E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Fjala e Kryetarit të AMA-s gjatë prezantimit të Raportit Vjetor 2018 në Kuvendin e Shqipërisë

Prezantimi i Raportit Vjetor 2018

Në respektim të parimeve themelore për garantimin e lirisë së shprehjes dhe të drejtës për informim si detyrime që burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Autoriteti i Mediave Audiovizive, (AMA), gjatë vitit 2018 punoi maksimalisht për realizimin e detyrave dhe funksioneve institucionale, si një rregullator efiçent dhe i pavarur, për të garantuar konkurrencën e lirë dhe të ndershme të operatorëve në tregun audioviziv.

Programacioni

Bordi i AMA-s që në mbledhjen e parë të vitit 2019, më 11 janar, ka pasur në qendër të vëmendjes përmbajtjet e transmetuara nga OSHMA-të, ku ka vendosur dhe tre prioritete të monitorimit dhe vlerësimit të tyre:

–        mbrojtja e fëmijëve në transmetimet audiovizive;

–        reklamat dhe komunikimet tregtare, në edicionet informative;

–        programet audiovizive me karakter informimin mbi shëndetin/ medikamentet.

Ky qendrim i Bordit është reflektim i rregullimit të dukurive më problematike të hasura gjatë vitit 2018, viti i parë në aktivitetin 20 vjeçar të AMA-s, ku programacioni audioviziv ka marrë fokusin dhe energjinë kryesore të Autoritetit të Mediave Audiovizive.

Emisionet mbi shëndetin vlerësohen si të dobishme për informimin dhe edukimin e publikut, por abuzimet në këto hapësira transmetimi me reklama dhe promocion të aktivitetit të institucioneve private, të shërbimeve të ndryshme do të konsiderohen si shkelje.

Po kështu në fokus të monitorimit janë dhe ato kronika që përfshihen në edicionet informative, por që në fakt janë reklamë e fshehur dhe që ndikojnë në sugjestionimin e publikut për mallra apo shërbime të ndryshme.

Ndërkohë mbrojtja e fëmijeve nga përmbajtjet e dëmshme audiovizive ka qenë dhe mbetet një prioritet për Autoritetin, dhe për këtë vëmendja është jo vetëm tek monitorimi i përmbajtjeve, por dhe organizimi i tryezave me gazetarët e përfaqësues të shoqërisë civile dhe institucioneve publike.

Për vitin 2018, AMA ka tërhequr vëmendjen për 134 raste, kryesisht për Televizionet Kombëtare të cilat kanë dhe ndikimin më të madh në treg,  për probleme programore.

Përgjatë vitit 2018, Këshilli i Ankesave ka shqyrtuar rreth 50 ankesa, me objekt shkeljen e parimeve të Kodit të Transmetimit gjatë kronikave për fëmijët dhe rreth fëmijëve, shkeljen e të drejtave të njeriut dhe cënimin e dinjitetit, transmetimin e reklamave të ndaluara me ligj, të reklamave të fshehta etj.

Këshilli i Ankesave është konsoliduar jo vetëm për së brendshmi por gjithashtu ka luajtur një rol të madh ndërgjegjësues në organizimin e disa konferencave dhe tryezave për tema të rëndësishme, si mbrojtja e fëmijëve, edukimi për median dhe gjuha e urrejtjes.

Kontrata RTSH-AMA

AMA gjatë vitit 2018, ka vijuar me vlerësimin e përmbajtjeve që emëtohen nga Transmetuesi Publik, duke realizuar dy të tilla, çdo gjashtë muaj. Synimi parësor është monitorimi i procesit të ndërtimit të buketës programore, si dhe mbulimi me sinjal i RTSH-së, duke u bazuar në plotësimin e kushteve që janë parashikuar në Kontratën e Shërbimit të Transmetuesit Publik.

Konkretisht, AMA shikon zbatueshmërinë e Kontratës në sasi (numrin e kanaleve të hapura), si dhe cilësi (nisur nga zotimet për përmbajtjet e emetuara nga ana e Tranmetuesit Publik). Materiali vlerësues i AMA-s i është paraqitur dhe drejtuesve të Transmetuesit Publik, si dhe Këshillit Drejtues.

Ndërtimi i buketës programore nga Transmetuesi Publik ka pasur rezultate pozitive dhe ka shtuar fluksin e programacionit, në përmbushje të interesit të shtresimeve të ndryshme të audiencës.

Por nga dy vlerësimet e vitit 2018 evidentohen dhe pika të Kontratës së Shërbimit që duhen parë me përparësi nga Transmetuesi Publik.

Kështu:

-Duhet të ketë dy kanale për fëmijë (deri më tani është në transmetim vetëm një kanal). Por dhe përmbajtjet që emëtohen në atë kanal, jo gjithmonë garantojnë cilësinë dhe larminë e grupmoshës që i adresohen (pjesa më e madhe janë përmbajtje arkivore, jo atraktive dhe mungon interaktiviteti).

-Duhet të emëtojë të paktën një edicion lajmesh në gjuhën e shënjave në dy kanale gjeneraliste. Deri më tani Transmetuesi Publik emëton vetëm në njërin prej kanaleve.

Ndërkohë, RTSH e ka përfunduar ngritjen e infrastrukturës numerike në të gjithë territorin. Sot, RTSH mbulon rreth 90% të popullsisë me sinjal numerik. Përveç kalimit në transmetime numerike, RTSH ka detyrimin ligjor të mbulojë me sinjal analog zonat ku ende nuk ka përfunduar procesi i digjitalizimit. RTSH në krahasim me vitin 2017 ka një mbulim shumë më të mirë dhe cilësor me sinjal numerik. Bashkëpunimi në këtë pikë me AMA-n është shumë i mirë dhe kontaktet janë të vazhdueshme si në nivel drejtues ashtu dhe teknik.

Partneriteti

AMA, gjatë vitit 2018, ka konsoliduar më shumë partneritetin dhe sinergjinë me institucione dhe organizma që gjithashtu angazhohen në problematikat e tregut mediatik. Përmes këtyre partneriteteve janë realizuar projekte që ndikojnë në përmirësimin e raportimit të redaksive në aspekte të tilla si, mbrojtja e fëmijëve, barazia gjinore, lajmet e rreme, edukimi mediatik apo përshtatja e gazetarëve me aplikacionet e reja.

Buletini Periodik i AMA-s

Gjatë vitit të kaluar, AMA ka vijuar publikimin e Buletinit Periodik, një set treguesish mbi performancën e tregut audioviziv në Republikën e Shqipërisë që del në versionin print dhe online prej vitit 2016.

Në edicionin e fundit të Buletinit, AMA pasuroi të dhënat dhe me informacionin mbi pronësinë në median audiovizive, duke e reflektuar këtë për secilin prej OSHMA-ve të licencuar. Kjo do të vijojë dhe në edicionet e tjera të Buletinit, duke përmbushur standardin e transparencës për publikun të elementit pronësor, si dhe të tjerave nga dinamika e tregut audioviziv në vendin tonë.

Digjitalizimi

Gjatë vitit 2018, AMA është angazhuar maksimalisht në procesin e digjitalizimit të transmetimeve audiovizive. Duhet theksuar se objektivi për mbylljen e trasmetimeve numerike në muajin shtator në zonën më të madhe me popullsi, atë Tiranë – Durrës, nuk u përmbush.

Pavarësisht ndihmës së qeverisë akorduar AMA-s për fushatën e informimit publik, pavarësisht ndihmës së qeverisë me dekodera falas për 88 mijë familje në nevojë, pavarësisht masave të marra nga qeveria apo AMA me akte nënligjore për shmangien e situatave monopol në shitjen e dekoderave, operatorët në treg nuk ishin të gatshëm t’i shërbenin publikut në kohë dhe me cilësi për pajisjen me dekodera.

Kjo rezultoi në radhë të gjata, krijimin e situatave kaotike pranë pikave të shërbimit të operatorëve. AMA përballë një situate të tillë, në interesin më të lartë të publikut, u detyrua të shtynte procesin e digjitalizimit.

Ndërkohë sqarojmë se, për familjet tashmë të pajisura me dekodera, vijojnë transmetimet digjitale tokësore që sigurojnë cilësi të lartë dhe një numër më të madh programesh televizive pa pagesë. Në zonat ku është prezent ky sinjal, është dy-trefishuar numri i programeve që transmetohen pa pagesë. Ky numër kanalesh është më i larti që ofrohet në rajon, por mbi të gjitha në përqindjen më të madhe të popullsisë.

Vlerësohet që rreth 35% e popullsisë shqiptare shikojnë në teknologjinë analoge dhe numerike pa pagesë në mbi 35 kanale. Ndërkohë, në Kosovë, Maqedoni, Greqi më pak se 10 % e popullsisë shikon kanale pa pagesë dhe në numër shumë më të reduktuar kanalesh.

Por, arritja më e madhe në lidhje me sinjalet dhe frekuencat në zonat urbane të Shqipërisë është se për herë parë, në shtator të vitit të kaluar AMA arriti mbylljen e të gjithë transmetimeve të paligjshme analoge dhe numerike. Një fenomen anormal dhe i patolerueshëm prezent prej 20 vitesh dhe agravohej nga njëri mandat i bordeve në tjetrin.

Është për t’u theksuar së gjatë këtyre 20 viteve të funksionimit të AMA-s,  problematikat e tregut audio/audiovizivë ndër vite kanë qenë në rritje dhe tregues për këtë ishte numri i operatorëve debitorë pranë AMA-s, transmetimi i tyre pa licensa, apo jashtë zonave për të cilat ishin licensuar.

Përgjatë punës së këtyre 4 viteve, sot nuk kemi asnjë operator debitor ndaj AMAs, sot nuk kemi asnjë operator kombëtar apo rajonal të jashtëligjshëm në zonat e mëdha urbane, si në analog ashtu edhe në digjital, qoftë për transmetimet audio ashtu dhe ato televizive.

AMA, ndër vite është përceptuar veçse si një institucion që jep e heq licensa, jep e heq frekuenca, ndërkohë që ligji për mediat audiovizive në mbi 70 % të tij, flet për çështje programore, respektimin e etikës, mbrojtjen e të miturve etj.

Sot me zgjidhjen përfundimtare të problematikave financiare, frekuencore apo edhe proceseve gjyqësore, AMA do ta drejtojë fokusin e saj 100% në cështjet e programacionit.

Konsolidimi institucional

AMA gjatë vitit të kaluar u tregua proaktive në ndërtimin dhe forcimin e urave të komunikimit me institucione dhe agjenci të tjera publike për lidhjen e marrëveshjeve të bashkëpunimit, kjo falë edhe mekanizmit të monitorimit të institucioneve të pavarura pranë Kuvendit.

Vihet re një tendencë jo fort pozitive, pasi tentohet të bëhen marrëveshje të përgjithshme dhe pa një objekt apo fushë të qartë veprimi. AMA ka kërkuar që marrëveshjet të jenë specifike dhe të qarta për objektin e veprimtarisë së tyre dhe mënyrën e bashkëpunimit mes institucioneve.

AMA çmon të domosdoshme ndërhyrjet ligjore përsa i takon piraterisë në internet. Pirateria online sot është prezent në masë, duke sjellë dëme të konsiderueshme për kompanitë dhe për buxhetin e shtetit.

Ndërkohë që diskutohet për ndërhyrje ligjore në fusha me potencial zhvillimi, në fushën e mediave dhe platformave audiovizive kemi një situatë të konsoliduar tashmë e mbi 10 vjet, por zhvillimet e viteve të fundit të teknologjisë na detyrojnë të jemi më të shpejtë në mbështetjen e kësaj industrie me akte ligjore e nënligjore.

Sot, kryefjalë e çdo tryezë diskutimi dhe takimi të rregullatorëve europiane por edhe rajonalë është zhvendosja e influencës nga media tradicionale në mediat sociale dhe platformat online.

Informacioni, burimet njerëzore dhe financiarë tashmë po drejtohen për nga media dhe platformat online, e cila është një trend në rritje, për shkak edhe të lehtësisë së aksesit të çdo individi dhe përdorimit të portaleve online nga një numër i pakufizuar personash.

Të gjithë ndajmë bindjen se hapsira online eshte një horizont i pakufi mundësish dhe të drejtash por patjetër që duhet të jetë kufi përgjegjshmërie me qëllim garantimin e së drejtës së informimit, lirisë së shprehjes, mbrojtjen e dinjitetit dhe të drejtave të tjera themelore të njeriut, respektimin dhe garantimin e së drejtës së ruajtjes së jetës private, moslejimin e transmetimeve që nxisin intolerancën ndërmjet shtetasve, moslejimi i transmetimeve që nxisin ose justifikojnë dhunën.

Si rrjedhojë, fokusi i Autoritetit do të vijojë të mbetet përafrimi i akteve rregullatore me direktivat e Bashkimit Evropian dhe me trendin e zhvillimeve teknologjike në fushën e transmetimeve audiovizive.

Gjatë vitit 2018, AMA ka mbajtur marrëdhënie shumë të mira dypalëshe me autoritetet rregullatore në rajon dhe më gjerë.

Vëmendjen më të madhe në këtë drejtim padyshim e zë bashkëpunimi me Kosovën. Së pari, në Kosovë në 95% të popullsisë flitet shqip dhe mediat shqiptare janë jo vetëm prezente por edhe aktor primar në informimin e shqiptarëve të Kosovës dhe së dyti është një treg i madh, në zhvillim e sipër, i cili nuk duhet të mbetet jashtë vëmendjes tonë. Përveç marrëveshjes së nënshkruar me KPM-në e Kosovës, kemi zhvilluar disa takime duke forcuar bashkëpunimin në fushën e digjitalizimit dhe kemi rritur shkëmbimin e informacionit.

AMA gjithashtu ka forcuar bashkëpunimin edhe me dy shtetet e tjera fqinjë, Maqedoninë dhe Greqinë, përmes takimeve dhe shkëmbimit të informacionit me autoritetet rregullatore audiovizive në këto vende.

Në mbyllje të fjalës time më lejoni të falenderoj Komisionin për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik dhe në veçanti drejtuesen e këtij Komisioni znj. Milva Ekonomi, jo thjesht për derën e hapur dhe mbështetjen e dhënë Autoritetit të Mediave Audiovizive por mbi të gjitha për tempin e ri dhe cilësor që i ka dhënë këtij bashkëpunimi. Bashkëpunimi me Komisionin është themelor në ngritjen cilësore dhe konsolidimin e AMAs dhe për këtë ne ju falenderojmë në mënyrë të veçantë.

Gjithashtu më lejoni të shtoj se këtë vit, AMA feston 20-vjetorin e themelimit të saj.

Sigurisht që 20 vite nuk janë shumë për një institucion i cili ka prioritet garantimin e lirisë së shprehjes dhe informimit, konkurrencës në tregun mediatik dhe rregullimin e këtij sektori. Megjithatë mund të themi se sot kemi një institucion funksional, efikas dhe të gatshëm të trajtojë sfidat e shumta që ky sekror paraqet.

Faleminderit për vëmendjen Tuaj!

Datë 18 prill 2019

Perpara Njoftim për shtyp

Leave Your Comment

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara