Takimi i 41 i Platformës Evropiane të Autoriteteve Rregullatorë, EPRA

Takimi i 41 i Platformës Evropiane të Autoriteteve Rregullatorë, EPRA

Në datat 14-15 Maj u zhvillua në Bern të Zvicrës Takimi i 41 i Platformës Evropiane të Autoriteteve Rregullatorë, EPRA. Në këtë aktiviteti ishte pjesëmarrës dhe një delegacion nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA në përbërje të të cilit ishin Z. Gentian Sala, Kryetar i AMA-s, Z. Gledis Gjipali, Anëtar i Bordit dhe Z. Dritan Xhelili, Drejtor i Kabinetit.
Çështjet kryesore që u diskutuan lidheshin me sigurimin e një ekosistemi të qëndrueshëm në përmbajtjen e mediave Evropiane, duke u fokusuar në mënyrë të veçantë rreth aspekteve të konsumit dhe shpërndarjes, si mbi iniciativat aktuale që kanë për qëllim monitorimin e pluralizmit të mediave.

 

Me qëllim që çështjet e diskutuara të shiheshin më në themel nga institucionet partnere, gjatë takimit u krijuan grupe pune paralele me autoritetet rregullatorë të vendeve të ndryshme pjesëmarrës në takim, në mënyrë që të shkëmbenin eksperiencat e tyre duke u fokusuar në:

  • Përcaktimin e fushëveprimit të shërbimit publik dhe çështjeve financiare gjatë epokës digjitale;
  • Tendencat dhe sfidat në komunikimet komerciale audiovizuale;
  • Rregullatorët dhe mënyrat kërkimore me fokusin në çështjet që lidhen me mbledhjen dhe analizimin e të dhënave për të siguruar një “dëshmi-bazë” në mënyrë që këta rregullatorë të përmbushin qëllimet e tyre.

Në kuadër të prioritetit në fushën e programacionit AMA mori pjesë në grupin e dytë të punës duke marrë eksperiencat e duhura në fushën e komunikimeve komerciale audiovizuale.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 14-15 maj 2015

 

Tryeza per digjitalizimin

Prezantimi i kryetarit të AMA-s, z. Gentian Sala, në tryezën “Komunikimi Digjital – Maksimizimi i Shfrytëzimit të Spektrit, Mundësitë dhe Sfidat”

Ditën e premte, më 20 mars 2015, në Tiranë u zhvillua tryeza me temë “Komunikimi Digjital – Maksimizimi i Shfrytëzimit të Spektrit, Mundësitë dhe Sfidat”, ku ishte i pranishëm dhe kryeministri z. Edi Rama, anëtarë të kabinetit të tij qeveritar, përfaqësues nga Kuvendi i Shqipërisë dhe institucioneve që janë të përfshira në këtë proces, drejtues dhe diplomatë nga delegacionet e BE, OSBE, KiE dhe ambasada të akredituara në Shqipëri, ekspertë, studiues etj.

Në një nga seancat e tryezës, kryetari i AMA-s, z. Gentian Sala, prezantoi aktivitetin e Autoritetit në procesin e kalimit të transmetimeve nga analoge në ato numerike,  duke e konsideruar si një moment shumë të  rëndësishëm, për realizimin e të cilit shteti shqiptar ka marrë angazhime bazuar në legjislacionin kombëtar dhe atë ndërkombëtar. “AMA është përgjegjës për administrimin e hallkave të rëndësishme të këtij procesi, si licencimi dhe përgatitja e dokumentacionit teknik për ndërtimin e rrjeteve numerike të transmetuesit publik, licencimi i operatorëve privatë kombëtarë, rajonalë e lokalë dhe kalimi në transmetimet numerike të të gjithë operatorëve privatë lokale.”- tha z. Sala.

Ai theksoi faktin se me plotësimin e vendeve vakante të AMA-s gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar, institucioni vijon të angazhojë të gjitha burimet e nevojshme në përmbushjen e detyrimeve ligjore, duke hartuar një plan konkret pune, ku janë të datajizuara përgjegjësitë dhe afatet kohore, si dhe burimet e nevojshme për përmbushjen e objektivave që kërkon procesi i digjitalizimit. Plani është publikuar dhe në website-n e Autoritetit.

Gjithashtu për njohjen e publikut me problematikën që lidhet me procesin e kalimit nga transmetimet analoge në ato numerike, z. Sala tha se AMA është duke detajuar fushatën për informimin e publikut, duke ngritur një strukturë call center, e cila do të ofrojë për qytetarët, në çdo moment, sqarimet dhe asistencën e nevojshme mbi  aspektet e këtij procesi të rëndësishëm.

Tiranë, më 20 mars 2015

Autoriteti i Mediave Audiovizive

fotooo

Nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit për transmetimet audiovizive mes AMA-s dhe Komisionit të Pavarur të Medias në Republikën e Kosovës

Shqipëria dhe Kosova bashkëpunojnë për transmetimet audiovizive

Më datë 6 mars 2015, në Tiranë, u nënshkrua zyrtarisht Marrëveshja e Bashkëpunimit mes Autoritetetit të Mediave Audiovizive të Shqipërisë, AMA dhe Komisionit të Pavarur të Medias në Republikën e Kosovës, KPM.
Marrëveshja u nënshkrua nga dy drejtuesit e institucioneve, përkatësisht z. Gentian Sala, Kryetar i AMA-s dhe z. Adnan Merovci, Kryetar i KPM. Dy autoritetet, sipas marrëveshjes, kanë shprehur gatishmërinë për të promovuar zhvillimin e lidhjeve përmes një bashkëpunimi intensiv reciprok në fushën e rregullimit audioviziv, duke u angazhuar të kooperojnë mes tyre, për t’i shërbyer sa më mirë interesit të qytetarëve dhe bashkëkombësve në të dy shtetet, në plotësim dhe të standardeve në fushën e mediave audiovizive.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 6 mars 2015

Perpara Takim zyrtar me delegacionin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri

Leave Your Comment