+355 67 303 3000 info@ama.gov.al
Select Page

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Një prezantim

Më 30 qershor të vitit 1999 Kuvendi i Shqipërisë zgjodhi për herë të parë në historinë e vendit, Këshillin Kombëtar të Radios dhe Televizionit, një organizëm i ri rregullator për fushën e mediave elektronike, i parashikuar me ligjin 8410, datë 30.09.1998. Ligji në fjalë e përcaktonte organizmin e përbërë me 7 anëtarë përfaqësues të mendimit intelektual të pavarur, që varen vetëm nga ligji.

Veprimtaria e mediave private në vend ka filluar përpara plotësimit të kuadrit ligjor përkatës dhe për rrjedhojë, para ngritjes së institucionit të KKRT-së. Si e tillë ajo është pjesë e historisë së mediave private në Shqipëri. Vitet 1994 – 1995 shënojnë fillimet e veprimtarisë së mediave (radio dhe televizione) private në Republikën e Shqipërisë.

E gjithë veprimtaria e radiove dhe televizioneve private nisi shumë më herët se ajo që përcaktohej me ligjin 8410/1998. Deri para daljes së tyre në vend ekzistonte vetëm një operator shtetëror, që transmetonte dy programe radioje dhe një program televiziv, Radiotelevizioni Shqiptar (RTSH).  

Në 1996-1998 në Shqipëri numri i stacioneve private televizive u rrit me shpejtësi, me rreth 30 të tilla, në 21 qytete të vendit dhe nevoja për kuadër rregullues po bëhej gjithnjë edhe më e ndjeshme.

Më 30 shtator 1998 u miratua Ligji nr. 8410 “Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë”. Ligji kishte për objekt median private por edhe atë që deri në atë kohë konsiderohej si shtetërore.

Megjithatë edhe pas miratimit të ligjit të sipërpërmendur ngritja e Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit vonoi. Krijimi i tij u bë i mundur vetëm 9 muaj më vonë, përkatësisht më 30 qershor 1999.

Nevoja për ndryshimin e legjislacionit në fushën e transmetimeve audiovizive serisht lindi si rezultat i zhvillimeve të vetë shërbimeve të medias elektronike, zhvillimeve teknologjike në fushën e komunikimeve elektronike dhe të shoqërisë së informacionit si dhe për të përmbushur detyrimet që rrjedhin për Republikën e Shqipërisë e për të harmonizuar legjislacionin e saj në këtë fushë me legjislacionin evropian dhe veçanërisht detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit.

Gjendja e mediave me kalimin e viteve gjithashtu ndryshoi gjë e cila përforcoi nevojën e ndryshimit të kuadrit ligjor.  Për këtë arsye në vitin 2013 u miratua ligji Nr. 97 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” (Ligj 97/2013).  Ligji 97/2013 rregullon veprimtarinë e mediave audiovizive dhe shërbimeve mbështetëse të tyre, mbi bazën e parimit të asnjanësisë teknologjike në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Ligji 97/2013 parashikon parimet themelore që përbëjnë bazën e zhvillimit të veprimtarisë audiovizive. Përveç parimeve të përgjithshme, të cilat janë norma deklarative, ka disa dispozita që parashikojnë detyrime për ofruesit e shërbimit mediatik audioviziv duke përcaktuar që këta të fundit, në veprimtarinë e tyre, të respektojnë kërkesat të legjislacionit për median gjatë veprimtarisë audio dhe audiovizive.

Nga disa prej funksioneve kryesore të AMA-s mund të përmenden:

– garantimi i konkurrencës së ndershme;

– hartimi i strategjive për ofrimin e shërbimeve të transmetimit;

– miratimi i kodit dhe rregulloreve të transmetimit audioviziv dhe akteve të tjera nënligjore;

– zgjidhja e mosmarrëveshjeve midis ofruesve të shërbimeve të transmetimeve audio ose audiovizive, përfshirë mosmarrëveshjet me transmetuesin publik;

– monitorimi i programeve të transmetuara nga Ofruesit e Shërbimit Mediatik Audioviziv (OSHMA);

– bashkëpunimi me institucione të tjera për përmbushjen e objektivave ligjore si Autoritetin e Konkurrencës, Zyrën Shqiptare ZSHDA-në, Komisionin për Mbrojtjen e Konsumatorit etj.

– hartimi dhe miratimi i rregulloreve për procedurat dhe kriteret e dhënies së licencave dhe/ose autorizimeve, sipas përcaktimeve të Ligjit për Mediat;

– përcaktimi i pagesave për licencat.

– AMA kontrollon zbatimin e ligjit për median nga subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën audiovizive dhe në rast shkeljesh, vendos sanksione.

Fuqia, kompetenca, pavarësia financiare dhe përshtatshmëria e burimeve përbëjnë garanci legjislative për të siguruar pavarësinë e këtij autoriteti rregullator.