+355 67 303 3000 info@ama.gov.al

Deklarata

AMA solidarizohet me gazetaren e televizionit News 24 Znj. Klodiana Lala

Autoriteti i Mediave Audiovizive u njoh nga media me sulmin që i është bërë mëngjesin e ditës së sotme banesës së babait të gazetares të televizionit News 24  Znj. Klodiana Lala.

Fjala e lirë, intergriteti i profesionit të gazetarit janë në themel të një shoqërie demokratike.

Autoriteti i Mediave Audiovizive dënon me forcë sulmin me armë dhe i bën thirrje organeve kompetente të hetojnë dhe të zbardhin sa më parë këtë ngjarje të rëndë.

Në radhë të parë si qytetare dhe në radhë të dytë si gazetare Znj. Lala dhe familja e saj nuk duhet të ndihen të kërcënuar.

AMA solidarizohet me Znj. Lala, mbron lirinë e shprehjes, median e pavaruar dhe gazetarët që ushtrojnë me guxim profesionin e tyre.

 Autoriteti i Mediave Audiovizive 

30 gusht 2018

 

AMA takim me gazetarët për procesin e digjitalizimit

AMA takim me gazetarët për procesin e digjitalizimit

Ditën e mërkurë, Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, zhvilloi një takim me gazetarët mbi procesin e digjitalizimit, për të informuar publikun dhe palët e treta mbi ecurinë e tij dhe hapat në vijim.

Drejtori i Kabinetit, z. Dritan Xhelili, iu tha përfaqësuesve të mediave të pranishëm se prej disa muajsh janë përmbushur të gjitha kushtet për digjitalizimin e transmetimeve televizive ne qarqet Tiranë-Durrës. Si rrjedhojë AMA shpalli datën 30 qershor si afat përfundimtar për mbylljen e transmetimeve analoge ne këto qarqe.

Gjate kësaj periudhe është konstatuar se në treg mungon sasia e nevojshme e pajisjeve marrëse televizive, dekoder, pajisje te domosdoshme për të pasur akses në transmetimet televizive pas mbylljes së transmetimeve analoge.

Me gjithë fushatën intensive informuese që ka organizuar AMA për sensibilizimin e popullatës mbi domosdoshmërinë e pajisjes me dekoder, kërkesa ne treg ka qenë mjaft e ulët.

Kjo ka sjellë që dhe oferta në treg për këto pajisje nga operatoret tregtarë të mbetet e ulët.

Si rrjedhoje, në mungesë të sasisë së mjaftueshme në treg të dekodereve, AMA shtyn për një kohë të shkurtër afatin e mbylljes së transmetimeve analoge në qarqet Tiranë-Durrës.

Është mjaft e rëndësishme të njoftojmë shikuesit që të pajisen sa më shpejt me dekoder ne mënyrë qe me mbylljen e transmetimeve analoge te mos ngelen pa akses ne transmetimet televizive.

AMA, ne bashkëpunim me te gjithë institucionet e përfshira ne proces, tha z. Xhelili, po vijon te ndërmarrë masa nxitëse për te bere te mundur sigurimin e sasisë se mjaftueshme ne treg te këtyre pajisjeve, çka do te mundësonte një zhvillim normal te procesit te digjitalizimit ne qarqet Tirane e Durrës e me tej ne te gjithë vendin.

Procesi i digjitalizimit do te  vijoje ne qarkun e Berat me fillimin e transmetimeve numerike ne këtë qark, ku për një periudhe një mujore do te kemi transmetime paralele si ne analog ashtu edhe ne digjital.

Një proces tjetër i rëndësishëm qe pritet te mbyllet ne date 30 Qershor është lirimi i brezit te dividentit digjital, i cili do ti kaloje ne administrim shërbimeve te lëvizshme qe administrohen nga AKEP. Ky proces do te siguroje ne arkën e shtetit një shume prej disa dhjetra milionë dollarësh.

Shefi i Kabinetit iu përgjigj më pas interesimit të gazetarëve të pranishëm.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë më 28 Qershor 2017

Deklaratë e kryetarit të Autoritetit të Mediave Audiovizive, Z. Gentian Sala

Deklaratë e kryetarit të Autoritetit të Mediave Audiovizive, Z. Gentian Sala

Në artikullin “Bllokimi i licencave ‘përplas’ televizionet me anëtarët e pakicës në AMA”, publikuar në 2 shkurt 2016 në platformën online Reporteri.al të BIRN-it është shkruar dhe mbi votën kundër të dy anëtarëve të AMA-s, përkatësisht  Z. Sami Nezaj, zëvendëskryetar dhe Zj. Suela Musta, anëtare, në mbledhjen e datës 1 shkurt 2016, për licencimin e  subjekteve kombëtare të transmetimit audioviziv numerik sipas procedurës së Beauty Contest.

Në këtë artikull shkruhet se: “Argumenti i dytë i votës së tyre kundër lidhet me raportin e pronësisë së operatorëve historikë, që u përzgjodhën nga AMA për t’u përfshirë në Beauty Contestin e licensave dixhitale. Dy anëtarët e pakicës në AMA vlerësuan se ‘dokumentet e depozituar nga Digitalb sh.a dhe TV Klan sh.a nuk janë në përputhje me nenin 62 të ligjit’”.

Në lidhje me këtë pohim, kryetari i Autoritetit të Mediave Audiovizive, Z. Gentian Sala, bën këtë deklaratë për mediat:

“Dy anëtarët e AMA-s në mbledhjen e datës 1 shkurt 2016 nuk janë shprehur në asnjë rast për mospërputhje ligjore të dokumentacionit të subjekteve konkurruese në garën për licencim. Në respekt të procedurave administrative dhe transparencës për publikun, sapo të miratohen nga anëtarët e AMA-s procesverbalet e dy mbledhjeve të fundit, ato do të vihen në dispozicion”.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 4 shkurt 2016     

AMA vendos mosdhënien e licencave kombëtare të transmetimit audioviziv numerik sipas procedurës së Beauty Contest

AMA vendos mosdhënien e licencave kombëtare të transmetimit audioviziv numerik sipas procedurës së Beauty Contest

Ditën e hënë, më datë 01.02.2016, u zhvillua mbledhja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, në të cilë morën pjesë:

z.Gentian Sala     Kryetar
z.Sami Nezaj       Zëvëndëskryetar
z.Gledis Gjipali    Anëtar
z.Piro Misha        Anëtar
znj.Suela Musta   Anëtar
z.Zylyftar Bregu   Anëtar

Në rend dite të kësaj mbledhje ishte projektvendimi ”Mbi aplikimin e shoqërive “Top Channel” sh.a., ”Tv Klan” sh.a., “Digitalb” sh.a. dhe “Supersport” sh.a.” për marrje licence private kombëtare transmetimi audioviziv numerik sipas procedurës Beauty Contest.

AMA, vendosi mosdhënien e licencave kombëtare të transmetimit audioviziv numerik sipas procedurës Beauty Contest, pasi nuk u arrit kuorumi i kërkuar ligjor për dhënien e licencave, pra pesë vota. Bazuar në nenin 19, pika 1/b të ligjit 97/2013, ku AMA lëshon dhe heq licencat me shumicë të cilësuar.

Dy prej anëtarëve, përkatësisht  z. Sami Nezaj, zëvëndëskryetar dhe Zj. Suela Musta, anëtare, vendosën rrëzimin e aplikimeve të subjekteve, pasi bazuar në nenin 139, pika 8 e Ligjit 97/2013, licencimi sipas procedurës Beauty Contest kryhet për një periudhë tranzicioni, periudhë e cila është e përcaktuar në nenin 136 të ligjit 97/2013. Sipas kësaj dispozite, afati përfundimtar i kalimit të plotë në transmetimet numerike është data 17.06.2015.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 1 shkurt 2016     

Prezantimi i aktivitetit të AMA-s nga Kryetari, z. Gentian Sala

 

Këshilli i AMA-s shtyn vendimmarrjen për dhënien e licencave kombëtare private të transmetimit audioviziv sipas procedurës Beauty Contest

Ditën e mërkurë, më datë 27 janar 2016, u zhvillua mbledhja e radhës së Autoritetit të Mediave Audiovizive, në të cilë morën pjesë:

z.Gentian Sala     Kryetar
z.Sami Nezaj       Zëvëndëskryetar
z.Gledis Gjipali    Anëtar
z.Piro Misha        Anëtar
zj.Suela Musta     Anëtar
z.Zylyftar Bregu   Anëtar

Një nga pikat e kësaj mbledhje ishte dhe projektvendimi ”Mbi aplikimin e shoqërive “Top Channel” sh.a., ”Tv Klan” sh.a., “Digitalb” sh.a. dhe “Supersport” sh.a.” për marrje licence private kombëtare transmetimi audioviziv numerik sipas procedurës Beauty Contest.

AMA, njofton se vendimmarja për këtë projektvendim shtyhet për ditën e hënë, datë 01.02.2016, ora 9.00, pasi dy nga anëtarët e tij, përkatësisht  z.Sami Nezaj, zëvëndëskryetar dhe Zj. Suela Musta, anëtare, kërkuan më shumë kohë për shqyrtimin e dokumentacionit.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më  27. 01. 2016

 

Projekt rregullore për licencat e transmetimit audio të komuniteteve

Autoriteti i Mediave Audiovizive në kuadër të rregullimit të transmetimeve të radiove komunitare sipas ligjit për mediat audio dhe audiovizive 97/2013 ka publikuar në rubrikën këshillim publik, në faqen e tij zyrtare në internet, www.ama.gov.al, Projekt Rregulloren “Për dhënien e licencave të transmetimit audio të komunitetit”.

Transmetimet komunitare janë transmetime audio për komunitetin të cilat: ofrohen për zhvillimin social dhe përmbushjen e interesave të komunitetit; qe reflektojnë nevojat kulturore, gjuhësore, etj.; kanë karakter informues, edukativ dhe argëtues; mbështeten në punën vullnetare të pjesëmarrësve të komunitetit; krijojnë mundësi për të lejuar aksesin më të madh të mundshëm të gjithë pjesëmarrësve të komunitetit; kanë struktura menaxhuese, përfaqësuese të komunitetit të cilit i shërbejnë etj.

Përmes kësaj rregulloreje subjektet e interesuara orientohen e mbështeten në qartësimin e procedimit për fitimin e licencës, si p.sh. karakteristikat e shërbimit audio të komunitetit; standardet për programet; plani i frekuencave; shpallja e procedurës së licencimit; dokumentacioni i aplikimit; kriteret e vlerësimit të tyre etj.

Këshillimi publik është detyrim ligjor dhe këtë procedurë e kalojnë të gjitha projekt rregulloret e hartuara nga Autoriteti i Mediave Audiovizive. Përpara hartimit të kësaj rregulloreje Kryetari i AMA-s ka pritur në një takim konsultues të gjitha palët e interesuara. Kjo projekt rregullore do të jetë on-line për një periudhë 30 ditore dhe të gjitha palët janë të mirëpritura të dërgojnë komentet e tyre.

Për AMA-n është shumë e rëndësishme transparenca dhe fton bashkësitë fetare të japin mendimet e tyre.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 17. 12. 2015

 

Njoftim për Mediat mbi reklamat politike

Në procesin e monitorimit të përmbajtjeve të transmetuara nga subjektet audio dhe audiovizive gjatë ditës së sotme, datë 04.12.2015, Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, ka konstatuar dhe emetimin nga televizionet Top Channel, Ora News, News 24, Vizion Plus dhe ABC News, të një reklame politike mbi një aktivitet që zhvillohet të martën e ardhshme më datë 08.12.2015 nga Partia Demokratike.

Reklama, e cila është e paidentifikuar për subjektin që e ka përgatitur, bazuar në nenin 39 të ligjin 97/2013 “Mbi mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” konsiderohet si reklamë politike dhe transmetimi i saj është në kundërshtim me nenin 41, pika 2 të po këtij ligji.

AMA ju bën thirrje këtyre subjekteve që të respektojnë ligjin duke ndërprerë menjëherë emetimin e reklamës, në të kundërt, ndaj tyre do të nisë procedura administrative sipas parashikimeve ligjore në fuqi.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 04. 12. 2015

 

Në kuadër të formalizimit dhe ligjshmërisë të tregut audioviziv sekuestrohen pajisjet e “Tv Kabllor Jug”

Autoriteti i Mediave Audiovizive në kuadër të formalizimit të tregut audio dhe audioviziv dhe në kuadër të sigurimit të konkurrencës së ndershme midis operatorëve qofshin këta TV, radio apo kabllorë është duke vijuar në gjithë territorin e vendit aksionin për kontrollin dhe verifikimin e subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre audiovizive në kundërshtim me aktet normative në fuqi.

Sot AMA, në një operacion në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka bërë sekuestrimin e pajisjeve audiovizive të një subjekti kabllor në qytetin e Fierit.  Subjektit “Tv kabllor Jug” i kishte përfunduar afati i autorizimit dhe nuk kishte bërë kërkesë për rinovim pranë autoritetit tonë. Përveç afatit të mosrinovimit të autorizimit, subjekti rezultonte debitor për mos shlyerje të detyrimeve financiare ndaj AMA-s që nga viti 2011. Por pavarësisht nga sa më sipër subjekti vijonte transmetimet audiovizive në mënyrë të kundërligjshme, pra, pa autorizimin e AMA-s.

Më parë ndaj subjektit“ TV Kabllor Jug” AMA ka marrë edhe masën e ndëshkimit me gjobë në vlerën 5.000. 000 lekë, pikërisht për shkak të ofrimit të shërbimeve audiovizive pa autorizim nga AMA.

Në këto kushte, Autoriteti i Mediave Audiovizive i bën thirrje gjithë subjekteve të jenë të kujdesshëm për rinovimin e licencave, dhe autorizimeve sipas parashikimeve ligjore dhe nënligjore në fuqi.

Verifikimet dhe inspektimet e AMA-s do të vijojnë intensivisht në të gjithë territorin e vendit.

 Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 19. 11. 2015

Autoriteti i Mediave Audiovizive, bashkëpunon me  ‘Grupin Koha” dhe Shoqërinë “Company 21” , për transmetimin e programeve të tyre në Shqipëri

Autoriteti i Mediave Audiovizive në kuadër të bashkëpunimit dhe partneritetit me Grupin mediatik Koha sh.p.k. dhe Shoqërinë “Company 21”, jetësoi një marrëveshje me të cilat ka rënë dakord që këta transmetues Kombëtar në Kosovë të transmetojnë edhe në Republikën e  Shqipërisë.

Tashmë të drejtat e transmetimit  të programeve “Kohavizion” (KTV), “Arta”, ‘RTV 21” dhe “TV21-Maqedonia” do të jenë pa pagesë për subjektet kabllore që ushtrojnë veprimtari audiovizive.

“Grupi Koha” sh.p.k., përfaqësuar nga znj. Flaka Surroi i kalon në mënyrë joekskluzive dhe papagesë, ripërsëritësve kabllorëve audiovizivë, të licencuar në Republikën e Shqipërisë, të drejtën për të ritransmetuar tërësinë e përmbajtjes së programeve të ofruara nga  transmetuesi kombëtar “Kohavision” dhe “ARTA”.

Njëkohësisht Shoqëria “Company 21” përfaqësuar nga znj. Afërdita Saraçini , i kalon në mënyrë joekskluzive dhe pa pagesë, ripërsëritësve kabllorë audiovizivë, të licencuar në Republikën e Shqipërisë, të drejtën për të ritransmetuar ‘RTV 21” dhe “TV21-Maqedonia”.

E drejta e ritransmetimit kalohet pa pagesë, për një periudhë 1 vjeçare, duke filluar nga data 1 nëntor 2015 deri në datën 31 tetor 2016..

Kjo risi në tregun mediatik të Shqipërisë vjen si fryt i takimeve të suksesshme që muajt e fundit Kryetari i Autoritetit Z.Gentian Sala ka patur me drejtuesit e Televizioneve Kombëtare të Kosovës.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 6. 11. 2015

Reagim i AMA-s për dhunën e ushtuar ndaj reporterëve Z. Agim Blloshmi dhe Z. Kristaq Binjaku

Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, ka përcjellë me shqetësim ngjarjen e fundit me protagonistë reporterëve televizivë, Z. Agim Blloshmi dhe Z. Kristaq Binjaku, të cilët në mbrëmjen e datës 19 maj 2015, jo vetëm janë penguar në kryerjen e detyrës së tyre, por dhe janë qëlluar dhe janë mbajtur peng nga persona të armatosur, në zonën rurale të rrethit të Librazhdit, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre.

Dy gazetarët kanë qenë në përmbushje të detyrës duke investiguar mbi një rast të shkeljes së ligjit dhe goditja ndaj tyre është një akt i dënueshëm kundër fjalës së lirë dhe angazhimit profesional të komunitetit të medias për informimin e publikut. AMA kërkon nga organet kompetente që sa më parë të zbardhen rrethanat e plota të ngjarjes dhe të përgjigjen para drejtësisë personat e përfshirë direkt ose indirekt.

Autoritetei i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 20. 05. 2015

Prezantimi i aktivitetit të AMA-s nga Kryetari, z. Gentian Sala

Në Shqipëri aktualisht kanë veprimtari 72 subjekte audiovizive, 71 subjekte radiofonike dhe 109 operatorë audiovizivë kabllorë. Gjithashtu, perojnë dhe 5 subjekte, të cilët kanë ndërtuar dhe transmetojnë në rrjete numerike tokësore.
Këto subjekte janë klasifikuar si operatorë historikë kombëtarë dhe pritet të legalizohen sipas rregulloreve dhe procedurave të miratuara nga AMA, bazuar në ligjin 97/2013. Lexoni më tepër

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 4. 3. 2015

Deklarata e kryetarit te AMA

 Deklarata e Kryetarit të AMA

Të nderuar punonjës dhe profesionistë të medieve audiovizive në Shqipëri, të nderuar gazetarë: Dëshiroj ta nis mandatin tim me një mirënjohje për të gjithë ju dhe me një falënderim për gjitha sa keni bërë, në kushte që nuk kanë qenë gjithnjë të dëshirueshme, në 15 vitet e fundit.

Të gjitha këto arritje janë bërë falë punës së palodhshme të njerëzve të medias, në radhë të parë gazetarët, redaktorët, autorët, artistët, teknikët, menaxherët, dhe investuesit. Dëshiroj të falënderoj, njëkohësisht, edhe gjithë stafin aktual dhe paraardhësit e mi tek AMA, për çdo punë të mirë që kanë bërë, dhe ato nuk janë pak.

Theksoj se ne do të vazhdojmë me respekt praktikat e mira që ka zhvilluar ky institucion, dhe do të përpiqemi të sjellim një frymë energjike dhe përmirësime në punë, aty ku ka nevojë e aty ku ka vend. AMA është e përfshirë në sfida të rëndësishme, që kërkohen prej ligjit të medias audiovizive, siç janë strategjia e AMA-s, Këshilli i Ankesave, digjitalizimi i transmetimeve, zbatimi i kodit të etikës në mediat audivizive, lufta kundër piraterisë. Këto sfida duhet të konsolidojnë lirinë e mediave, cilësinë e përmbajtjes dhe informimit të publikut, pluralizmin në tregun e mediave audiovizive, konkurrencën e ndershme.

Zbatimi i ligjit dhe detyrave që burojnë prej tij do të krijojnë, gjithnjë e më shumë, një mjedis të sigurt për zhvillimin e mediave audiovizive. Ne jemi të vetëdijshëm se konsolidimi i këtij tregu drejt shinave të ligjit është një proces. AMA do t’i përgjigjet nevojave të kësaj strategjie me të gjitha kapacitetet e saj, duke garantuar përgjatë e deri në fund të këtij procesi respektimin e ligjit dhe kuadrit nënligjor.

Por, gjithashtu, korrektesa në transmetimin e informacionit, etika dhe kultura mediatike, cilësia e përmbajtjes, të gjitha këto, përbëjnë objektivin tonë të përbashkët. Me një rëndësi kryesore, është mbrojtja në punë e gazetarit me kontrata të rregullta dhe të drejta. Ruajtja me fanatizëm e lirisë së fjalës është një nga vlerat më thelbësore të demokracisë, e kjo së pari i duhet garantuar gazetarit.

Për këtë qëllim, por edhe për të ndërmarrë iniciativat reformuese, që do të jenë të domosdoshme në të ardhmen, unë do të kërkoj takime të vazhdueshme me profesionistët e medias, për të ndërtuar bashkë me ta komunikim dhe shkëmbim idesh.

Duke shpresuar që do të kemi bashkëpunim të frytshëm në vijim, të nderuar njerëz të medias, ju uroj punë të mbarë.