Një delegacion nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, kryesuar nga kryetari Z. Gentian Sala ishte sot dt.12.10.2020 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, në një takim zyrtar në Komisionin Parlamentar për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media, në prezencë të kryetarit Z. Mërgim Lushtaku, dy nënkryetarëve, Z. Valon Ramadani dhe Z. Albert Kinolli, si dhe deputetëve të tjerë në komision. Në shkurt të vitit 2019 përfaqësues të komisionit kanë qenë për vizitë në mjediset e AMA-s në Tiranë.
Gjatë takimit, drejtuesit e delegacioneve, Z. Sala dhe Z. Lushtaku, kanë vlerësuar bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e rregullimit të transmetimeve audiovizive, si dhe prezencën më të shtuar dhe të larmishme të programeve televizive nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas.
Ashtu si dhe në takimin e parë të zhvilluar në Tiranë, pjesa më e madhe e diskutimit u fokusua tek procesi i digjitalizimit. Avancimi i procesit në tregun audioviziv të Shqipërisë, u përshkrua si një përvojë për Kosovën, si në përmirësimet e nevojshme të kuadrit ligjor, ashtu dhe në aspektet teknike dhe teknologjike. Fakti që rreth 30 përqind e qytetarëve në Shqipëri kanë mundësi të ndjekin deri në 39 kanale pa pagesë, u gjykua nga deputetët e pranishëm si një impakt shumë i dobishëm i digjitalizimit për popullatën që nuk ka të ardhura të mjaftueshme financiare për shërbime audiovizive me pagesë.
Delegacioni nga Kosova shprehu gatishmërinë për një vizitë të afërt pune në mjediset e AMA-s në Tiranë, për të diskutuar mbi qasjet e duhura në legjislacion. apo në ndërtimin e infrastrukturës së përshtatshme teknologjike për të avancuar në procesin e digjitalizimit edhe në Republikën e Kosovës.
Z. Sala përmendi dhe rekomandimin e Kuvendit të Shqipërisë që AMA të intensifikojë kooperimin me institucionin homolog në Kosovë, KPM. Ai informoi deputetët e Komisionit Parlamentar për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe për akordin mes dy rregullatoreve në Tiranë dhe në Prishtinë për trajtimin sa më të shpejtë dhe profesionalisht të rasteve të ankesave që bëjnë qytetarët apo subjektet nga të dy shtetet për përmbajtjet audiovizive të transmetuara.
Kjo u vleresua nga deputetët e pranishëm në takim, të cilët kanë nxitur bashkëpunimin më të ngushtë mes AMA-s dhe KPM-së, në shërbim dhe në dobi të publikut në Shqipëri dhe në Kosovë.
AUTORITETI I MEDIAVE AUDIOVIZIVE
12.10.2020