E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Njoftim për shtyp në lidhje me shqetësimin e operatorit Ora News

Njoftim për shtyp në lidhje me shqetësimin e operatorit Ora News

 

Që në fillim, kërkojmë të sqarojmë operatorin Ora News dhe mbi të gjitha opinionin publik se aksioni i ndërmarrë nga Autoriteti i Mediave Audiovizive nuk ka në fokus mbylljen e asnjë operatori televiziv.

Ky aksion është ndërmarrë për të ndërprerë transmetimet nga frekuenca numerike të cilat janë zënë në kundërshtim me ligjin 97/2013 “Për mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë”. Operatori Ora News, ashtu si çdo operator tjetër televiziv, vazhdon të transmetojë në frekuencën analoge dhe do të filloje të transmetojë në teknologjinë numerike duke u mbështetur në rrjetin numerik të RTSH ose të operatoreve Privat Kombëtarë sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.

AMA, bazuar në kuadrin ligjor e nënligjor në fuqi, ka vepruar dhe po vepron në mënyrë transparente për realizimin e procesit të digjitalizimit të transmetimeve audiovizive si dhe zgjidhjen e ngërçit të krijuar nga zënia në mënyrë të jashtëligjshme e frekuencave televizive nga operatorë të ndryshëm audiovizive, çka pengon seriozisht mbarëvajtjen e këtij procesi.

Zënia e këtyre frekuencave, përveçse përben shkelje ligjore, ekspozon ndjeshëm Shtetin Shqiptar në mos respektimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare të Geneve06, të ratifikuar nga Parlamenti shqiptar, si dhe pengon direkt zbatimin e rekomandimeve të lëshuara në Progres raportin e Bashkimit Evropian.

Nisur nga sa më lart dhe në kuadër të ushtrimit të detyrave dhe kompetencave ligjore, AMA ka njoftuar zyrtarisht në datat 09/11, 01/12 dhe 28/12 të vitit 2016 të gjithë operatorët ofrues të shërbimeve audiovizive në Republikën e Shqipërisë të cilët emetojnë nga pika transmetimi dhe frekuenca të paautorizuara, që të marrin masat e duhura për lirimin e frekuencave të zëna arbitrarisht dhe pa licencë brenda datës 31/12/2016.

AMA-s i janë përgjigjur pozitivisht operatorët Tring Tv duke liruar frekuencën në kanalin 59, Top Channel në kanalin 51, dhe Shijak TV në kanalin 24, ndërkohë operatori News 24, për arsye teknike, ka kërkuar të lirojë frekuencën në kanalin 31 në datë 15/01/2017.

Subjekti Ora News është i vetmi operator qe nuk i është përgjigjur thirrjes së AMA-s për lirimin e frekuencës në kanalin 55, e cila është zënë nga ky operator në kundërshtim me kuadrin ligjor ne fuqi.

Si rezultat i zënies se frekuencave në mënyrë të paautorizuar, operatorët e licencuar si platforma kombëtare numerike në muajin Prill 2016, TV Klan, Digitalb dhe Top Channel, nuk mund të kalojnë në frekuencat kombëtare të lëshuara në licencat përkatëse, ndërkohë që kanë paguar detyrimin vjetor për këto frekuenca i cili rezulton në shumën totale prej 27’600’000 Lekësh të reja.

Operatori publik RTSH nuk ka liruar ende frekuencën në kanalin 53, edhe pse në takimet në nivel teknik ka deklaruar se është duke marrë masat dhe po kryen veprimet teknike për lirimin e saj.

Për të gjithë operatorët të cilët nuk kanë reaguar ende, AMA do të vijojë me verifikimet në vend dhe do të ndërmarrë të gjitha masat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 12.01.2017

Perpara Njoftim për ndërprerjen e menjëhershme të transmetimetimeve të paligjshme

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2021 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara