ARMELA KRASNIQI
Znj. Armela Krasniqi është zgjedhur Kryetare e Autoritetit të Mediave Audiovizive me vendimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë nr.63/2021 datë 07.07.2021. Znj. Krasniqi ka lindur në Tiranë më 26 nëntor 1976, është e martuar dhe ka dy djem. Ka mbaruar me rezultate të larta Degën e Gazetarisë në Fakultetin e Histori Filologjisë në Universitetin e Tiranës në vitin ’99. Znj.Krasniqi ka një karrierë të gjatë në fushën e medias dhe komunikimit, si në sektorin privat ashtu dhe në atë shtetëror. Së fundmi Znj. Krasniqi ka drejtuar Agjencinë Telegrafike Shqiptare. Gjatë kësaj periudhe, ajo është zgjedhur në bordin drejtues të Agjencive Evropiane të Lajmeve (32 agjenci). Znj.Krasniqi gjithashtu ka mbajtur edhe postin e Presidentes së ABNA - SEE (Aleanca Ballkanike dhe Juglindore e lajmeve). Znj.Krasniqi ka qënë organizatore e disa konferencave ndërkombëtare, ndër të cilat përmendim “Agjencitë e lajmeve vs Lajmet e rreme” ku u hartua Deklarata e Tiranës për lajmet e rreme, nënshkruar nga 13 agjenci europiane lajmesh; “Shqiptarët dhe Serbët – Po më tej?”; “Media & Turizmi – Ide & Zgjidhje” etj. si dhe është angazhuar në konferencat :“Si mund të mbijetojnë mediat në epokën digjitale”; “Forumi Ekonomik Ndërkombëtar”; “Media e së ardhmes”; “Mundësitë e agjencive të lajmeve në luftën kundër disinformimit” dhe në Forumin e 6-të Ndërkombëtar Humanitar të Baku-t, në seancën “Politika e desinformimit”.
Më herët Znj.Krasniqi ka dhënë kontributin e saj në radio dhe televizion si autore dhe moderatorë emisionesh, drejtoreshë informacioni, zëdhënëse, trupë e nivelit të lartë drejtues në shërbimin civil në disa prej mediave dhe institucioneve më të rëndësishme në vend. Në institucionet ku ka shërbyer është vlerësuar për impaktin pozitiv dhe frymën e bashkëpunimit. Karriera e Armela Krasniqit përmban edhe dy vëllime me poezi: “Fundi i portreteve” botuar në 1992 dhe “Eklipsi i heshtjes” botuar në 1995. Prioritetet e Znj.Krasniqi gjatë drejtimit të AMA-s do të jenë të orientuara tek sfidat me të cilat përballet shoqëria nga zhvillimet e vrullshme në fushën e medias si dhe mbrojtja e fëmijëve në transmetimet audio/ audiovizive duke kontribuar për një shoqëri më të shëndetshme. Edukimi mediatik, gjuha e urrejtjes, të drejtat e gazetarëve dhe punonjësve të medias, janë disa nga momentet më të rëndësishme që do të prijnë agjendën e Znj.Krasniqi. Në cilësinë e Kryetares së Autoritetit të Mediave Audiovizive, Znj.Krasniqi ndan bindjen se bashkëpunimi është themeli i një pune të suksesshme, ndaj është e hapur për të forcuar akoma dhe më tej këtë bashkëpunim me të gjithë faktorët dhe aktorët e përfshirë.