AUTORITETI I MEDIAVE AUDIOVIZIVE PRET NË VIZITË ZYRTARE AUTORITETIN MAQEDONAS TË MEDIAVE
Autoriteti i Mediave Audiovizive priti sot në ambientet e tij vizitën e delegacionit maqedonas të Agjencisë së Medias për Shërbimet Audio dhe Audiovizive.
Kryetari i Autoritetit, Z. Gentian Sala, dhe stafi i tij mirëpritën Z. Lazo Petrusevski, President i Këshillit të Agjencisë, Z. Milaim Fetai, Zëvendës president i Agjencisë, Z. Arben Saiti Shef i Departamentit të Mbështetjes së Informacionit dhe Çështjeve të Përgjithshme, Z. Agron Ademi, Koordinator i zyrës për Marrëdhëniet me Publikun.
Në takim u diskutuan çështje me rëndësi për të dy Autoritetet, si : shkëmbimi i ndërsjellët mes dy Autoriteteve, trendet e zhvillimit të medias, risitë e teknologjisë në rajon dhe më gjerë, kuadri rregullator në funksion të matjes së audiencës, gjithashtu edhe u shkëmbyen përvojat në lidhje me procesin e digjitalizimit të transmetimeve.
Autoriteti Maqedonas ndau eksperiencën e tij në fushën e programacionit, mënyrat e monitorimit dhe sfidat si të teknologjisë ashtu edhe të burimeve njerëzore në lidhje me programacionin.
Procesi i digjitalizimit në Maqedoni është kryer në një periudhë kohore katër vjeçare dhe procesi tanimë është mbyllur me sukses.
Z. Sala e njohu delegacionin me proceset që AMA është duke punuar. Digjitalizimi është duke vazhduar me sukses dhe pritet që të arrihen afatet e parashikuara.
Një pikë tjetër e diskutimeve mes dy përfaqësive ishte edhe bashkëpunimi për kuadrin rregullator të transmetimeve.
Z. Lazo Petrusevski, Presidenti i Këshillit të Agjencisë, u tregua i gatshëm të forcojë bashkëpunimin midis autoriteteve, do të ketë edhe shkëmbim studimesh të realizuara përkatësisht nga secili.
Shumë shpejt ky takim i parë në Tiranë do të vazhdojë edhe më tej me hapa konkret, dhe një memorandum bashkëpunimi pritet të firmoset muajt në vijim.
Autoriteti i Mediave Audiovizive
Tiranë, më 30.03.2018
AUTORITETI I MEDIAVE AUDIOVIZIVE NJOFTON MBYLLJEN E TRANSMETIMEVE ANALOGE NË QARQET TIRANË DHE DURRËS
Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) njofton se data përfundimtare e mbylljes së transmetimeve analoge në qarkun Tiranë dhe qarkun Durrës është 31 Korrik 2018. Teleshikuesit që ndjekin transmetime televizive përmes teknologjisë analoge, duhet të pajisen me dekoder digjital tokësor të tipit DVB-T2- Universal ose të jenë të pajisur me aparat televizori që ka të inkorporuar dekoderin e këtij tipi. Në kushte të tjera, mbas datës 31 Korrik 2018 nuk do të mund të shihen më transmetime televizive në qarqet Tiranë dhe Durrës. Për informacione të mëtejshme, na kontaktoni në numrin 04 410 44 55 ose 04 410 44 56”.
Autoriteti i Mediave Audiovizive