Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) dhe Ministria e Kulturës nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) dhe Ministria e Kulturës nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi, për realizimin e projekteve të përbashkëta audiovizuale mbi promovimin e trashëgimisë kulturore

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) dhe Ministria e Kulturës nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, për realizimin e projekteve të përbashkëta audiovizuale mbi promovimin e trashëgimisë sonë kulturore.

AMA miratoi fondin me vlerë 7.2 milionë lekë për Ministrinë e Kulturës për prodhime audiovizuale, që kanë në fokus edukimin mediatik, lidhur me artin dhe kulturën në media.

Projektet që mbështet AMA janë: Muzeu i ri i Filmit, një ndër projektet e Ministrisë së Kulturës; realizimi i videotureve për “Itinerarin Fishtian”, që rrëfen gjithë rrugëtimin jetësor dhe krijues të At Gjergj Fishtës apo Via Egnatian, një nga rrugët mijëravjeçare, që lidhte Lindjen me Perëndimin.

Konteksti i ri, i krijuar prej pandemisë Covid-19, i vendosi institucionet kulturore përpara një realiteti të ri, që kërkon një qasje të re tek publiku, sidomos ai i grup moshave të reja. Në këtë këndvështrim po shihen të gjitha format e bashkëpunimit, që i ofrojnë publikut një produkt i cili i afron ata me trashëgiminë kulturore dhe artin.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy institucioneve, e cila u zhvillua në ambientet e Ministrisë së Kulturës, ministrja Znj. Elva Margariti u shpreh se “gjetja e partnerëve të duhur, është një hallkë kyç në çuarjen përpara të disa projekteve, që synojnë promovimin e kulturës sonë, dhe AMA është pikërisht një nga ata partnerë që i përgjigjet më së miri vizionit të Ministrisë së Kulturës, për realizimin e një “revolucioni” digjital, duke iu përshtatur kërkesave të kohës dhe duke shfrytëzuar edhe aftësitë e të rinjve në lëmin e teknologjisë”.

Kryetari i AMA-s, Z. Gentian Sala u shpreh se “projektet me në fokus të rinjtë dhe promovimin e trashëgimisë kulturore kanë qenë gjithnjë në vëmendjen e këtij institucioni. Pas një bashkëpunim tepër të frytshëm me Fakultetin e Histori-Filologjisë, Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit, AMA gjen hapësira bashkëpunimi edhe me Ministrinë e Kulturës”.

Bazuar në këtë marrëveshje, palët angazhohen për krijimin e hapësirave mbështetëse, për ruajtjen e krijimtarisë artistike, si dhe për të promovuar artin e kulturën në fushën audivovizive. AMA si anëtar me të drejta të plota në Observatorin Europian Audiovizual, organizëm që mbulon aktivitetet e kinemasë i cili monitoron tregun kinematografik brenda Bashkimit Evropian dhe vendeve që synojnë anëtarësimin  në BE, me dëshirën e mirë për të konsoliduar bashkëpunimin ndër-institucional në drejtime konkrete, firmosi këtë marrëveshje.

AUTORITETI I MEDIAVE AUDIOVIZIVE

Tiranë, më 08.10.2020

Perpara Paneli virtual i diskutimit “Reklamat për fëmijë dhe me fëmijët” organizuar nga AMA