AMA në konsultë informuese me operatorët e allotmentit të Tiranës

AMA në konsultë informuese me operatorët e allotmentit të Tiranës

Autoriteti i Mediave Audiovizive në kuadër të fushatës së informimit mbi procesin e digjitalizimit, ditën e martë, më datë 19.07.2016 zhvilloi një takim konsultativ me të gjithë ofruesit e shërbimit audioviziv që operojnë në qarqet e Tiranës dhe Durrësit. Siç ka lajmëruar edhe Radio Televizioni Shqiptar, në fillim të muajit tetor fillon procesi i digjitalizimit për këtë allotment.

Në takimin e mbajtur, Kryetari i AMA-s, Z. Gentian Sala, Drejtori i Kabinetit Z. Dritan Xhelili dhe Drejtori Teknik i RTSH-së Z. Ermir Agaçi informuan më thellësisht operatorët mbi atë se çfarë do të ndodhë pas datës 1 tetor, kur dhe pritet të fillojnë transmetimet digjitale.

Kryetari i AMA-s Z. Sala tha se Autoriteti nga ana e tij do të mbikqyrë me përpikmëri kontratën që do të lidhet midis RTSH dhe operatorëve në çdo rast si dhe mosmarrëveshjet ndërmjet tyre.

Tarifa e mbështetjes në rrjetin e RTSH, në allotmentin Tiranë-Durrës, gjatë vitit të parë do të jetë 2146 Euro dhe për vitet pasardhës tarifa do të përllogaritet bazuar në të dhënat faktike të mirëmbajtjes së rrjetit. Operatorët vendorë privatë të allotmentit Tiranë-Durrës që do të zgjedhin të mbështeten në rrjetin e RTSH-së do të mund të transmetojnë programet e tyre nga 9 pika transmetimi të instaluara në këto qarqe.

Pjesëmarrësit u informuan gjatë takimit edhe për çështje të ndryshme ligjore, teknike, programore dhe financiare, në kuadër të procesit të kalimit në transmetime numerike si dhe për mbështetjen e tyre në rrjetet që RTSH është duke ndërtuar.

Operatorët nga ana e tyre ngritën shqetësim në lidhje me zonat e mbulimit, detyrimet financiare, llojin e dekoderave dhe mënyrën që është menduar për shpërndarjen e tyre për familjet në nevojë dhe paqartësira të tjera teknike.

Me qëllim që kalimi i transmetimeve nga analoge në numerikë të realizohet sa më thjeshtë dhe që procesi të jetë i kuptueshëm dhe i aksesueshëm për operatorët dhe teleshikuesit, AMA ka planifikuar të zhvillojë edhe një sërë takimesh të tjera me të gjithë operatorët e tjerë që ofrojnë shërbimet e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 19 Korrik 2016

Perpara Miratohet “Projekt-Rregullorja për Procedurat dhe Kriteret për Dhënien e Licencës së Transmetimit Audio”

Leave Your Comment