Gjobë televizionit në Francë, moderatori nuk kundërshtoi gjuhën e urrejtjes

Një tjetër shembull për të treguar masat që mori autoriteti francez kundër një televizioni, për moskundërshtim të gjuhës së urrejtjes nga moderatori, ka ndodhur më 28 shtator 2023 në CNews, ndërsa po flitej për urrejtjen ndaj hebrenjve. Një komentator tha se kjo urrejtje vinte nga emigracioni arabo-mysliman dhe e lidhi të njëjtin grup edhe me trafikun e drogës.

Si reagoi moderatori? Ai nuk e kundërshtoi deklaratën. Tha vetëm në fund: “Kaq mund të thoshim për këtë temë.”

Rregullatori francez i medias e gjobiti televizionin me 50 mijë euro. Në vendim pati peshë edhe mënyra si moderatori e trajtoi deklaratën.

CNews e kundërshtoi gjobën në gjykatë. Më 6 nëntor 2025, gjykata më e lartë administrative e Francës, që quhet Këshilli i Shtetit, e la gjobën në fuqi. Gjykata vlerësoi se masa ishte proporcionale dhe nuk binte në kundërshtim me nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili mbron lirinë e shprehjes.

Po i sjell këto raste në vëmendjen e të gjithëve, sepse dua të shohim si e trajtojnë këtë debat demokraci që i vlerësojmë për lirinë e medias.

Janë shembuj që na ndihmojnë të shohim si në këto vende mbrohen debati i hapur dhe kritika e fortë dhe si vlerësohet përgjegjësia e televizionit kur në studio bëhen deklarata që nxisin diskriminimin, urrejtjen apo dhunën.

Perpara Ekrani dhe përgjegjësia (VIDEO 9)

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2026 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara