Ndalimi i reklamës që cënon të drejtat e konsumatorëve
Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, ka marrë ankesa së fundmi ndaj transmetimit në disa subjekte audiovizive të një reklame për aktivitetin e kompanisë së sigurimeve SIGAL-UNIQA Group, mbi ofertat e saj për pensione private.
Nga shqyrtimi i përmbajtjes së kësaj reklame, AMA evidenton se kemi të bëjmë me cënim haptazi të të drejtave të konsumatorëve, duke iu dhënë atyre informacion për këtë kompani private dhe njëkohësisht duke përçmuar sistemin publik të sigurimeve shoqërore (pensioneve) në Republikën e Shqipërisë.
Çdo kompani, institucion, individ mund të reklamojë produkte, shërbime apo oferta të tjera në hapësirat audio dhe audiovizive, duke prezantuar aspekte pozitive dhe të dobishme të tyre. Por këtij promovimi nuk mund t’i japë një natyrë të pandershme tregtare, duke përdorur etiketime dhe vlerësime krahasuese negativiste me konkurrentët në treg.
Sa më sipër, AMA kërkon nga të gjitha OSHMA-të që e transmetojnë këtë reklamë që ta ndërpresin menjëherë, duke vijuar komunikimin me subjektin porositës për të emetuar përmbajtje promovimi, të cilat nuk bien ndesh me të drejtat e konsumatoreve dhe cënojnë klimën e konkurrencës së ndershme në treg.
AUTORITETI I MEDIAVE AUDIOVIZIVE
Tiranë, më 22 Nëntor 2017