Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Znj. Armela Krasniqi, zhvilloi sot një takim konsultativ me përfaqësues të ofruesve të shërbimeve mediatike audio dhe audiovizive (OSHMA), për disa shtesa dhe ndryshime në rregulloren “Për komunikimet audio dhe audiovizive me natyrë tregtare, format, kushtet dhe koha ditore e lejuar për transmetimin e reklamave”.
Në qendër të diskutimit ishte detyrimi ligjor i OSHMA-ve për transparencën e të ardhurave nga reklamat e financuara me fonde publike. Krahas propozimeve për ndryshimin e rregullores, është përgatitur edhe një formular vetëdeklarimi, nëpërmjet të cilit OSHMA-të do të deklarojnë të ardhurat nga reklamat e financuara nga buxheti i shtetit, si dhe ato që vijnë nga vende të treta, joanëtare të Bashkimit Europian.
Këto ndryshime lidhen me kërkesat e Aktit Europian për Lirinë e Medias (EMFA), të pasqyruara në ligjin shqiptar për mediat audiovizive, dhe synojnë transparencë të plotë për të ardhurat që operatorët përfitojnë nga qeveria dhe agjencitë shtetërore.
Procesi i transpozimit të akteve europiane që lidhen me median është i rëndësishëm si për integrimin europian, ashtu edhe për rregullimin e mëtejshëm të tregut audio dhe audioviziv në Shqipëri, në përputhje me standardet europiane.



















