Vetëm tre javë nga fillimi i bashkëpunimit të AMA-s me platformën TikTok dhe nga hapja e një linku të dedikuar për qytetarët, në faqen zyrtare online të Autoritetit, janë raportuar me qindra video dhe profile.
Për raportimin e përmbajtjeve me dhunë, gjuhë urrejtje, abuzim me fëmijët dhe të komuniteteve apo shkelje të të drejtave themelore, në faqen zyrtare të AMA-s u hap një link i dedikuar ku vetë qytetarët mund të dërgojnë videot që ata i gjykojnë të dëmshme. Këto raportime shqyrtohen nga grupi i punës i ngritur për këtë qëllim, dhe çdo përmbajtje që gjykohet në shkelje të dispozitave ligjore, raportohet në kanalin e dedikuar për AMA-n, në platformën e TikTok, bashkë me kërkesën dhe argumentimin ligjor për heqjen nga platforma.
Brenda 3 javëve të para të fillimit të këtij bashkëpunimi kanë mbërritur në AMA, 277 ankesa, të cilat pasi janë shqyrtuar nga ekipet ligjore dhe të Këshillit të Ankesave në AMA, janë raportuar në platformën TikTok, për shkelje të ligjit, 87 prej tyre. Nga këto 85 janë hequr nga platforma TikTok dhe 2 janë në proces.
Pirateria vazhdon të jetë një shqetësim, si një fenomen shumë i përhapur online. Për të njëjtën periudhë, pra vetëm për 3 javë, janë raportuar për pirateri të produktit audioviziv 697 video, ndër të cilat 639 janë fshirë nga platforma ndërsa 78 profile janë mbyllur menjëherë për të njëjtën arsye, pasi janë raportuar për përmbajtje pirate.
“Inkurajoj qytetarët të raportojnë çdo përmbajtje që ata e gjykojnë të dëmshme, me premtimin se çdo raportim do të shqyrtohet me përgjegjësi të plotë dhe në zbatim të dispozitave ligjore, ka shkruar në rrjetet e saj sociale, Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi.