AMA vijon konsultat informuese me operatorët e allotmentit Tiranë-Durrës për procesin e digjitalizimit
Autoriteti i Mediave Audiovizive zhvilloi sot një takim me operatorët e allotmentit të zonës Tiranë Durrës. Ky takim vijon në vazhdën e takimeve konsultuese që Autoriteti po ndërmerr dhe do të vijojë deri në implementin e plotë të procesit të digjitalizimit në vend.
Takimi ishte organizuar në formën e një workshop-i dhe operatorët patën mundësi të shtronin pyetjet e tyre për problematika që i shqetësojnë drejtpërsëdrejti. Për t’i dhënë një përgjigje sa më të plotë, bashkë me përfaqësues të AMA-s, në takim ishin edhe përfaqësues nga Radiotelevizioni Shqiptar dhe Ministria e Inovacionit dhe Adminitratës Publike.
Një nga pikat kryesore të takimit ishte edhe tarifa e përcaktuar nga RTSH dhe miratuar nga AMA në lidhje me mbështetjen e operatorëve vendorë në rrjetin e Operatorit Publik.
Tarifa mujore për mbështetjen e operatorëve vendorë lokale për allotmentin e Tiranë Durrës, në rrjetin e RTSH-së e propozuar nga RTSh dhe e miratuar nga AMA është në vlerën 2146 euro/muaj pa përfshirë TVSH-në. Kjo tarifa është llogaritur pa asnjë marzh fitimi për operatorin publik.
Tarifa mujore për mbështetjen në një allotment, do zbatohet për jo më shumë se 1 vit, ndërkohë që për vitet pasardhëse AMA do të shprehet me vendim duke u bazuar në vlerësimin e zërave financiarë që do të pasqyrohen në situatën reale të operimit të rrjetit numerik tokësor gjatë vitit të parë.
Në ditët në vijim operatorët do të njoftohen nga AMA për të dhënë dakordësinë e tyre në lidhje me mbështetjen e tyre në rrjetin e RTSH-së.
Në takim u dha përgjigje edhe pyetjeve teknike të drejtuara nga operatorët.
AMA në kuadër të fushatës informuese për procesin e digjitalizimit, do të vijojë me takimet konsultative me të gjithë operatoret audioviziv që operojnë në vend.
Autoriteti i Mediave Audiovizive
Tiranë, më 7 shtator 2016