Autoriteti i Mediave Audiovizive organizon tryezën e diskutimit: Transmetimi i reklamave dhe komunikimeve tregetare – dukuri dhe qasje ligjore ne tregun audioviziv

Autoriteti i Mediave Audiovizive organizon tryezën e diskutimit: Transmetimi i reklamave dhe komunikimeve tregetare – dukuri dhe qasje ligjore ne tregun audioviziv

Autoriteti i Mediave Audiovizive organizoi, të enjten, datë 16 mars tryezën e diskutimit me temë: Transmetimi i reklamave dhe komunikimeve tregetare – dukuri dhe qasje ligjore ne tregun audioviziv. Kjo tryezë diskutimi vjen pas një sërë hapash që AMA ka ndërmarrë në zbatimin e plotë të ligjit dhe rolit të saj në hapësirën audiovizive.

Hapësira e reklamave dhe komunikimeve tregtare ka qenë dhe mbetet një ndër fokuset kryesore të AMA-s për të nxitur subjektet audiovizive në respektimin e kuadrit ligjor në fuqi, në shërbim të informimit dhe orientimit sa më të mirë të publikut. Problematikën që haset në këtë aspekt, Autoriteti e ka bërë prezent në komunikimet shkresore dhe të drejtpërdrejta me OSHMA-të.

Kryetari i Autoritetit të Mediave Audiovizive gjatë kësaj tryeze Z. Gentian Sala tha se ky takim është vazhdë e filozofisë së AMA-s për partneritet me OSHMA-të, si një zgjedhje që forcon zbatueshmërinë e kuadrit legjislativ, që ndikon drejtpërdrejt në aktivitetin dhe performancën e vetë subjekteve audio dhe audiovizive, që ka efekte dhe impakt pozitiv tek publiku.

Drejtori i Programeve në AMA, Z. Arben Muka tha se nga fundi i vitit 2015 dhe gjatë vitit 2016-të dhe në vijim aspekti i emetimit të reklamave dhe komunikimeve tregtare nga OSHMA-të është në listën e prioriteteve për Autoritetin.

Në këtë takim ishin të ftuar aktorë të cilët kanë rol thelbësor në përmbushjen dhe bashkërendimin e forcave për rregullimin e tregut të reklamave: Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, ku Znj. Ina Verzivolli foli për “Reklamat dhe mbrojtjen e të miturve, përmirësimet ligjore në këtë aspekt”, Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë, ku Z. Fatmir Brahimaj foli për “Promocionin audioviziv për shëndetin dhe respektimin e Kodit të etikës dhe deontologjinë mjekësore”, nga Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë, Znj. Diana Toma foli për “Rekomandimet për barnat përmes transmetimeve audiovizive”.

Z. Brahimaj, President i Urdhrit të Mjekut, theksoi se ai është i vendosur që të bashkëpunojë për vendosjen e besimit pacient-mjek, sigurimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor, ruajtjen me ndërshmëri të profesionit mjekësor dhe parandalimin e ushtrimit të tij në mënyrë të pandershme.

Znj. Toma, Presidente e Urdhrit të Farmacistëve tha se ka angazhim të plotë nga ana e këtij urdhri që të ketë rigorozitet në zbatim të të gjitha rregullimeve në përmbushjen e etikës.

Znj. Ina Verzivolli, tha se është e angazhur që të rrisin rolin promovues të të drejtave të fëmijëve në media.

Ky takim ishte një rast shumë i mirë për prezantimin e gjetjeve dhe dukurive të evidentuara gjatë monitorimeve të përmbajtjeve të emetuara nga subjektet audiovizive: mënyrat e menaxhimit të hapësirës promocionale dhe impakti tek audienca; reklamat dhe mbrojtja e fëmijëve; promocioni audioviziv për shëndetin dhe rekomandimi për barnat përmes transmetimeve audiovizive etj.

Në tryezë merrnin pjesë: përfaqësues nga Instituti i Medias, Departamenti i Gazetarisë, OSHMA-të lokale dhe kombëtare, organizatat dhe partnerët ndërkombëtar në vend. Kjo tryezë e parë me ketë fokus do të pasohet nga tryeza të tjera të cilat do të dalin me rekomandime dhe masa më konkrete.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 16 Mars 2017

Perpara Goditja ndaj gazetarit, kërcënim ndaj fjalës së lirë