Siguria kibernetike, Krasniqi: Kërcënimet hibride dhe dezinformimi kërkojnë një përgjigje të koordinuar institucionale

Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Znj. Armela Krasniqi, mori pjesë në panelin “Kërcënimet hibride në Shqipëri: Nga ndërhyrja e huaj dhe dezinformimi drejt një përgjigjeje të koordinuar institucionale”, organizuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), në bashkëpunim me Hybrid CoE.

Gjatë fjalës së saj, Znj. Krasniqi theksoi se kërcënimet hibride, dezinformimi dhe ndërhyrjet e huaja kërkojnë gjithnjë e më shumë një përgjigje të koordinuar institucionale, si dhe një ekosistem mediatik profesional, pluralist dhe të qëndrueshëm.

“Dezinformimi nuk është më vetëm një çështje e medias, aq më pak i përket vetëm medias audiovizive. Ai prek besimin e publikut, proceset demokratike dhe qëndrueshmërinë e institucioneve. Për këtë arsye, përgjigjja nuk mund të jetë e fragmentuar”, u shpreh Kryetarja e AMA-s.

Znj. Krasniqi nënvizoi se, për Shqipërinë, kjo sfidë lidhet drejtpërdrejt edhe me procesin e integrimit europian dhe përafrimin e kuadrit ligjor e rregullator me acquis të Bashkimit Europian.

Në këtë kuadër, ajo evidentoi rolin e Direktivës për Shërbimet Mediatike Audiovizive (AVMSD), Aktit Europian për Lirinë e Medias (EMFA) dhe Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA) në krijimin e një arkitekture të re europiane për median dhe hapësirën digjitale. Kjo arkitekturë ndërthur lirinë dhe pluralizmin e medias, pavarësinë editoriale, mbrojtjen e të miturve, përgjegjësinë e platformave dhe adresimin e rreziqeve sistemike në internet.

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2026 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara

Mirembahet nga INSTANT.AL