MBI MOSRESPEKTIMIN E AFATEVE TË PROCESIT TË DIGJITALIZIMIT

                                                                                     
                                                                                                                                                                             REPUBLIKA E SHQIPËRISË
                                                                                                                                             AUTORITETI I MEDIAVE AUDIOVIZIVE
                                                                                                                      Adresa:Rruga “Abdi Toptani”, Tiranë                 Tel.+355 4 2226288,          www.ama.gov.al

 

      MBI MOSRESPEKTIMIN E AFATEVE TË PROCESIT TË DIGJITALIZIMIT

 Procesi i digjitalizimit është një proces gjithëpërfshirës,  me ndikime të drejtpërdrejta  në fushën e transmetimeve audiovizive dhe prek pjesën më të madhe të popullsisë shqiptare përmes  pasojave  të  tij  të  pashmangshme       ekonomike,  teknike  e  shoqërore.  Kalimi  nga sistemi analog në atë numerik do të paraqesë sfida dhe                    problematika për audiencën, për operatorët audiovizivë dhe për strukturat shtetërore.  Autoriteti i Mediave Audiovizive është autoriteti përgjegjës për administrimin e spektrit të frekuencave për  transmetime audiovizive, me detyrën për të luajtur rolin kryesor në procesin e kalimit nga transmetimet analoge   në ato numerike referuar ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” dhe Vendimit të    Këshillit të Ministrave nr. 292, datë 02.05.2012 “Për miratimin e Strategjisë së Kalimit nga Transmetimet Analoge në Transmetimet Numerike”. Bashkëpunimi efikas mes strukturave shtetërore, palë në procesin e digjitalizimit,   operatorit publik dhe atyre privatë, vlerësohet si faktor kryesor në realizimin e procesit të kalimit në transmetimet     numerike.Përmbushja e procesit të digjitalizimit kalon në tre komponentë të rëndësishëm dhe faktorët e realizimit të tyre janë të ndërthurur me njëri-tjetrin, konkretisht: 1. Digjitalizimi i rrjeteve analogë tokësorë të transmetuesit publik  2. Digjitalizimi i rrjeteve analogë tokësorë të operatorëve privatë kombëtarë. 3. Digjitalizimi i rrjeteve analogë tokësorë të operatorëve ekzistues analogë vendorë.  Transmetuesi publik (RTSH) ka rol kyç në procesin e kalimit në transmetimet numerike si mbështetësi kryesor i programeve të operatorëve ekzistues analogë vendorë. Prandaj AMA ka miratuar me përparësi frekuencat e Planit Numerik të dy rrjeteve numerike të RTSH-së. Vonesat në ndërtimin e rrjeteve të RTSH-së pengojnë digjitalizimin e operatorëve privatë vendorë si dhe shkaktojnë një sërë problemesh për digjitalizimin e rrjeteve numerike private kombëtare. Kalimi i operatorëve privatë vendorë në rrjetet e RTSH-së do të lirojë dhe disa frekuenca të rezervuara për ndërtimin e rrjeteve të operatorëve historikë kombëtarë, që do të licencohen sipas procedurës së beauty contest. Lidhur me digjitalizimin e rrjeteve analogë tokësorë të operatorëve privatë kombëtarë sipas procedurës së beauty contest, AMA, në fillim të vitit aktual, rinisi procesin e konsultimit me subjektet historike kombëtare dhe ata me eksperiencë në transmetimet numerike. Ky proces kishte qenë i bllokuar për shkak të vendimeve gjyqësore. Aktualisht, aplikimet e paraqitura janë në fazën e shqyrtimit të dokumentacionit. AMA do të shprehet me vendim për dhënien ose mosdhënien e licencës së transmetimit audioviziv kombëtar brenda një afati 60 ditor nga paraqitja  e  aplikimit.  Licencimi  i  subjekteve  të  sipërcituara  është  vetëm  njëri  aspekt  i çështjes së lirimit të brezit të frekuencave, pasi ky objektiv është i ndërvarur, gjithashtu, nga procesi i ndërtimit të rrjeteve numerike të RTSH-së.AMA ka njoftuar Kuvendin e Shqipërisë, Kryeministrinë, Ministrinë për Inovacionin dhe Administratën Publike, AKEP-in, RTSH-në dhe subjektet audiovizive, për problematikat që ndikojnë  drejtpërdrejt  në  zvarritjen  e  procesit  të  digjitalizimit  si:  kërkesa  imediate  për fillimin e ndërtimit të rrjeteve numerike të RTSH-së, plotësimi i një vendi ende vakant në Këshillin e AMA-s dhe kthimi i funksionalitetit të tij edhe për vendimmarrje që kërkojnë shumicë të cilësuar.Për gjithë sa u trajtua më lart, pavarësisht masave të marra nga institucioni ynë, është i pamundur implementimi i plotë i strategjisë së kalimit në transmetimet numerike dhe afati përfundimtar  i  mbylljes  së  transmetimeve  analoge,  17  qershor  2015,  nuk  mund  të respektohet. Shtyrja e këtij afati, vonesat në procesin e digjitalizimit, përveçse do të shoqërohen me kosto financiare,   kanë për rrjedhojë mospërmbushjen e angazhimeve ndërkombëtare të shtetit shqiptar.AMA,  duke  konsideruar  me  përparësi  realizimin  e  objektivave  të  lartpërmendura  dhe zgjidhjen e problematikave përkatëse, kërkon angazhimin e palëve të përfshira në procesin e digjitalizimit për një bashkëpunim serioz dhe koordinim proaktiv për finalizimin me sukses të këtij procesi.

Tiranë, 15 Qershor 2015
Autoriteti i Mediave Audiovizive
Perpara Takimi i parë me operatorët televizivë vendorë mbi ecurinë e procesit të digjitalizimit

Leave Your Comment