TAKIMI ME OPERATORËT TELEVIZIVË VENDORË MBI ECURINË E PROCESIT TË DIGJITALIZIMIT
Takimi i parë me operatorët televizivë vendorë mbi ecurinë e procesit të digjitalizimit Ditën e hënë më datë 1 Qershor 2015, Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, zhvilloi në Tiranë një takim konsultativ me operatorët televizivë lokalë dhe rajonalë në kuadër të procesit të digjitalizimit. Fokusi kryesor i diskutimit ishte mbi problematikat e mbështetjes së operatorëve në rrjetin e TVSH-së, si dhe përllogaritjen e tarifave përkatëse. Kryetari i AMA-s, z. Gentian Sala, në hyrje të takimit theksoi rëndësinë e digjitalizimit dhe vëmendjen që ka ky institucion për të pasur një proces transparent dhe të bazuar në legjislacionin shqiptar dhe në strategjinë kombëtare të kalimit të transmetimeve nga analogu në numerik, duke sjellë një produkt më të mirë për publikun dhe me kosto sa më të ulët. Gjatë takimit nga pjesëmarrësit u trajtuan probleme të tilla si, kuadri ligjor për kalimet në transmetimet numerike, proceset që do të realizohen për mbylljen e transmetimeve analoge aktuale, stadi aktual i digjitalizimit të rrjeteve analoge tokësore të transmetuesit publik, i cili është i zhbllokuar pas nënshkrimit të kontratës me shoqërinë “Rhode & Shwartz”, ecuria e digjitalizimit të rrjeteve analoge tokësore të operatorëve private kombëtare, alternativat që mund të zgjedhin operatorët privatë lokal ekzistues për digjitalizimin e rrjeteve analoge tokësore etj. Z. Gentian Sala shprehu qartë rolin e AMA-s, si autoritet rregullator, duke siguruar që tarifat që duhet të paguajnë operatorët privatë të jenë të mjaftueshme për mbarëvajtjen financiare të RTSH-së, si dhe që kjo tarifë e paguar prej tyre, të jetë e përballueshme për ta në mënyrë që të përmbushet objektivi kryesor, digjitalizimi. Ky ishte takimi i parë me subjektet televizive lokale dhe rajonale, që do të vijojë dhe me tryeza të tjera konsultative, për të shkëmbyer ide dhe informacion, në arritjen e një konsensusi sa më shpejtë mes operatorëve privatë, RTSH-ës dhe AMA-s. Tiranë, 01 Qershor 2015 Autoriteti i Mediave Audiovizive