E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Organizohet takimi i katërt mbi ndryshimet në ligjin e AMA-s dhe AKEP-it

Sot, më datën 11 janar 2019, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), organizuan takimin e katërt të diskutimit mbi ndryshimet në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar” dhe në ligjin nr. 9918, datë 19.5.2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”.

Në takim morën pjesë përfaqësues të mediave elektronike, drejtues të lartë nga Ministria e Drejtësisë, Avokati i Popullit, institucioneve të tjera publike, përfaqësues të organizmave ndërkombëtare si dhe të shoqatave që në fokus të punës së tyre kanë median por edhe të drejtat e njeriut.

Takimi i katërt ishte në vazhdën e tre takimeve të mëparshëm. Zv. Ministria e Drejtësisë, Znj. Teuta Vodo, ftoi të gjitha palët të shprehnin komentet dhe rezervat e tyre në lidhje me këto projektligje dhe u shpreh bashkëpunuese për të përmirësuar projektaktet e hedhura për diskutim. Znj. Vodo njohu pjesëmarrësit me një sërë vendimesh gjyqësore të gjykatave të vendeve evropiane me objekt trajtimin e “Fake News”.

Avokati i Popullit, znj. Erinda Ballanca, e pranishme në takim dha mesazhin se çdo individ që shprehet publikisht, në median online dhe audiovizive duhet të jetë i përgjegjshëm dhe të mbajë përgjegjësi për atë që shkruan dhe publikon. Znj. Ballanca, njohu nevojën për rregullim të medias online, nëpërmjet akteve ligjore, por mbrojti idenë se vetërregullimi apo një organ tjetër jashtë AMA-s, mund t’a kryejë këtë funksion. Ajo theksoi se është përgjegjësia e secilit, konfirmimi i “faktit” të cilin e publikon dhe t’a ndajë atë nga “opinioni”.

Z. Besar Likmeta, përfaqësues i BIRN Albania, u shpreh kundër miratimit të ndryshimeve të propozuara, duke theksuar që këto akte cënojnë lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes. Z. Likmeta theksoi se për momentin në Shqipëri nuk ka fluks të fakenews por ka fluks të propagandës së qeverisë dhe pushtetit. Projektligjet janë të padenja, nga mënyra sesi trajtohen qytetarët, shtoi ai.  Z.Elvin Luku, studiues i medias dhe përfaqësues i “Medialook” ngriti problemin se projektligji nuk mbështetet në asnjë studim që përkon me realitetin mediatik shqiptar, e për rrjedhojë parashikon dhe praktika e gjoba abuzive, jopropocionale në raport me mediat tradicionale, të cilat çojnë në mbylljen e pashmangshme të portaleve.

Z. Luku tha se të gjitha qendrat mediatike dhe organizatat e kanë refuzuar këtë ligj që në frymë, sepse cilësohet si censurues. Në projektligjet e propozuara nuk ka koncepte të gazetarisë dhe sidomos të mediave online. Projektligji shkon përtej medias online dhe kërkon të preket gjithçka kalon në internet.

Z. Altin Azizaj, nga Qendra për të Drejtat e Fëmijëve, tha se të dyja projektligjet mbajnë peshë politike. Ai duke theksuar se është i nevojshëm rregullim ligjor i medias online, vuri në dukje problematikat e dy projektakteve, duke filluar me përkufizimet, formësimi i regjistrit, masa e gjobave, bllokimi i faqeve, apo çfarë ndodh me faqet online që vetëm ripublikojnë.

Znj. Alma Tandili nga Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës tha se agjencia është pro projektligjeve. Së shpejti do të thërrasim një konferencë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe transmetimet mbi ta, tha Znj. Tandili sepse për ne është problem sesi trajtohen fëmijët në median online.

Kryetari i AMA-s, Z. Gentian Sala i ftoi të gjithë të pranishmit të jepnin mendimet e tyre. Gazetarët janë të qëndrimit mosbesues ndaj institucioneve publike, tha Z. Sala, por në fakt parimet e paraqitura në projektin e propozuar mbeten të njëjta me ato që aplikohen në median audiovizive.

Të gjitha shqetësimet do t’i paraqiten të përmbledhura Ministrisë së Drejtësisë.

 

Autoriteti i Mediave Audiovizive                                                                                            

Tiranë, më 11.01.2019

Perpara Transmission of surreptitious advertising or abuse with the audio-visual communications on health care and medicinal products by AMSPs is prohibited

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara