Studimet e fundit tregojnë se një numër gjithnjë e më i madh adoleshentësh kanë vështirësi të kontrollojnë kohën që kalojnë online. Përdorimi i tepërt i internetit dhe i pajisjeve teknologjike po kthehet në një sfidë serioze për shëndetin dhe mirëqenien e të rinjve.
Sipas të dhënave të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), në Europë përqindja e të rinjve që shfaqin vështirësi në kontrollin e përdorimit të internetit është rritur nga 7% në 11%. Kjo rritje konsiderohet një sinjal alarmi për familjet, shkollat dhe institucionet përgjegjëse.
Ekspertët theksojnë se përdorimi i shëndetshëm i teknologjisë mund të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e aftësive digjitale, në informim dhe në komunikim. Megjithatë, përdorimi i tepruar mund të çojë në problematika shëndetësore dhe sociale, të cilat shpesh janë të vështira për t’u korrigjuar nëse nuk adresohen në kohë.
Thirrja shkon për prindërit dhe mësuesit që të monitorojnë dhe udhëzojnë adoleshentët drejt një raporti të balancuar me teknologjinë. Po ashtu, vetë të rinjtë duhet të jenë të ndërgjegjshëm se varësia nga interneti është një problem real që kërkon kujdes dhe vetëkontroll.
Edukimi mediatik dhe digjital mbetet një nga mjetet kryesore për të parandaluar abuzimin me teknologjinë dhe për të ndërtuar një kulturë përdorimi të përgjegjshëm të internetit.