Për të studiuar kornizën e duhur strukturore të ndërtimit të një infrastrukture digjitale të transmetimeve audio në Shqipëri, përfaqësues të AMA-s kanë marrë pjesë në WorldDAB 2024, që po zhvillohet në Pragë të Çekisë.
Ky event botëror, që ka bërë bashkë prodhuesit e automjeteve, regullatorët dhe transmetuesit audio për të eksploruar të ardhmen e radios numerike DAB+ në mjetet automobilistike, është kthyer në një medium mendimi ku palët kanë shtruar për diskutim jo vetëm formulat më të mira të zbatimit, por edhe përfitimet ekonomike që vijnë pas implementimit të DAB+, cilësi më të mirë transmetimi dhe mbulim më të gjerë me sinjal.
Autoriteti i Mediave Audiovizive prej kohësh planifikon sigurimin e infrastrukturës digjitale në transmetimet audio, e cila do të mundësojë risitë në radio, standardet teknike të transmetimit dhe të zgjerojë gamën e programeve, si dhe trafikun e shërbimeve të informacionit.
Radio vazhdon të dominojë si burimi më i dëgjuar i argëtimit në makinë në të gjithë globin. Megjithatë, transformimi i shpejtë i panelit dixhital dikton urgjencën që transmetuesit e radios të hartojnë strategji për të ruajtur dukshmërinë e përmbajtjes së tyre. Për këtë arsye ekspertët e AMA-s po ndjekin modele dhe zhvillime të ndryshme që e kanë përthithur radion digjitale për të përfituar nga praktikat më të mira.