E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

KRYETARI I AMA-S TAKON MINISTRIN E INFORMATIKËS DHE ADMINISTRATËS SË MAQEDONISË SË VERIUT

Kryetari i Autoritetit të Mediave Audiovizive Gentian Sala zhvilloi një takim me Ministrin e Informatikës dhe Administratës të Maqedonisë së Veriut z. Jeton Shaqiri.

Gjatë këtij takimi u diskutua mbi nevojën për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve rregullatorë të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, por edhe çdo problem që AMA mund të ketë në nivel qëndror në Maqedoninë e Veriut.
Kryetari i AMA-s, z. Sala vuri në dukje se mes institucioneve rregullatorë deri më tani bashkëpunimi lë për të dëshiruar, ndaj ka nevojë për një impuls të ri në këtë marrëdhënie.

“Autoriteti ka marrëdhënie të ngushta me Kosovën dhe Malin e Zi, por nuk mund të themi të njëjtën gjë edhe për autoritetin rregullator të Maqedonisë së Veriut. Besoj se është në interesin e të dy palëve të rrisim dhe forcojmë këtë bashkëpunim mes nesh, aq më tepër kur flasim për një hapësirë shqipfolëse dhe ku mediat shqiptare luajnë një rol të rëndësishëm informues dhe jo vetëm”.

Gjatë këtij takimi, të dy Shaqiri dhe Sala diskutuan mbi problematikat e brendshme në raport me rregullimin e medias. Ministri Shaqiri vuri në dukje impaktin që pritet të shkaktojë ligji i miratuar nga qeveria Maqedonase për tregun audioviz, ligj i cili parashikon ndër të tjera ndjekje penale për operatorët e mediave audiovizive në rast të mungesës së një deklarate nga ana e tyre lidhur me të drejtat e transmetimit për kanalet televizive vendase apo të huaja që ato transmetojnë.

Kryetari i AMA-s z.Sala shprehu shqetësim në lidhje me këtë çështje, e cila prek publikun shqiptar, por edhe platformat mediatike shqiptare që ofrojnë shërbim në Maqedoninë e Veriut.

Ata diskutuan dhe për efektet që ka shkaktuar Pandemia e Covid-19 në raport me median.

Të dy zyrtarët ranë dakord për të intensifikuar takimet në nivel të lartë drejtues dhe në nivel teknik me qëllim shkëmbimin e eksperiencave dhe adresimin e çështjeve rregullatore mes dy vendeve.

Autoriteti i Mediave Audiovizive
Tiranë, 2 Nëntor 2020

Perpara AMA Chairman meets Minister of Informatics and Administration of Northern Macedonia

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara