E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Tryezë diskutimi në qarkun e Shkodrës dhe Lezhës mbi “Respektimin e standardit të gjuhës shqipe në transmetimet audiovizive”

AMA organizon, me OSHMA-të e qarkut Shkodër dhe Lezhë, tryezën e diskutimit

“Respektimi i standardit të gjuhës shqipe në transmetimet audiovizive”

 

Ditën e enjte, në datë 14 qershor 2018, në qytetin e Shkodrës, Autoriteti i Mediave Audiovizive organizoi tryezën e diskutimit: “Respektimi i standardit të gjuhës shqipe në transmetimet audiovizive”. Në këtë tryezë, ishin të ftuar të merrnin pjesë të gjitha OSHMA-të e qarkut Shkodër dhe qarkut Lezhë.

Në fjalën e hapjes së takimit dhe në bashkëbisedim me përfaqësues të OSHMA-ve pjesëmarrëse, z. Sami Nezaj, zëvendëskryetar i AMA-s, theksoi qëllimin dhe synimet e organizimit të kësaj tryeze; rëndësinë e gjuhës letrare shqipe në formimin gjuhësor e kulturor të moshave të reja si dhe  objektivat dhe rolin e AMA-s për respektimin e standardit të shqipes së folur dhe të shkruar në median audio dhe audiovizive.

Në vijim të tryezës, Përgjegjësi i Sektorit të Përmbajtjes dhe Analizës, në Drejtorinë e Programeve, z.  Zimo Krutaj, paraqiti një raport përmbledhës mbi përvojën dhe rezultatet e  monitorimit të transmetimeve të televizioneve kombëtare dhe të disa televizioneve informative të Tiranës. U evidentuan dhe u trajtuan me shembuj ilustrues problematikat, dukuritë dhe rastet kryesore të shmangieve nga norma gjuhësore e shqipes, gabimet sintaksore e përdorimi i panevojshëm i fjalëve të huaja që vihen re në programet audiovizive të televizioneve kombëtare si dhe gabimet drejtshkrimore në titrat e televizioneve informative.

Të pranishmit në tryezë, përfaqësues të OSHMA-ve vendore të Shkodrës, Lezhës e Malësisë së Madhe, sollën përvojën e tyre, vlerësuan domosdoshmërinë e zbatimit të standardit letrar të shqipes në programet që transmetojnë. Ata theksuan edhe vështirësitë që hasin në këtë drejtim, për shkak të mangësive të formimit gjuhësor të gazetarëve dhe mungesës së redaktorëve e korrektorëve në redaksitë e tyre të vogla. U trajtuan gjithashtu edhe çështje të etikës së komunikimit në ekran e në mikrofon, si dhe të standardeve profesionale.

Tryeza arriti në përfundimin se për respektimin e standardit letrar të shqipes në transmetimet audiovizive, përveç sensibilizimit të operatorëve dhe opinionit publik, duhet të mendohet për sanksione konkrete, qoftë përmes dispozitave ekzistuese në ligjin për median dhe në Kodin e Transmetimit të AMA-s,  qoftë përmes amendimeve e shtesave të domosdoshme ligjore.

Kjo tryezë diskutimi u zhvillua pas takimit të mbajtur në AMA, në datë 17 prill 2018, me të njëjtën temë.  Për AMA-n është me rëndësi të madhe zhvillimi i këtyre tryezave diskutimi për respektimin rigoroz të standardit të folur dhe të shkruar të shqipes në përmbajtjet audiovizive.  Ndaj AMA ka planifikuar që t’i vazhdojë tryezat sensibilizuese për përdorimin e gjuhës shqipe edhe në dy qarqe të tjera të mëdha në jug dhe juglindje të vendit.

Perpara Takim konsultativ në AMA për propozimet e grupeve të interesit për ndryshime në ligjin 97/2013

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2021 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara