Autoriteti i Mediave Audiovizive vendos datën 30 shtator 2020 si afatin përfundimtar për digjitalizimin e transmetimeve analoge në qarqet Elbasan, Shkodër, Lezhë dhe Vlorë.
Situata e krijuar nga Pandemia e Covid-19, kur numri i të prekurve sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë rezulton të jetë në shifra të konsiderueshme, ka krijuar vështirësi në finalizimin e këtij procesi ndaj dhe marrja e masave për parandalimin e përhapjes së virusit vijon të mbetet prioritet.
Anëtarët e Bordit të AMA-s në mbledhjen e tyre të ditës së sotme gjithashtu morën në shqyrtim edhe informacionet e mbledhura në terren nga të katër qarqet e mësipërme. Nga të dhënat e mbledhura në terren rezulton se disa aspekte kërkojnë ende kohë për finalizimin e procesit të digjitalizimit, përmes të cilit të përfitojnë të gjithë ndjekësit e përmbajtjeve audiovizive.
Nga monitorimet e kryera rezulton se nuk ka përfunduar plotësisht infrastruktura e transmetimit. Janë instaluar pikat e transmetimit në bashkitë kryesore të këtyre qarqeve, por ndërkohë mbeten pa sinjal disa bashki të tjera.
Një problematikë që u përmend ishte dhe se në të katër këto qarqe, operatorët lokalë nuk kanë mbështetur programin e tyre në rrjetin e RTSH-së apo në ndonjë rrjet tjetër privat kombëtar numerik.
Sa i takon procesit të pajisjes së qytetarëve me dekodera, ditët e fundit në adresë të AMA-s u paraqitën mjaft ankesa nga qytetarët lidhur me grumbullime të konsiderueshme blerësish pranë zyrave postare ose pikave të ndryshme të shitjeve. Ndaj dhe një pjesë e tyre kanë kërkuar shtyrjen e fikjes së sinjalit analog.
AMA, në këtë vendimmarrje mban në konsideratë edhe kohën e cila përkon me sezonin turistik i cili është dëmtuar jo pak nga Pandemia.
Në përfundim, AMA duke konsideruar situatën e krijuar nga Covid-19, faktin që subjektet nuk kanë shtruar plotësisht infrastrukturën teknike, mosdëmtimin e sektorit të turizmit dhe me qëllim parandalimin e grumbullimeve të qytetarëve që stimulon përhapjen e virusit, ra dakord të shtyjë afatin e mbylljes së transmetimeve analoge në qarqet Elbasan, Shkodër, Lezhë dhe Vlorë, deri në datën 30 shtator 2020.
Kjo periudhë 3 mujore do të monitorohet në vijimësi nga AMA, për ta përmbyllur deri më 30 shtator 2020 kalimin e transmetimeve nga analogu në digjital në qarqet Elbasan, Shkodër, Lezhë dhe Vlorë.
Autoriteti i Mediave Audiovizive 29 qershor 2020