Zhvillohet në Tiranë Forumi i 11-të i Zhvillimit të Medias (MDF), organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.
Në praninë e ambasadorit të OSBE-së, Michel Tarran, të përfaqësuesve të medias, të shoqërisë civile, ekspertë të BE etj., në këtë Forum u diskutua mbi Transparencën e Pronësisë së Medias dhe Pluralizmit Mediatik në Shqipëri.
“Objektivat e përbashkëta janë arritja e një mjedisi mediatik të shumëllojshëm të pavarur dhe që i reziston presioneve politike apo ekonomikë. Besoj se ky forum do rrisë ndërgjegjësimin dhe do ndihmojë në ndërmarrjen e hapave praktike për reformimin e medias në Shqipëri”, tha Ambasadori i OSBE-së, Michel Tarran duke shtuar se OSBE mbetët e gatshme të mbështesë përpjekjet e medies dhe të punojë me të për arritjen e objektivit të përbashkët.
Kryetarja e Autoritetit të Mediave Znj. Armela Krasniqi pjesë e panelit të parë të diskutimeve, theksoi faktin që AMA ka hedhur një hap shumë të rëndësishëm sa i takon Transparencës së Strukturës së Pronësisë së Medias dhe Pronarët Përfitues, direkt dhe indirekt.
“Kemi krijuar dhe publikuar një databazë gjithëpërfshirëse mbi Transparencën e Strukturës Pronësore, e cila është e aksesueshme përmes faqes zyrtare të institucionit. Kjo databazë shërben si një burim kryesor dhe i përditësuar dhe përmban informacion të detajuar mbi të gjitha OSHMA-të e licencuara dhe të autorizuara në Shqipëri. Ajo përfshin të dhëna si për personat juridikë ashtu edhe për persona fizikë, duke shtrirë transparencën deri në identifikimin e plotë të pronarëve përfitues fundorë”- u tha të pranishmëve Znj. Krasniqi.
Por sipas kryetares së AMA-s institucioni që ajo drejton nuk është ndalur këtu sepse pjesë e transparencës, që hedh dritë akoma më shumë mbi tregun audioviziv, është edhe studimi i hollësishëm i kryer mbi investimet ekonomike të OSHMA-ve, përtej tregut mediatik. Kjo analizë pasqyron me transparencë përfshirjen e tyre në aktivitete ekonomike përtej fushës së medias, duke ofruar një panoramë më të gjerë të shpërndarjes së kapitalit në ekonomi.
“Në bashkëpunim me QKB-në kemi krijuar edhe një databazë ndërinstitucionale për identifikimin e veprimtarive të tjera ekonomike dhe financiare të shoqërive tregtare që janë të licencuara ose të autorizuara për veprimtari audiovizive. Përmes kryqëzimit të të dhënave, është mundësuar gjenerimi i informacionit tregtar edhe për veprimtaritë e tjera financiare të pronarëve përfitues, direkt apo indirekt. Këto nisma të kryera përbëjnë një hap kyç në promovimin e përgjegjshmërisë dhe integritetit në sektorin audioviziv”, theksoi Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive.
Në një videomesazh nga Vjena, Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Ambasadori Jan Braathu, u shpreh se: “Këto janë vërtet diskutime tej mase të rëndësishme, jo vetëm për të mbrojtur lirinë e shtypit, por edhe për t’u siguruar që media të shërbejë si një platformë e mirëfilltë për zëra të larmishëm, gazetari etike dhe të përgjegjshme, si dhe debat publik të informuar”.
Ndërkaq Dekani i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Prof. Dr. Mark Marku paraqiti perspektiva akademike lidhur me pluralizmin mediatik, krahas redaktorëve dhe analistëve të medias që shpalosën shqetësime praktike sa i përket pavarësisë editoriale dhe ndikimit ekonomik mbi mediat.