diskutoi mbi “Reklamat dhe promocionin për fëmijë”. Përfaqësuesi i UNICEF Roberto De Bernardi, pedagogu Alban Tartari, ekspertja nga Mali i Zi, Jadranka Vojvodic, përfaqësuesja nga “Agjencia për Mbrojtjen e Fëmijëve” Anila Bregu,  diskutuan mbi ndikimin e reklamave dhe promocionit për dhe tek fëmijët. Sipas tyre, duhet një ndërveprim i shtuar mes të gjithë aktorëve që operojnë dhe kanë rol në këtë fushë.

Kjo konference është një vlerë e shtuar dhe një moment i mirë reflektimi për të gjithë aktorët e përfshirë, mediat, shoqërinë dhe komunitetin, mbi rolin e tyre në edukimin e të miturve.

Perpara AMA delegation, official meeting with the Independent Media Commission of Kosovo

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara