Këshilli i Ankesave

Ligji nr. 97/2013 “ Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” përcakton se Këshilli i Ankesave caktohet nga AMA me shumicë të cilësuar dhe përbëhet nga:

Kryetari i Këshillit të Ankesave dhe dy anëtarë të Këshillit të Ankesave, specialistë të fushës së medias.

Kryetari dhe anëtarët emërohen për një periudhë 3-vjeçare, me të drejtë riemërimi jo më shumë se një herë.

Këshilli i Ankesave ka për objekt të punës mbikëqyrjen e zbatimit të kodit dhe rregulloreve të miratuara nga AMA, që kanë të bëjnë sidomos me respektimin e dinjitetit e të drejtave të tjera themelore të njeriut, në mënyrë të veçantë mbrojtjen e të miturve, të drejtës për informacion dhe sensibilizimit të opinionit publik, lidhur me respektimin e normave morale dhe etike në programet e ofruesve të shërbimeve audiovizive.

Funksionet kryesore të Këshillit të Ankesave, në përmbushje të objektit të punës së tij:

  1. të mbikëqyrë zbatimin e kodeve dhe rregulloreve nga OSHMA-të dhe RTSH-ja, sipas përcaktimeve të ligjit;
  2. të shqyrtojë ankesat e publikut;
  3. Të ndjekë në mënyrë periodike masën, në të cilën programet e një transmetuesi të huaj, të cilët tërësisht ose kryesisht u drejtohen spektatorëve në Republikën e Shqipërisë ekskluzivisht për qëllime informative, përputhen me kodet e transmetimit;
  4. të organizojë anketime të publikut për problemet etike të programeve. Përfundimet që nxjerr nga studimi i anketimeve dhe nga ankesat e publikut ia raporton AMA-s, duke sugjeruar masat për përmirësim. Përfundimet mund të publikohen edhe në mjetet e informimit publik;
  5. të botojë, çdo 6 muaj një përmbledhje të përfundimeve të nxjerra, në një buletin të veçantë që botohet nga AMA.

Përbërja e Këshillit të Ankesave

KRYETAR

Mirela Oktrova, ka studjuar Gjuhë-Letërsi në UT dhe Shkenca Teatrore në ILA Tiranë, Gjuhësi të Përgjithshme, Histori të Evropës Juglindore dhe Psikologji në Universitetin e Bonit, Manaxhim Mediash në Universitetin e Këlnit dhe ka mbrojtur doktoratën në Estetikë të Krahasuar (Teatër dhe Media). Është titullare e lëndëve të Komunikimit, Manaxhimit të medias, Të folurit në publik, Historisë dhe Estetikës së teatrit. Ka punuar si pedagoge në ILA (1987-1991), gazetare dhe producente në Deutsche Welle – Këln (1992-2003), përfaqësuese e Agjensisë Gjermane të Lajmeve (dpa) (2005-2006), themeluese dhe drejtuese e Institutit të Studimeve të Medias Opinionit dhe Komunikimit (2005-2006, 2016-2022), drejtore e Televizionit Shqiptar (2006-2016), ), themeluese dhe drejtuese e Departamentit të Arteve të Aplikuara në UET (2016-2019), pedagoge në UT (2008 – në vijim), Drejtore Artistike e DEA OPEN AIR International Filmfestival (2014 – në vijim). Është autore monografish, studimesh, artikujsh dhe rubrikash në shtypin e shkruar, ciklesh televizivë dhe filmash dokumentarë si edhe veprimtare e angazhuar e shoqërisë civile për barazinë gjinore dhe të drejtat e fëmijëve.

e-mail: mirela.oktrova@ama.gov.al

ANETAR

Olsjan Laskaj është diplomuar në Perugia, Itali në vitin 2010 në Shkenca Komunikimi në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë. Në vitin 2016 ka mbrojtur studimet e Masterit Shkencor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në (UET) Universitetin Europian të Tiranës. Ka një eksperiencë të gjatë në median audiovizive si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor lajmesh, në disa televizione nga viti 2012 deri në 2025.

Email: olsjan.laskaj@ama.gov.al

ANETAR

Blerta Mrishaj është diplomuar për Gazetari në Departamentin e Gazetarisë, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, në Universitetin e Tiranës në vitin 2008.Më tej, ka mbrojtur studimet e Masterit Shkencor për Menaxhim Mediatik, po pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, UT.Në vitin 2015 ka përfunduar studimet e Masterit Profesional në Fakultetin e Shëndetit Publik, në Universitetin e Mjekësisë Tiranë.Znj.Mrishaj ka një eksperiencë të gjatë në fushën e medias, ku ka qenë pjesë e redaksive të gazetave si “Standard”, “Mapo” dhe “Liberale”. Gjithashtu ka punuar në zyrat e shtypit të disa institucione publike, duke kontribuar në komunikimin institucional dhe marrëdhëniet me publikun.

Email: blerta.mrishaj@ama.gov.al

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2025 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara

Mirembahet nga INSTANT.AL