Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), në mbledhjen e sotme, datë 25 Nëntor 2019, ndër të tjera trajtoi vijimësinë e procesit të digjitalizimit në qarqet ku ende nuk ka përfunduar ky proces.
Bazuar në të dhënat e monitorimeve të kryera së fundmi në terren, nga të cilat rezulton se qarqet Shkodër, Lezhë, Elbasan dhe Vlorë kanë mbulim më të mirë me sinjal numerik, krahasuar me qarqet e tjera (Kukës, Dibër, Gjirokastër), AMA unanimisht vendosi që:
- Afati përfundimtar pӫr mbylljen e transmetimeve analoge në qarqet Shkodër, Lezhë, Elbasan dhe Vlorë të jetë data 31 mars 2020.
Nӫ zbatim të këtij vendimi, administrata e AMA-s, gjatë kësaj periudhe do të ndërmarrë masat e nevojshme ligjore, si vijimin e fushatës së informimit të publikut në allotmentet Shkodër, Lezhë, Elbasan dhe Vlorë, koordinimin me operatorët audiovizivë kombëtarë me qëllim marrjen e masave të nevojshme nga ana e tyre për instalimin e pikave të mbetura të transmetimit në allotmentet e sipërcituara si dhe mbulimin e plotë të territorit të këtyre qarqeve me sinjal numerik, koordinimin me operatorët audiovizivë lokalë/rajonalë të këtyre qarqeve me qëllim mbështetjen e programeve të tyre në rrjetet kombëtare numerike, si dhe vlerësimin lidhur me pajisjen e banorëve me pajisje marrëse DVB-T2 në këto qarqe.
Në përfundim, AMA u kërkon të gjithë operatorëve që operojnë në këto qarqe të marrin masat për respektimin e vendimit të AMA-s, si dhe u bën thirrje banorëve të këtyre qarqeve që ndjekin transmetime televizive përmes teknologjisë analoge, të pajisen me dekoder digjital tokësor të tipit DVB-T2 ose të jenë të pajisur me aparat televizori që ka të inkorporuar dekoderin e këtij tipi, brenda datës 31 mars 2020.
Autoriteti i Mediave Audiovizive
25 Nëntor 2019