AMA në takim konsultativ për ndërgjegjësimin dhe zbatimin e të drejtës së autorit

AMA në takim konsultativ për ndërgjegjësimin dhe zbatimin e të drejtës së autorit

Ditën e hënë, më datë 15 shkurt, Autoriteti i Mediave Audiovizive organizoi një takim me OSHMA-të dhe agjencitë e administrimit kolektiv të të drejtave të autorit me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të të gjitha palëve për rëndësinë e të drejtave të transmetimit/autorit si pjesë e pronësisë intelektuale.

Ky takim u organizua në kuadër të përmbushjes së detyrime që burojnë nga Ligji nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i cili është i harmonizuar tërësisht me acquis communitaire dhe standardet europiane, dhe përcakton Autoritetin e Mediave Audiovizive, si autoritetin rregullator në fushën e shërbimeve të transmetimeve audio dhe audiovizive dhe nga kjo rrjedh si detyrë funksionale e tij monitorimi dhe mbrojtja e të drejtave të transmetimit dhe të autorit.

Në takim ishin të ftuar përfaqësues nga Ministria e Kulturës, Zyra Shqiptare për të Drejtën e Autorit (ZSHDA), Autoriteti i Konkurrencës, agjencia e administrimit kolektiv AKDIE, agjencia e administrimit kolektiv FMAA, agjencia e administrimit kolektiv ALBAUTOR, Shoqata “Rrjeti i Televizioneve Lokale Valore dhe Kabllore” si dhe përfaqësues nga orfruesit e shërbimit mediatik audio dhe audioviziv.

Temat kryesore të takimit ishin: agjencitë e administrimit kolektiv; efektshmëria e tyre në treg; e drejta e (ri)transmetimit vs. të drejtës së autorit; mosmarrëveshjet në lidhje me tarifat e agjencive të administrimit kolektiv; transparenca në lidhje me mënyrën e llogaritjes së tarifave ndaj subjekteve; mosmarrëveshjet midis subjekteve audio e audiovizivë dhe agjencive në lidhje me listën e produkteve të pronësisë intelektuale.

Takimi u moderua nga Zëvendëskryetari i AMA-s z. Sami Nezaj, i shoqëruar në panel nga Drejtori i Programeve z. Arben Muka, Drejtori Juridik dhe i Licencave z. Enkelejd Lamaj si dhe zj. Sevada Guco, përgjegjës sektori, pranë AMAs. Z. Nezaj, gjatë takimit vuri theksin në zbatimin e të drejtave dhe detyrimeve nga të gjitha palët e interesuara dhe të prekura. AMA, nga ana e saj është në konsultë të vazhdueshme me ZSHDA-në por edhe me OSHMA-të duke i kushtuar vëmendje të veçantë garantimit të së drejtës së transmetimit dhe të autorit. Z. Nezaj tha se këto debate ndihmojnë edhe në projekt-ligjin për të drejtat e autorit që aktualisht është duke u hartuar.

Z. Evien Dako, Drejtor i ZSHDA-së, theksoi nga ana e tij se është kriter i Bashkimit Europian licencimi i produkteve dhe respektimi i të drejtës së autorit. Ai kërkoi që pranë ZSHDA-së të depozitohen të gjitha kontratat që rregullojnë respektimin e këtyre të drejtave, ku të përfshihen: afati i transmetimit, kohëzgjatja dhe territori, në të cilin ai produkt do të transmetohet.

Gjithashtu, nga agjencitë e licencuara të administrimit kolektiv u kërkua që AMA të jetë më e kujdesshme në licencimin dhe rilicencimin e  OSHMA-vë që nuk respektojnë të drejtën e autorit.

OSHMA-të gjatë diskutimeve kërkuan transparencë dhe tarifa të logjikshme për transmetimin e programeve. Kjo duhet të përkthehet në produkte të certifikuara nga zyrat për mbrojtjen e të drejtave të autorit, dhe agjencitë e licencuara të administrimit kolektiv. Po ashtu, operatotët në takim theksuan se ata do të donin që gjithë produksionet e para viteve ’90 t’i transmetonin lirisht dhe pa barriera në programacionin e tyre.

Ky takim vjen në periudhën kur është në proces miratimi projekt-ligji për të drejtat e autorit. Ky ligj vendos si asnjëherë më parë në qendër të vëmendjes autorin krijues dhe renditet ndër legjilacionet më të avancuara në Europë për këtë temë.

Nga të gjitha palët u ra dakord se ky takim nuk i shteroi të gjitha problamatikat në lidhje me këtë çështje por është një hap më tej në trajtimin e tyre. Interesi për  këtë takim ishte shumë i madh nga të gjitha palët e interesuara.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 15.02.2016

Perpara Deklaratë e kryetarit të Autoritetit të Mediave Audiovizive, Z. Gentian Sala

Leave Your Comment

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2021 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara