Kryetarja e AMA-s, Znj. Armela Krasniqi, ka zhvilluar një takim pune me Latifa Akharbach, kryetare e Autoritetit të Lartë për Komunikimin Audioviziv (HACA) të Mbretërisë së Marokut.
Si një zë i fortë dhe aktiv në të gjitha forumet që Rrjeti Frankofon i Rregullatorëve të Medias (REFRAM) organizon, Akharbach qëndron në UNESCO, Forumin Global të Rregullatorëve, si një promotore e nismave të përbashkëta për promovimin e lirisë së shprehjes dhe rregullimit të tregut audioviziv, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Në kuadër të këtyre nismave, gjatë kësaj tryeze, janë diskutuar çështje me interes të përbashkët, duke nisur nga rregullimi i shërbimeve mediatike në epokën digjitale, garantimi i pluralizmit mediatik, mbrojtja e të drejtave të përdoruesve të mediave dhe promovimi i standardeve profesionale në përmbajtjet audiovizive, sidomos në Platformat e Shpërndarjes së Videove.
Kryetarja Krasniqi ka prezantuar gjithashtu edhe shtyllat kryesore të punës së Autoritetit, zhvillimet në kuadrin ligjor dhe përshtatjen me aktet më të fundit evropiane.
Takimet dhe diskutimet në forume të ndryshme, por edhe vendosja e kësaj ure dypalëshe mes dy rregullatorëve kanë hapur një dialog të strukturuar e të qëndrueshëm mes AMA-s dhe HACA-s duket zgjeruar hartën e bashkëpunimeve që Autoriteti ka vendosur.
Autoriteti i Mediave Audiovizive të Shqipërisë dhe ai i Marokut janë pjesë e Rrjetit Frankofon të Rregullatorëve të Medias (REFRAM) dhe Rrjetit të Institucioneve Rregullatorë Mesdhetare (RIRM)