Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Znj. Armela Krasniqi, priti në një takim Shefen e Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, Znj. Giulia Re. Në këtë tryezë u diskutua roli i AMA-s në monitorimin e proceseve zgjedhore në Shqipëri dhe mbi mundësitë për bashkëpunime dhe angazhime të mëtejshme në fushën e mediave gjatë proceseve zgjedhore, në kuadër të projekteve të reja të Këshillit të Europës.
Nga viti 2021 AMA është angazhuar për monitorimin e mbulimit nga mediat audio dhe audiovizive të fushatave zgjedhore. Metodologjia e monitorimit të këtyre mediave është hartuar nga KQZ, bazuar në kërkesat e Kodit Zgjedhor, por dhe në kapacitetet teknike dhe teknologjike që zotëron Autoriteti. AMA i pasqyron gjetjet e veta në raporte të detajuara, të cilat ia paraqet KQZ-së, për kompetencë.
Zyra e Këshillit të Europës në Shqipëri ka qenë gjithmonë një partner i rëndësishëm për AMA-n, duke shënuar rekorde të larta bashkëpunimi, qoftë në hartimin e Kodit të ri të Transmetimit, me sugjerime të vlefshme për projektin e modernizimit të studios së monitorimit të AMA-s dhe platforma të tjera bashkëpunimi, të ndërmarra nga KiE.







