E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Sfidat e radios në erën dixhitale

Në Ditën Botërore të Radios AMA organizon aktivitetin “Sfidat e radios në erën dixhitale”

Në mjediset e Autoritetit të Medias Audiovizive, AMA, u zhvillua të enjten paradite (13.02.2020) aktiviteti mediatik “Sfidat e radios në erën dixhitale”, në kuadër të Ditës Botërore të Radios.

Prezentë ishin përfaqësues nga redaksitë radiofonike, publike dhe komerciale, nga shoqatat e medias, Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, OSBE-ja, institucione të ndryshme publike si dhe shoqëria civile.

Diskutimi, që u zhvillua brenda ekspozitës pamore “Retro”, u përqëndrua më shumë tek sfidat e radios në kushtet e zhvillimit të vrullshëm teknologjik dhe përhapjes në shkallë të gjerë të interentit.

Si dhe në vende të tjera të globit, përmes aktiviteteve në Ditën Botërore të Radios, synohet më shumë që të tërhiqet vëmendje ndaj rolit dhe ndikimit të këtij mediumi në shoqëri, të nxitet përshtatja e performancës së redaksive në rrethanat e multimedias dhe konvergjencës, të cilat kanë ndryshuar rrënjësisht dhe sjelljen e përfshirjen e audiencave në produktin mediatik.

Në fjalën e tij Kryetari i AMA-s, Z.Gentian Sala përmendi angazhimin institucional në favor të lehtësimit të procedurave për licencimin, zgjerimin e afatit të tyre, riorganizimin e strukturës së Autoritetit në aspektin e programacionit, juridikut, teknikës etj., megjithatë ai u shpreh se duhet bërë më shumë. “Radio po kalon kohë të vështira, teknologjia ia ka vështirësuar rrugën, sidomos në zonat rurale. Ka shumë zona periferike ku ka një ose asnjë radio. Për të nxitur hapjen e radiove në këto zona, AMA ka çelur edhe gara për licencime pa kërkesa” tha ai.

Shefi i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në UT, prof. Mark Marku, zërat e njohur të Radio Tiranës në vite, Agim Xheka dhe Xhelil Aliu, përfaqësuesit e stacioneve lokale, Edi Halilaj (Radio Lushnja), Agron Hoxha (Radio Spektrum) Don Prekë Lazraj (Radio Maria) etj., u përqëndruan në cilësinë dhe llojshmërinë e përmbajtjeve që transmetohen, përgatitjen e gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve, si dhe përpjekjet e redaksive për të tërhequr sa më shumë ndjekës, si nga tranmsmetimi valor ashtu dhe lënda virtuale që shkarkojnë në faqen e internetit apo në llogaritë e rrjeteve sociale.

Ekspozita pamore “Retro” do të qendrojë e hapur në mjediset e AMA-s deri të enjten tjetër, 20.02.2020.

13 Shkurti është caktuar si Dita Botërore e Radios nga UNESCO në kujtim të datës së themelimit të Radios së Kombeve të Bashkuara në vitin 1946.

Në Shqipëri për herë të parë kjo ditë është kremtuar zyrtarisht nga viti 2014 dhe për çdo vit organizohen aktivitete të ndryshme.

 

Autoriteti Mediave Audiovizive

 13 shkurt 2020

 

Perpara Radio Challenges in the Digital Era

Leave Your Comment

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara