E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Prezantimi i aktivitetit të AMA-s nga Kryetari, z. Gentian Sala

 

Këshilli i AMA-s shtyn vendimmarrjen për dhënien e licencave kombëtare private të transmetimit audioviziv sipas procedurës Beauty Contest

Ditën e mërkurë, më datë 27 janar 2016, u zhvillua mbledhja e radhës së Autoritetit të Mediave Audiovizive, në të cilë morën pjesë:

z.Gentian Sala     Kryetar
z.Sami Nezaj       Zëvëndëskryetar
z.Gledis Gjipali    Anëtar
z.Piro Misha        Anëtar
zj.Suela Musta     Anëtar
z.Zylyftar Bregu   Anëtar

Një nga pikat e kësaj mbledhje ishte dhe projektvendimi ”Mbi aplikimin e shoqërive “Top Channel” sh.a., ”Tv Klan” sh.a., “Digitalb” sh.a. dhe “Supersport” sh.a.” për marrje licence private kombëtare transmetimi audioviziv numerik sipas procedurës Beauty Contest.

AMA, njofton se vendimmarja për këtë projektvendim shtyhet për ditën e hënë, datë 01.02.2016, ora 9.00, pasi dy nga anëtarët e tij, përkatësisht  z.Sami Nezaj, zëvëndëskryetar dhe Zj. Suela Musta, anëtare, kërkuan më shumë kohë për shqyrtimin e dokumentacionit.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më  27. 01. 2016

 

Projekt rregullore për licencat e transmetimit audio të komuniteteve

Autoriteti i Mediave Audiovizive në kuadër të rregullimit të transmetimeve të radiove komunitare sipas ligjit për mediat audio dhe audiovizive 97/2013 ka publikuar në rubrikën këshillim publik, në faqen e tij zyrtare në internet, www.ama.gov.al, Projekt Rregulloren “Për dhënien e licencave të transmetimit audio të komunitetit”.

Transmetimet komunitare janë transmetime audio për komunitetin të cilat: ofrohen për zhvillimin social dhe përmbushjen e interesave të komunitetit; qe reflektojnë nevojat kulturore, gjuhësore, etj.; kanë karakter informues, edukativ dhe argëtues; mbështeten në punën vullnetare të pjesëmarrësve të komunitetit; krijojnë mundësi për të lejuar aksesin më të madh të mundshëm të gjithë pjesëmarrësve të komunitetit; kanë struktura menaxhuese, përfaqësuese të komunitetit të cilit i shërbejnë etj.

Përmes kësaj rregulloreje subjektet e interesuara orientohen e mbështeten në qartësimin e procedimit për fitimin e licencës, si p.sh. karakteristikat e shërbimit audio të komunitetit; standardet për programet; plani i frekuencave; shpallja e procedurës së licencimit; dokumentacioni i aplikimit; kriteret e vlerësimit të tyre etj.

Këshillimi publik është detyrim ligjor dhe këtë procedurë e kalojnë të gjitha projekt rregulloret e hartuara nga Autoriteti i Mediave Audiovizive. Përpara hartimit të kësaj rregulloreje Kryetari i AMA-s ka pritur në një takim konsultues të gjitha palët e interesuara. Kjo projekt rregullore do të jetë on-line për një periudhë 30 ditore dhe të gjitha palët janë të mirëpritura të dërgojnë komentet e tyre.

Për AMA-n është shumë e rëndësishme transparenca dhe fton bashkësitë fetare të japin mendimet e tyre.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 17. 12. 2015

 

Njoftim për Mediat mbi reklamat politike

Në procesin e monitorimit të përmbajtjeve të transmetuara nga subjektet audio dhe audiovizive gjatë ditës së sotme, datë 04.12.2015, Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, ka konstatuar dhe emetimin nga televizionet Top Channel, Ora News, News 24, Vizion Plus dhe ABC News, të një reklame politike mbi një aktivitet që zhvillohet të martën e ardhshme më datë 08.12.2015 nga Partia Demokratike.

Reklama, e cila është e paidentifikuar për subjektin që e ka përgatitur, bazuar në nenin 39 të ligjin 97/2013 “Mbi mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” konsiderohet si reklamë politike dhe transmetimi i saj është në kundërshtim me nenin 41, pika 2 të po këtij ligji.

AMA ju bën thirrje këtyre subjekteve që të respektojnë ligjin duke ndërprerë menjëherë emetimin e reklamës, në të kundërt, ndaj tyre do të nisë procedura administrative sipas parashikimeve ligjore në fuqi.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 04. 12. 2015

 

Në kuadër të formalizimit dhe ligjshmërisë të tregut audioviziv sekuestrohen pajisjet e “Tv Kabllor Jug”

Autoriteti i Mediave Audiovizive në kuadër të formalizimit të tregut audio dhe audioviziv dhe në kuadër të sigurimit të konkurrencës së ndershme midis operatorëve qofshin këta TV, radio apo kabllorë është duke vijuar në gjithë territorin e vendit aksionin për kontrollin dhe verifikimin e subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre audiovizive në kundërshtim me aktet normative në fuqi.

Sot AMA, në një operacion në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka bërë sekuestrimin e pajisjeve audiovizive të një subjekti kabllor në qytetin e Fierit.  Subjektit “Tv kabllor Jug” i kishte përfunduar afati i autorizimit dhe nuk kishte bërë kërkesë për rinovim pranë autoritetit tonë. Përveç afatit të mosrinovimit të autorizimit, subjekti rezultonte debitor për mos shlyerje të detyrimeve financiare ndaj AMA-s që nga viti 2011. Por pavarësisht nga sa më sipër subjekti vijonte transmetimet audiovizive në mënyrë të kundërligjshme, pra, pa autorizimin e AMA-s.

Më parë ndaj subjektit“ TV Kabllor Jug” AMA ka marrë edhe masën e ndëshkimit me gjobë në vlerën 5.000. 000 lekë, pikërisht për shkak të ofrimit të shërbimeve audiovizive pa autorizim nga AMA.

Në këto kushte, Autoriteti i Mediave Audiovizive i bën thirrje gjithë subjekteve të jenë të kujdesshëm për rinovimin e licencave, dhe autorizimeve sipas parashikimeve ligjore dhe nënligjore në fuqi.

Verifikimet dhe inspektimet e AMA-s do të vijojnë intensivisht në të gjithë territorin e vendit.

 Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 19. 11. 2015

Autoriteti i Mediave Audiovizive, bashkëpunon me  ‘Grupin Koha” dhe Shoqërinë “Company 21” , për transmetimin e programeve të tyre në Shqipëri

Autoriteti i Mediave Audiovizive në kuadër të bashkëpunimit dhe partneritetit me Grupin mediatik Koha sh.p.k. dhe Shoqërinë “Company 21”, jetësoi një marrëveshje me të cilat ka rënë dakord që këta transmetues Kombëtar në Kosovë të transmetojnë edhe në Republikën e  Shqipërisë.

Tashmë të drejtat e transmetimit  të programeve “Kohavizion” (KTV), “Arta”, ‘RTV 21” dhe “TV21-Maqedonia” do të jenë pa pagesë për subjektet kabllore që ushtrojnë veprimtari audiovizive.

“Grupi Koha” sh.p.k., përfaqësuar nga znj. Flaka Surroi i kalon në mënyrë joekskluzive dhe papagesë, ripërsëritësve kabllorëve audiovizivë, të licencuar në Republikën e Shqipërisë, të drejtën për të ritransmetuar tërësinë e përmbajtjes së programeve të ofruara nga  transmetuesi kombëtar “Kohavision” dhe “ARTA”.

Njëkohësisht Shoqëria “Company 21” përfaqësuar nga znj. Afërdita Saraçini , i kalon në mënyrë joekskluzive dhe pa pagesë, ripërsëritësve kabllorë audiovizivë, të licencuar në Republikën e Shqipërisë, të drejtën për të ritransmetuar ‘RTV 21” dhe “TV21-Maqedonia”.

E drejta e ritransmetimit kalohet pa pagesë, për një periudhë 1 vjeçare, duke filluar nga data 1 nëntor 2015 deri në datën 31 tetor 2016..

Kjo risi në tregun mediatik të Shqipërisë vjen si fryt i takimeve të suksesshme që muajt e fundit Kryetari i Autoritetit Z.Gentian Sala ka patur me drejtuesit e Televizioneve Kombëtare të Kosovës.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 6. 11. 2015

Reagim i AMA-s për dhunën e ushtuar ndaj reporterëve Z. Agim Blloshmi dhe Z. Kristaq Binjaku

Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, ka përcjellë me shqetësim ngjarjen e fundit me protagonistë reporterëve televizivë, Z. Agim Blloshmi dhe Z. Kristaq Binjaku, të cilët në mbrëmjen e datës 19 maj 2015, jo vetëm janë penguar në kryerjen e detyrës së tyre, por dhe janë qëlluar dhe janë mbajtur peng nga persona të armatosur, në zonën rurale të rrethit të Librazhdit, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre.

Dy gazetarët kanë qenë në përmbushje të detyrës duke investiguar mbi një rast të shkeljes së ligjit dhe goditja ndaj tyre është një akt i dënueshëm kundër fjalës së lirë dhe angazhimit profesional të komunitetit të medias për informimin e publikut. AMA kërkon nga organet kompetente që sa më parë të zbardhen rrethanat e plota të ngjarjes dhe të përgjigjen para drejtësisë personat e përfshirë direkt ose indirekt.

Autoritetei i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 20. 05. 2015

Prezantimi i aktivitetit të AMA-s nga Kryetari, z. Gentian Sala

Në Shqipëri aktualisht kanë veprimtari 72 subjekte audiovizive, 71 subjekte radiofonike dhe 109 operatorë audiovizivë kabllorë. Gjithashtu, perojnë dhe 5 subjekte, të cilët kanë ndërtuar dhe transmetojnë në rrjete numerike tokësore.
Këto subjekte janë klasifikuar si operatorë historikë kombëtarë dhe pritet të legalizohen sipas rregulloreve dhe procedurave të miratuara nga AMA, bazuar në ligjin 97/2013. Lexoni më tepër

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 4. 3. 2015

Perpara Takim pune me subjektet kabllore

Leave Your Comment

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2021 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara