E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

20-vjetori i AMA-s. Zhvillohet konferenca ndërkombëtare shkencore mbi tregun e medias audiovizve, sjelljen e audiencës dhe autoritetin rregullator

Me rastin e 20 vjetorit të krijimit të Autoritetit të Mediave Audiovizive, sot më datë 3 Maj, në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit, UT, u mbajt Konferenca Shkencore Ndërkombëtare, me temë: Tregu i Medias Audiovizive, sjellja e audiencave dhe kuadri rregullator. Data 3 maj përkujtohet gjithashtu, në kalendarin e datave të shënuara si Dita Botërore e Lirisë së Shtypit.

Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të jetës akademike, të ftuar nga rajoni si dhe përfaqësues të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Konferenca ishte e ndarë në 3 seanca kryesore, veç asaj plenare. Ku temat ishin përkatësisht: tregu i medias dhe operatorët audiovizivë; sjellja e audiencave dhe programacioni; rregullimi dhe vetërregullimi në përgjigje të zhvillimeve teknologjike. Referuesit ishin personalitete të botës akademike në fushën e medias dhe komunikimit nga Franca, Italia, Polonia, Rumania.

Seanca plenare u përshëndet nga personalitete me kontribut në fushën e mediave audiovizive si Akademiku Z. Artan Fuga. Akademik Fuga, pasi përshëndeti organizimin e vuri theksin te detyrimi i mediave dhe institucioneve rregullatorë për të respektuar lirinë qytetare. Z. Fuga, vlerësoi kontributin dhe shembullin që AMA ka dhënë në partneritetin mes institucioneve publike dhe forcimin reciprok të tyre.

Nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Konferencën e përshendeti Znj. Vasilika Hysi, në cilësinë e Zëvëndëskryetarit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Znj. Hysi vlerësoi punën e deritanishme të bërë nga AMA. Ajo tha se konferenca si këto ndikojnë drejtpërdrejt në edukimin mediatik të studentëve dhe po ashtu edhe në profesionalizimin e tyre në raportimin e lajmeve dhe në të gjitha hallkat e një medie më të lirë dhe të pavarur.

Z. Gentian Sala, Kryetar i Autoritetit të Mediave Audiovozive, në fjalën e tij përshëndetëse njohu pika të forta dhe të dobta gjatë këtyre 20 viteve të AMA-s si institucion. Ai e vuri theksin e fjalës se tij se AMA këto pesë vitet e fundit ka hyrë në një hulli normale të organizimit dhe funksionimit institucional dhe që nga viti 2018 e këtej është i fokusuar tërësisht tek çështjet e programacionit.

Z. Sala vlerësoi bashkëpunimin me Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit, i cili i ka shërbyer institucionit për vendimmarrje të drejtë në përputhje me nevojat e tregut dhe me prirjen e audiencës.

Prof. Assoc. Dr. Mark Marku, Përgjegjës i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në UT tha se Konferenca do të sjellë një panoramë më të plotë të tregut dhe peisazhit mediatik, por ajo po ashtu do të ndihmojë edhe për ta përmirësuar këtë panoramë.

Prof. Dr. Sabri Laçi, Dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë solli në kujtesë një moment shumë të rëndësishëm në median shqiptare, atë të formimit të Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit. Ky departament, tha ai, i ka dhënë një dimension të ri komunikimit dhe ka forcuar bashkëpunimin midis studiuesve të medias shqiptare por edhe me gjerë.

Konferenca u përshëndet edhe nga Z. Muja Ferati, Kryetar i Komisionit të Pavarur për Media të Kosovës, i cili vlerësoi bashkëpunimin me AMA-n dhe u shpreh shumë i interesuar për gjetjet e punimeve të konferencës, punime të cilat do të jenë me vlerë edhe për realitetin e Republikës së Kosovës.

Konferenca do të pasohet me një botim, i cili do të jetë një përmbledhje e të gjithë punimeve shkencore të kërkuesve më në zë të medias. Kjo konferencë ishte fryt i bashkëpunimit të studiuesve të medias nga Shqipëria dhe rajoni.

 

Autoriteti i Mediave Audiovizive

 

Tiranë 3 Maj 2019

Perpara World Bank supports Audiovisual Media Authority with the digitization process

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara