E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Shqipëria dhe Kosova bashkëpunojnë për transmetimet audiovizive

Shqipëria dhe Kosova bashkëpunojnë për transmetimet audiovizive

Më datë 6 mars 2015, në Tiranë, u nënshkrua zyrtarisht Marrëveshja e Bashkëpunimit mes Autoritetetit të Mediave Audiovizive të Shqipërisë, AMA dhe Komisionit të Pavarur të Medias në Republikën e Kosovës, KPM.

Marrëveshja u nënshkrua nga dy drejtuesit e institucioneve, përkatësisht z. Gentian Sala, Kryetar i AMA-s dhe z. Adnan Merovci, Kryetar i KPM. Dy autoritetet, sipas marrëveshjes, kanë shprehur gatishmërinë për të promovuar zhvillimin e lidhjeve përmes një bashkëpunimi intensiv reciprok në fushën e rregullimit audioviziv, duke u angazhuar të kooperojnë mes tyre, për t’i shërbyer sa më mirë interesit të qytetarëve dhe bashkëkombësve në të dy shtetet, në plotësim dhe të standardeve në fushën e mediave audiovizive.

 

Tiranë, më 6  mars 2015

Autoriteti i Mediave Audiovizive

marreveshja_shqiperi_kosove

Autoriteteti i Mediave Audiovizive të Shqipërisë dhe Komisioni i Pavarur i Medias në Republikën e Kosovës do të zhvillojnë takime në baza të rregullta, duke u fokusuar në mënyrë të veçantë ne fushën e shkëmbimit të përvojave respektive të strategjive kombëtare të kalimit nga transmetimet analoge në ato numerike, si dhe për përshtatjen e legjislacioneve respektive me standardet evropiane dhe praktikat më të mira.

Dy institucionet do të punojnë së bashku për hartimin e akteve nënligjore përkatëse; menaxhimin e frekuencave; rregullimin e çështjeve të përmbajtjeve të programeve; respektimin e normave etike dhe mbrojtja e të miturve; shkëmbimin e përvojës së monitorimit të programeve dhe vlerësimin e përmbajtjes së programit; mbrojtjen e të drejtës së transmetimit dhe mbrojtjen e të drejtës së autorit etj.

Bazuar në Marrëveshjen e nënshkruar mes tyre, AMA dhe KPM do të punojnë dhe për mundësinë e ofrimit të shërbimeve audio dhe audiovizive në baza ligjore reciproke, si dhe çështje që lidhen me shërbimin e transmetimit publik, rolin e transmetuesit publik në erën digjitale; shkëmbimin e përvojave për transmetimet me akses të kushtëzuar, metodologjinë e monitorimit për kuotat e transmetimit të veprave audiovizuale evropiane, shkëmbimin e informacionit për operatorë të ndryshëm që transmetojnë në mënyrë të ndërsjellë në Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës.

Një grup i përbashkët punës, që do të mblidhet dy herë në vit, do të ndjekë zbatimin e Marrëveshjes, ndërkohë që format bashkëpunuese të parashikuara janë pjesëmarrje e ekspertëve të dy palëve në takime, konferenca dhe tavolina të rrumbullakëta, veprimtari, këshillime, iniciativa për të evidentuar përvojën e palëve në fushën e mediave audiovizive, si dhe organizim trajnimesh, me pjesëmarrjen e ekspertëve nga Shqipëria dhe Kosova, realizim të projekteve të përbashkëta në fushën e monitorimit dhe analizës së programeve, monitorimit dhe planifikimit të frekuencave etj.

Perpara Komunikimi me publikun, konferenca, takime

Leave Your Comment

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara