E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Është koha për rregullimin ligjor në marrëdhëniet e punës së gazetarëve në redaksitë audiovizive

Edukimi për Median: “Takim i grupit të ekspertëve – Koordinimi dhe sinergjitë mes palëve për një komunikim të përgjegjshëm etik

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), dhe Këshilli i Ankesave, organizoi të hënën, më datë 21.05.2018, Tryezën e Rrumbullakët me temë Edukimi për Median: “Takim i grupit të ekspertëve – Koordinimi dhe sinergjitë mes palëve për një komunikim të përgjegjshëm etik.

Qëllimi i kësaj tryeze ishte ndërgjegjësimi i publikut të gjerë mbi konceptin paraprakisht se cfarë në thelb është edukimi mediatik. Mprehja e shqisës kritike tek qytetari kundrejt një prodhimi lajmesh e ndodhish në këtë bum teknologjik platformash të ndryshme. Nevoja e përfshirjes së Edukimit Mediatik si lëndë më vete në kurrikulat mësimore mbetet një nevojë emergjente që mund të vetërregullojë në mënyrë të drejtë dhe profesionale efektet e medias në jetën e njeriut dhe sidomos të fëmijëve.

Pjesë e kësaj Tryeze të Rrumbullakët që pati një mbështetje të vazhdueshme nga autoritetet e AMA-s, ishin anëtarë të Komisionit Parlamentar Për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, përfaqësues të televizioneve, organizmave ndërkombëtarë, Institutit Shqiptar të Medias, studentë të gazetarisë etj.

Nënkryetari i Autoritetit të Mediave Audiovizive, z. Sami Nezaj, duke diskutuar për praktikat rregulluese dhe vetë-rregulluese, politikat, strategjitë dhe legjislacionin lidhur me edukimin në media, nënvizoi disa momente kyçe, që burojnë nga Kushtetuta e Shqipërisë (nenet 22 dhe 23) për median, dhe ligji për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë. Për z. Nezaj, ky i fundit ka qasje periferike për edukimin në media, por ka disa momente që mund të perceptohen lidhur me edukimin në media, si p.sh. Këshilli i Ankesave.

Në fjalën e tij përshëndetëse z. Luçiano Boçi, anëtar i Komisionit parlamentar të Medias, tha se edukimi mediatik, edukimi i shoqërisë, ndërgjegjësimi i saj mund të konsiderohen prioritet. Sipas tij, lëndë të veçanta për edukimin mediatik duhet të ishin përfshirë tashmë në kurrikulat shkollore. Nëse disa vende i kanë me zgjedhje lëndë të tilla, për deputetin Boçi, në Shqipëri duhet të jenë të detyrueshme. Znj. Almira Xhembulla, gjithashtu anëtare e Komisionit Parlamentar Për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, theksoi nevojën për analizë të audiencës, por dhe të produktit që i ofrohet asaj. Ajo përmendi orientimin e Komisionit Evropian sa i përket edukimit në media dhe theksoi nevojën për të ecur edhe më tej me këtë detyrë.

Ndërsa znj. Doriana Dervishi, këshilltare në kabinetin e Ministrisë së Arsimit Rinisë dhe Sporteve, solli një panoramë të gjerë mbi kurrikulat shkollore, universitare por dhe parauniversitare. Sipas saj, ka institucione të arsimit të lartë, që kanë përfshirë module për gazetarinë dhe median, pra për edukimin mediatik. Pyetja është, shtroi znj. Dervishi, a duhen shtrirë këto module edhe në arsimin parauniversitar? Si shembuj të punës së vazhdueshme të Ministrisë së Arsimit në këtë fushë ajo solli projektin pilot për edukimin për fenë, si dhe modulet për të drejtën e informimit apo edukimin ekonomik në arsimin bazë.

Ilda Londo nga Instituti Shqiptar i Medias u ofroi të pranishmëve në këtë tryezë disa të dhëna nga indeksi mbi media në Shqipërisë. Ajo nënvizoi dy momente kryesore të këtij indeksi: i pari, që Shqipëria renditet ndër vendet më të papërgatitura lidhur me edukimin në media dhe i dyti, që publiku ka ende një shkallë të lartë besimi tek media në Shqipëri.

Për zv.drejtoreshën e Bibliotekës Kombëtare, znj. Etleva Domi, duhet një strategji kombëtare për edukimin mediatik, me pjesëmarrjen e shumë institucioneve, pasi në kohët e sotme, interneti dhe zhvillimet teknologjike diktojnë nevojën për një qasje të re ndaj kësaj teme.

Ndërsa z. Ramadan Çipuri, nga Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, tha se roli i universiteteve për edukimin në media është parësor. Po aq parësor sa dhe bashkëpunimi me mediat i institucioneve të tjera. Ai parashtroi disa sugjerime në funksion të përmirësimit të situatës së medias në vend. Anëtarja e Bordit të AMA-s, znj. Suela Musta, solli rezultatet e një monitorimi të kryer prej saj për tri televizione, Klan, Top Channel dhe Vizion +, rreth spektakleve show që këto televizione transmetojnë. Sipas saj, janë vërejtur shkelje flagrante të Kodit të Transmetimit, sidomos ndaj imazhit të fëmijëve dhe keqpërdorimit të tyre. Sipas saj, fëmijët po përdoren për qëllime aspak të drejta.

Për ekspertin e medias, z. Rrapo Zguri jemi në epokën e konsumit të informacionit, ku gjithçka është e digjitalizuar, lehtësisht e riprodhueshme dhe e manipulueshme. Ndaj, shtoi ka, ka ardhur koha që të hapet një debat i gjerë: Ku fillon media? Z. Erald Kapri, anëtar i Këshillit të Ankesave pranë AMA-s, solli në vëmendjen raportin e fundit të “Soros”, ku Shqipëria renditet e parafundit për edukimin mediatik, si dhe shtjelloi mënyrat dhe mekanizmat shqiptarë për përfshirjen dhe edukimin e publikut. Znj. Karolina Risto, drejtore ekzekutive e InTV, duke sjellë përvojën e saj edhe si gazetare, dhe tashmë si drejtuese, foli për disa rrugë e mënyra se çfarë mund të bëjë media për të nxitur edukimin e publikut për informacionin. Sipas saj, duhen ndërmarrë iniciativa edhe për të përmirësuar profesionalizmin në media dhe për të zhvilluar mekanizma vetë-rregullues, si një mënyrë për të bashkëpunuar me publikun. Monika Stafa, Kryetare në Këshillin e Ankesave në fjalën e saj nënvizoi ndër të tjera se që në krye të herës duhet të shpjegojmë se cfarë d.th. edukimi mediatik. Ky term, i njohur gjerësisht si Media Literacy nënkupton që konsumatori i medias duhet të jetë në gjendje të bëjë disa pyetje lidhur me sa lexon online apo sheh në televizion. Ai duhet të dijë më së pari se cila media është burimi i informacionit, e më tej, kush është/janë pronarët e saj dhe ç’interesa kanë ata. Si konsumatorë të lajmeve gjithashtu qytetari duhet të mësohet të bëhet më kërkues, shtoi më tej Stafa, sepse aty ku burimet mungojnë dhe “faktet” kalojnë pakontrolluar, ka gjithmonë potencial për propagandë, dezinformim dhe abuzim.

Këshilli i Ankesave në AMA, do të mirëpresë nisma të tilla duke ftuar të gjithë partnerët ndërinstitucional për të bashkëpunuar në këtë çështje aq të ndjeshme së fundmi për të ardhmen e fëmijëve tanë.

Tiranë, më 21.05.2018

                            

                           Është koha për rregullimin ligjor në marrëdhëniet e punës së gazetarëve në redaksitë audiovizive

Komisioni për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik në Kuvendin e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive, zhvilluan paraditen e datës 11 maj 2018 në Tiranë, Tryezën e Diskutimit mbi “Rregullimin ligjor në marrëdhëniet e punës së gazetarëve në transmetimet audiovizive”.

Në Tryezë ishin të ftuar përfaqësues nga të gjitha grupet e interesit: gazetarë, drejtues mediash, nga shoqatat dhe organizatat e tyre, anëtarë të parlamentit, profesorë të gazetarisë, institucionet shtetërore që mbulojnë aspekte të punësimit etj.

Ka kohë që për çështjen e rregullimit të marrëdhënieve të punës në mediat audiovizive janë të njohura problematika të hasura si, niveli i kushteve të punës së gazetarëve, format e rekrutimit dhe largimit nga redaksia, mosshlyerja në kohë e pagesave nga punëdhënësi, organizimi i gazetarëve ose mosorganizimi në shoqata, funksionaliteti i tyre etj.

Në Tryezë pati qëndrime të ndryshme nga diskutantët, por e përbashkëta ishte se tashmë pas rreth 28 viteve nga fillimet demokratike në vend, ka ardhur koha për veprime konkrete për të siguruar lirinë e medias. Pa një gazetar të sigurtë në punë nuk mund të kemi media të lirë dhe pluraliste, u tha nga diskutantët.

Kryetari i Autoritetit të Mediavë Audiovizive, z. Gentian Sala, në fjalën e tij theksoi se është e rëndësishme për lirinë dhe integritetin e medias standardi i burimeve njerëzore në median audiovizive. Ai evidentoi faktin se nga organizatorët e Tryezës priteshin propozime konkrete në lidhje me adresimin e problemeve, të cilat do të ishin gur themeli për ushtrimin e lirë të profesionit të gazetarit në vend. Nga ana tjetër, “AMA do të bëjë çështë e mundur në rrugë  ligjore, në bashkëpunim me gjithë aktorët e tjerë institucionalë, që të rregullojnë kushtet dhe shumë shpejt ata të kenë në dorë kontratën tip si fillim dhe më vonë kontratën kolektive”.

Znj. Albana Vokshi, Kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, dha nga ana e saj garancinë së Komisioni është vullnetplotë që të ndihmojë në përmirësimin e punës së gazetarëve në vend, mendim i cili u mbështet edhe nga Znj. Milva Ekonomi, zëvendëskryetare e Komisionit. Znj. Vokshi siguroi për solidaritet me gazetarët, duke qënë se ata janë rojtarët e shtetit të së drejtës. Ajo denoncoi rastet kur gazetarët, sipas saj, kanë qënë të censuruar dhe dha alarmin se gazetaria investigative është në  kushte jo të mira. Ajo theksoi se një gazetar me punë të keqrregulluar është një vegël në duart e pushtetit. Znj. Vokshi kërkoi nga institucionet kompetente monitorimin e punës së gazetarëve dhe transparencë nga ana e mediave të cilat janë punëdhënëse. Palët me ndikim duhet t’i kapërcejnë axhendat politike dhe të kenë vullnet për të siguruar media të lirë, përsëriti në Tryezë znj. Vokshi.

Znj. Milva Ekonomi, zëvendëskryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, në ndërhyrjen e saj theksoi mungesën e organizmeve sindikale nga ana e gazetarëve, por kjo shkon bashkë me një organizmim të dobët që kanë sindikatat në Shqipëri. Modeli i ri i mediave nuk të jep hapësirë për pavarësi editoriale dhe për këtë duhet të ndërhyehet në ligjet që kanë lidhje direkt me punën e gazetarëve, në të njëjtëm kohë duke forcuar rolin edhe rolin e Inspektoriatit të Punës.

Z. Claus Neukirch, Shefi i Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, përmendi se produkti mediatik është puna e gazetarëve. Puna e tyre është në mënyrë të paevitueshme e ndikuar nga kushtet e punës. Ai nënvizoi se institucionet shtetërore dhe aktorët mediatike kanë për detyrë sigurimi e këtyre kushteve minimale për të pasur më pas një media më të shëndetshme, të pavarur dhe të lirë. Z. Neukirch tha se Këshilli i Evropës do të mbështesë iniciativa të tilla si ajo e AMA-s dhe Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik për të ndryshuar situatën.

Z. Musa Ulqini, anëtar i Komisionit për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik, vuri theksin se kontrata tip dhe ajo kolektive duhet të ishin qëllimi i tavolinës, po ashtu edhe krijimi i një sindikate për të ndjekur modelin italian apo edhe të vendeve të tjera perëndimore duke krijuar edhe urdhërin e gazetarëve. Znj. Eda Beqiri, nga Inspektoriati i Punës, tha se ekziston vetëm një Vendim i Këshillit të Ministrave, duke iu referuar Vendimit nr. 358, datë 25.03.1996, i cili rregullon punën e gazetarit. Ajo ofroi bashkëpunim për përmirësimin praktik të këtij kuadri rregullator. Drejtori i Programeve në AMA, z. Arben Muka, prezantoi treguesit konkretë të burimeve njerëzore të angazhuara, të cilat autoriteti i bën transparent për publikun në versionin print ose online.

Nga ana tjetër, z. Mark, Marku, nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në UT, tha se Departamenti krijon premisa për gazetarë të mirë, por, ai nuk krijon gazetarët, ata krijohen duke ushtuar profesionin në redaksi, prandaj kushtet e punës janë të rëndësishme për të krijuar gazetarë të mirë dhe për rrjedhojë media cilësore.

Si nga Z. Blendi Salaj, nga Qendra Media Aktive, ashtu edhe nga z. Armand Shkullaku nga Shoqata e Gazetarëve Profesionistë, u ngritën problemet e punës së gazetarëve në punën e tyre të përditshme. Mosshlyerja e pagave në kohë, mungesa e kontratave tip dhe atyre kolektive, mungesa e urdhërit të gazetarit, ndërrimi i shpeshtë i stafit të redaksisë pa arsye të arsyeshme, paga minimale, mungesa e përshkrimeve të punës, oraret e zgjatura tej kushteve njerëzore në punë, janë ndër arsyet praktike dhe të prekshme që pse Shqipëria ka akoma probleme me lirinë e medias dhe integritetin e saj. Këto mendime u përkrahën edhe nga pedagogia e gazetarisë dhe komunikimit, znj. Iris Luarasi si dhe zëvendëskryetari i AMA-s z. Sami Neza.

Gjatë seancës përmbyllëse të këtij takimi, rreth 90 minuta kur Tryeza kishte filluar nga puna, u paraqit për të marrë pjesë dhe z. Aleksandë Çipa, Kryetari i Unionit të Gazetarëve në Shqipëri, i cili pasi u njoh me agjendën refuzoi të merrte pjesë në diskutim, duke braktisur takimin, me arsyetimin, siç tha ai, “që nuk i figuronte emri në agjendën e eventit”. Por nga organizatorët u sqarua se kishte një komunikim zyrtar mes AMA-s dhe Unionit, ku ishin ndjekur të gjitha procedurat për pjesmarrje dhe angazhim në axhendë. Por nga Unioni një herë ishte konfirmuar pjesmarrja dhe një herë tjetër, po me shkrim, ishte anuluar pjesëmarrja.

Në përfundim  të tryezës u ra dakord se brenda muajit maj 2018 AMA do të pasqyronte në një material të përmbledhur të gjitha propozimeve dhe sugjerimeve konkrete të Tryezës, në mënyrë që ato të adresohen për shqyrtim dhe rrugëzgjidhje në institucionet përkatëse.

Autoriteti i Mediave Audioviozive                                                  

Tiranë, më 11.05.2018

Perpara AMA dënon dhunën ndaj gazetarëve dhe medias

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara