Në një seri prej shtatë infografikash prezantohen gjetjet kryesore të një sondazhi të realizuar nga Bashkimi Europian, mbi ndikimin e përdorimit të ekraneve dhe rrjeteve sociale në shëndetin dhe mirëqenien e adoleshentëve.
Sipas të dhënave, adoleshentët kalojnë mesatarisht rreth 4,5 orë në ditë para ekranit gjatë ditëve të javës dhe mbi 6 orë në ditë gjatë fundjavës. Gjithashtu, 9 në 10 adoleshentë raportojnë të paktën një shqetësim të lidhur me përdorimin e ekraneve.
Gjetjet evidentojnë lidhjen ndërmjet kohës së kaluar në internet dhe problemeve me gjumin, përqendrimin dhe mirëqenien emocionale. Ato trajtojnë edhe ndikimin e krahasimit me të tjerët në rrjetet sociale, ekspozimin ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme, si dhe rolin e prindërve në krijimin e një mjedisi digjital më të sigurt.
Për një përdorim më të shëndetshëm të teknologjisë rekomandohet:
- Vendosja e kufijve të qartë për kohën para ekranit dhe kryerja e pushimeve të rregullta;
- Shmangia e përdorimit të telefonit përpara gjumit;
- Komunikimi i hapur me fëmijët për përvojat dhe përmbajtjet që hasin në internet.
Informimi, komunikimi i hapur në familje dhe edukimi mediatik janë hapa të rëndësishëm për t’i ndihmuar të rinjtë të krijojnë zakone më të shëndetshme dhe ta përdorin teknologjinë në mënyrë më të ekuilibruar, të sigurt dhe të përgjegjshme.






