E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

AMA dhe Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit do të organizojnë konferencë shkencore ndërkombëtare mbi digjitalizimin

AMA dhe Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit do të organizojnë konferencë shkencore ndërkombëtare mbi digjitalizimin

Ditën e martë, më datë 30 Qershor 2015, Kryetari i Autoritetit të Mediave Audiovizive z. Gentian Sala, Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë Prof. Dr. Shezai Rrokaj, në emër të fakultetit, dhe Shefi i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë së Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Fuga nënshkruan në emër të dy institucioneve marrëveshjen për bashkëpunim në organizimin e konferencës: “Digjitalizimi i transmetimeve radiotelevizive në Shqipëri: Avantazhet, sfidat, vështirësitë”. Konferenca që do të mbahet në muajin nëntor do të jetë përmbledhja e punës kerkimore të pedagogëve, studentëve dhe kërkuesve shqiptarë dhe të huaj të atashuar pranë Departamentit. Z. Sala në fjalën e tij theksoi se ky bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit është tepër natyral për vetë specifikën e punës dhe interesat që kanë këto dy institucione. Ai shprehu rëndësinë që ka bashkëpunimi midis AMA-s, universiteteve publike dhe qendrave kërkimore-shkencore. Për vitin 2015, këto dy institucione do të bashkëpunojnë edhe për shfrytëzimin e materialeve të arkivës së AMA-s nga studentët, profesorët dhe kërkuesit e Departamentit të Gazetërisë dhe Komunikimit. Kjo konferencë shkencore, ndërkombëtare mbi digjitalizimin përputhet tërësisht me prioritetin thelbësor të Autoritetit të Mediave Audiovizive. Ajo zhvillohet në kohën e duhur dhe AMA është institucioni nismëtar në këtë proces me përparësi për gjithë mediat dhe aktorët që lidhen me të. Nga ana e tij Prof. Dr. Artan Fuga, e përshendeti bashkëpunimin dhe e cilësoi marrëdhënien me Autoritetin e Mediave Audiovizive të shkëlqyer. Ai vuri theksin te rëndësia e procesit të digjitalizimit dhe në vazhdimin e punëve të tjera kërkimore me interes të dyanshëm. “Është hera e parë që kemi sinergji midis këtyre dy institucioneve, të specializuara në një proces shumë të rëndësishëm, si digjitalizimi. Po ashtu, kemi për herë të parë vëmendjen nga ky institucion, për të përfshirë në një çështje me interes publik, trupën shkencore dhe kërkimore të departamentit” – tha Prof. Dr. Fuga. Në takim ishin të pranishëm pedagogë dhe studentë të departamentit, si dhe një përfaqësi nga stafi i AMA-s

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 30. 6. 2015

 

Perpara Për mungesë të kuorumit, nuk zhvillohet mbledhja e parashikuar e Bordit Drejtues të AMA-s

Leave Your Comment

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara