E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

AMA në tryezën e RTSH: Bashkëpunimi institucional për një media publike moderne dhe në shërbim të qytetarëve

Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe përkushtimit për të garantuar një media publike të qëndrueshme dhe profesionale, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) mori pjesë në tryezën gjithëpërfshirëse të organizuar nga Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), me temë “RTSH – Sfidat e sotme dhe vizioni për të ardhmen”, zhvilluar  sot, më 9 korrik 2025.
 
Kjo nismë e RTSH-së, me një qasje reflektuese dhe vizionare, mblodhi rreth një tryeze diskutimi përfaqësues të lartë të institucioneve mediatike, drejtues të RTSH-së, anëtarë të Komisionit për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik, figura të shquara të gazetarisë shqiptare ndër vite, përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizatave joqeveritare, si dhe përfaqësues të institucioneve vendase dhe ndërkombëtare që veprojnë në fushën e medias dhe informimit publik.
 
Në këtë takim, AMA u përfaqësua nga Kryetarja e Autoritetit, znj. Armela Krasniqi, e cila në ndërhyrjen e saj vlerësoi nismën e RTSH-së si një hap të rëndësishëm për të vendosur në qendër të debatit publik rolin e medias publike në një shoqëri demokratike. Ajo theksoi se marrëdhënia ndërmjet AMA-s dhe RTSH-së është një raport i përcaktuar ligjërisht, i cili përkufizon qartë përgjegjësitë dhe pritshmëritë nga të dy institucionet.
 
“Në përputhje me ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, AMA ka ndër detyrat e saj kyçe monitorimin dhe zbatimin e kontratës së shërbimit publik me RTSH-në. Kjo marrëdhënie nuk është vetëm teknike apo procedurale, por është thelbësore për garantimin e një media publike të lirë, të pavarur dhe të orientuar drejt interesit qytetar,” u shpreh znj. Krasniqi.
 
Gjatë fjalës së saj, ajo nënvizoi se AMA ndodhet aktualisht në një moment kyç të reformimit të kuadrit ligjor, në funksion të përputhjes së mëtejshme me standardet e Bashkimit Evropian dhe direktivave të reja që burojnë nga European Media Freedom Act (EMFA) dhe Digital Services Act (DSA).
 
Këto reforma përbëjnë një mundësi konkrete për të rikonceptuar dhe forcuar më tej funksionimin e medias publike, për ta bërë atë më transparente, më të përgjegjshme dhe më pranë nevojave të qytetarëve.
 
“Ne mbetemi të hapur për çdo lloj bashkëpunimi që RTSH mund të ketë nevojë, për të ndërtuar së bashku një media publike bashkëkohore, profesionale dhe që gëzon besimin e publikut shqiptar. Kjo është një detyrë që nuk i takon vetëm RTSH-së, por është përgjegjësi e përbashkët institucionale,” përfundoi znj. Krasniqi.
 
Ky takim ishte një moment reflektimi dhe dialogu i frytshëm për të ndarë ide, përvoja dhe vizione për të ardhmen e medias publike, në një realitet mediatik që është gjithnjë e më dinamik dhe sfidues. AMA vlerëson angazhimin e RTSH për të hapur një proces të hapur e gjithëpërfshirës konsultimi, si një tregues i vullnetit për të avancuar drejt një modeli mediatik më demokratik, të pavarur dhe të orientuar drejt interesit publik.
Perpara AMA vijon konsultimet publike për ndryshimet në rregulloren e autorizimeve: Tryezë me operatorët në Dibër
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2025 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara