E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Deklarata e kryetarit te AMA

 Deklarata e Kryetarit të AMA

Të nderuar punonjës dhe profesionistë të medieve audiovizive në Shqipëri, të nderuar gazetarë: Dëshiroj ta nis mandatin tim me një mirënjohje për të gjithë ju dhe me një falënderim për gjitha sa keni bërë, në kushte që nuk kanë qenë gjithnjë të dëshirueshme, në 15 vitet e fundit.

Të gjitha këto arritje janë bërë falë punës së palodhshme të njerëzve të medias, në radhë të parë gazetarët, redaktorët, autorët, artistët, teknikët, menaxherët, dhe investuesit. Dëshiroj të falënderoj, njëkohësisht, edhe gjithë stafin aktual dhe paraardhësit e mi tek AMA, për çdo punë të mirë që kanë bërë, dhe ato nuk janë pak.

Theksoj se ne do të vazhdojmë me respekt praktikat e mira që ka zhvilluar ky institucion, dhe do të përpiqemi të sjellim një frymë energjike dhe përmirësime në punë, aty ku ka nevojë e aty ku ka vend. AMA është e përfshirë në sfida të rëndësishme, që kërkohen prej ligjit të medias audiovizive, siç janë strategjia e AMA-s, Këshilli i Ankesave, digjitalizimi i transmetimeve, zbatimi i kodit të etikës në mediat audivizive, lufta kundër piraterisë. Këto sfida duhet të konsolidojnë lirinë e mediave, cilësinë e përmbajtjes dhe informimit të publikut, pluralizmin në tregun e mediave audiovizive, konkurrencën e ndershme.

Zbatimi i ligjit dhe detyrave që burojnë prej tij do të krijojnë, gjithnjë e më shumë, një mjedis të sigurt për zhvillimin e mediave audiovizive. Ne jemi të vetëdijshëm se konsolidimi i këtij tregu drejt shinave të ligjit është një proces. AMA do t’i përgjigjet nevojave të kësaj strategjie me të gjitha kapacitetet e saj, duke garantuar përgjatë e deri në fund të këtij procesi respektimin e ligjit dhe kuadrit nënligjor.

Por, gjithashtu, korrektesa në transmetimin e informacionit, etika dhe kultura mediatike, cilësia e përmbajtjes, të gjitha këto, përbëjnë objektivin tonë të përbashkët. Me një rëndësi kryesore, është mbrojtja në punë e gazetarit me kontrata të rregullta dhe të drejta. Ruajtja me fanatizëm e lirisë së fjalës është një nga vlerat më thelbësore të demokracisë, e kjo së pari i duhet garantuar gazetarit.

Për këtë qëllim, por edhe për të ndërmarrë iniciativat reformuese, që do të jenë të domosdoshme në të ardhmen, unë do të kërkoj takime të vazhdueshme me profesionistët e medias, për të ndërtuar bashkë me ta komunikim dhe shkëmbim idesh.

Duke shpresuar që do të kemi bashkëpunim të frytshëm në vijim, të nderuar njerëz të medias, ju uroj punë të mbarë.

 

Leave Your Comment

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2021 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara