E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Tryeza e katërt e këshillimit publik në kuadrin e rishikimit të Kodit të Transmetimit.

Në kuadrin e rishikimit të Kodit të Transmetimit, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), organizoi më 6 tetor 2022, tryezën e katërt tematike të këshillimit publik, me temë “Parandalimin dhe luftimin e gjuhës së urrejtjes” dhe “Të drejtën për privatësi dhe mbrojtje të të dhënave personale”.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të OSHMA-ve, botës akademike, të Avokatit të Popullit, Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Këshillit Shqiptar të Medias, Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Policisë së Shtetit, Bashkisë Tiranë, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës në Tiranë.

Tryeza shërbeu si një hapësirë e dobishme diskutimi me të gjitha grupet e interesit me fokus te detyrimet e OSHMA-ve përkitazi të drejtës për privatësi dhe mbrojtje të të dhënave personale pavarësisht së drejtës për informim si edhe për luftimin e gjuhës së urrejtjes pavarësisht lirisë së shprehjes.

Kryetarja e Këshillit të Ankesave, Mirela Oktrova përshkroi procesin e deritanishëm të rishikimit të Kodit të Transmetimit si nismë në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga Plani Strategjik 2021-2023 i Autoritetit dhe kërkesat e zhvillimit shoqëror dhe teknologjik. Duke e konsideruar „gjuhën e urrejtjes“ si „mjet diskriminimi“ dhe „dhunë verbale“, ajo u ndal në pasojat e përdorimit të saj në formësimin e sjelljes shoqërore dhe modelet e ligjërimit publik, duke vënë në dukje nevojën e aplikimit të “ekologjisë së informacionit” si detyrim shoqëror për të gjithë profesionistët e medias audiovizive me ndikim në përmbajtjen e saj. Përkitazi së drejtës për privatësi dhe mbrojtje të të dhënave personale, Kryetarja e KA-së iu referua kufirit të ndjeshëm dhe lehtësisht të kapërcyeshëm midis saj dhe lirisë së shprehjes, duke vënë në dukje domosdoshmërinë e ruajtjes së ekuilibrit mes të këtyre të drejtave, çka mund ta garantojë vetëm standardi i gazetarisë dhe deontologjia e profesionit.

Përfaqësuesit e institucioneve dhe grupeve të interesit veçuan një sërë problematikash shqetësuese, duke propozuar qasjet dhe këndvështrimet e tyre lidhur me kapitujt e Kodit të Transmetimit në diskutim. Ata sollën në vëmendje raste kur raportimi në media ka shkelur të drejtën për privatësi dhe mbrojtje të të dhënave personale, të drejtën për prezumimin e pafajsisë apo ka përdorur gjuhë urrejtjeje, duke nxitur urrejtje dhe përçarje shoqërore. Ata theksuan rëndësinë e Kodit të Transmetimit edhe si mjet sensibilizimi për rritjen e përgjegjësisë profesionale dhe sociale të medias audiovizive në përpjekjet për ndalimin e dezinformimit, stereotipizimit negativ dhe stigmatizimit të komuniteteve të caktuara shoqërore.

Ekspertja e angazhuar nga AMA për analizimin dhe hartimin e Kodit të ri të Transmetimit, Prof. Dr. Vasilika Hysi, prezantoi me detaje ndryshimet e propozuara për seksionet në diskutim. Ajo theksoi rëndësinë e edukimit mediatik në ndërgjegjësimin e profesionistëve për pasojat e përdorimit të gjuhës së urrejtjes dhe dosmodoshmërinë e vendosjes së kufizimeve ndaj përmbajtjeve audiovizive, që nxisin urrejtje dhe përçarje shoqërore, duke iu referuar standardeve ndërkombëtare në frymë dhe gërmë. Lidhur me të drejtën për privatësi ekspertja u ndal posaçërisht tek e drejta dhe dinjiteti i viktimës dhe familjes së tij, te kujdesi që duhet treguar me përpunimin e të dhënave për arsye gazetareske si dhe në raportimin e drejtpërdrejtë veçanërisht për ngjarjet e kronikës.

Përfaqësuesja e KiE, e pranishme në diskutim vlerësoi nismën për rishikimin e Kodit të Transmetimit, pjesëmarrjen e gjerë të intitucioneve dhe grupeve të ndryshme të interesit në të si edhe karakterin interaktiv të diskutimit.

AMA inkurajon të gjithë aktorët dhe faktorët që të konsultojnë draftin dhe të formulojnë vërejtjet dhe propozimet e tyre lidhur me të.

Afati maksimal i përfundimit të fushatës së këshillimit publik për Kodin e Ri të Transmetimit parashikohet të jetë fundi i tremujorit të parë të vitit 2023. Gjatë gjithë kësaj kohe, Projektkodi i plotë i Transmetimit do të qëndrojë i publikuar në faqen zyrtare të Autoritetit të Mediave Elektronike, në rubrikën Këshillimi publik, për të garantuar akses të plotë në dokument, jo thjesht dhe vetëm të OSHMA-ve dhe grupeve të tjera të interesit, por edhe të publikut të gjerë, si për t’u njohur me të, ashtu edhe për të formuluar vërejtje dhe sugjerime për aspekte të caktuara të tij.

Perpara Tryeza e tretë e këshillimit publik në kuadrin e rishikimit të Kodit të Transmetimit
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara