Prezantohet në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, raporti vjetor i AMA-s 2021

Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, znj.Armela Krasniqi prezantoi në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik raportin vjetor të punës për vitin 2021. Në fjalën e saj znj.Krasniqi u ndal në momentet më të rëndësishme të punës së AMA-s për vitin 2021.

Fjala e plotë e Kryetares Armela Krasniqi në Komision për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik:

I nderuar Kryetar,

Të nderuar anëtarë,

Në përmbushje të detyrave dhe funksioneve të AMA-s, të përcaktuara në ligjin nr. 97/2013,i ndryshuar në Strategjinë dhe Planin e Veprimit të Autoritetit, për vitet 2021-2023, si dhe në përmbushje të rekomandimeve të Bashkimit Evropian dhe Kuvendit të Shqipërisë, gjatë vitit 2021, Autoriteti është angazhuar maksimalisht t’i shërbejë shoqërisë shqiptare përmes rregullimit, mbështetjes dhe nxitjes së tregut audioviziv të përgjegjshëm dhe cilësor.

Në vitin 2021 ka pasur një gjendje më të përmirësuar, sa i përket pandemisë COVID-19, e megjithatë, Autoriteti ka vijuar monitorimin për zbatimin e masave dhe protokolleve të Ministrisë së Shëndetësisë, për parandalimin e përhapjes së infeksionit, të shkaktuar nga COVID-19, në radhët e personelit të medias që angazhohet brenda mjediseve të redaksive e studiove të regjistrimit dhe transmetimit, si dhe respektimin e kufizimeve për pjesëmarrjen e publikut në programet audiovizive  të drejtpërdrejta ose të regjistruara.

Vlen për t’u theksuar se të gjitha OSHMA-të kanë treguar gatishmëri në transmetimin pa pagesë të njoftimeve nga autoriteti shëndetësor, si pjesë e fushatës së informimit dhe ndërgjegjësimit të publikut në kushte të pazakonta, duke ndikuar drejtpërdrejt në përballimin e pasojave nga COVID–19.

Redaksitë e OSHMA-ve, gjatë periudhës raportuese, janë angazhuar, përmes reporterëve, redaktorëve dhe moderatorëve, për të informuar pa ndërprerje mbi situatën epidemiologjike në vendin tonë, por dhe duke trajtuar dhe analizuar aspekte të ndryshme, që lidheshin me aktualitetin dhe sfidat në përballjen me pandeminë. AMA ka mbajtur një qasje proaktive, duke komunikuar rast pas rasti, me operatorët, në lidhje me respektimin e detyrimeve që rrjedhin nga ligji 97/2013, i ndryshuar, për rastet e raportimeve, bisedave dhe debateve në studio, emisioneve të ndryshme për sa i përket përcjelljes së mesazheve, që i shërbejnë informimit të saktë dhe shterues për situatën, duke shmangur panikun e popullatës.

Në procesin e monitorimit të përmbajtjeve audiovizive të transmetuara, AMA është fokusuar më shumë, gjatë vitit 2021, tek reklamat mbi medikamentet, si dhe te emisionet për shëndetin. Situata e krijuar nga pandemia COVID-19 ka shtuar kohën programore nga OSHMA-të për aspekte të shëndetit.

Duke u nisur nga interesi për mbrojtjen e qytetarëve nga abuzimet me transmetimet mbi këtë temë, AMA ka realizuar shqyrtime me fokus reklamat për medikamentet, apo të trajtimit të çështjeve shëndetësore në përgjithësi. Për rastet e reklamave të fshehura, kur nuk janë zbatuar kërkesat e rregullores “Për komunikimet audio dhe/ose audiovizive me natyrë tregtare, format, kushtet dhe koha ditore e lejuar për transmetimin e reklamave”, si dhe kuadrit nënligjor në fuqi që normon publicitetin e barnave, Autoriteti ka tërhequr vëmendjen e OSHMA-ve, si dhe ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore. Mbrojtja e fëmijëve nga përmbajtjet e papërshtatshme ka vijuar të jetë në fokus të monitorimit të përmbajtjeve audiovizive.

Për herë të parë, në 21 vite aktivitet, AMA u angazhua drejtpërdrejt në monitorimin e mbulimit mediatik të OSHMA-ve, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të datës 25 prill 2021. Më herët, AMA vendoste në dispozicion të KQZ-së infrastrukturën e saj monitoruese. Monitorimi i pasqyrimit të fushatës zgjedhore mund të konsiderohet pa frikë një proces i suksesshëm, jo vetëm për faktin se raportet e AMA-s ishin burim reference për raporte të monitoruesve vendas dhe ndërkombëtarë, por, mbi të gjitha, sepse nuk pati asnjë kundërshtim të gjetjeve prej operatorëve audio dhe audiovizivë.

Në tetor të vitit 2021, AMA zhvilloi Konferencën Ndërkombëtare me temë “Mbrojtja e fëmijëve në mediat audiovizive”. Konferenca ishte konceptuar dhe organizuar në tre panele diskutimi në të cilat referuan ekspertë nga Britania e Madhe, Belgjika, Gjermania si dhe profesorë e ekspertë të fushës nga vendi dhe rajoni.

Autoriteti, gjatë vitit 2021, ka vijuar praktikën e bashkëpunimit dhe mbështetjes së partnerëve në sektorin audio dhe audioviziv në vendin tonë. Autoriteti i Mediave Audiovizive ka financuar një sërë projektesh, disa prej të cilave janë konkretizuar me botime librash apo broshurash.

Autoriteti i Mediave Audiovizive është pjesë e Aleancës Kundër Gjuhës së Urrejtjes, në përbërje të së cilës janë katër institucione dhe një organizatë jo-fitimprurëse. Gjatë vitit 2021, Aleanca ka vijuar takimet dhe diskutimet mbi dukurinë e gjuhës së urrejtjes dhe pasojat e saj në shoqëri. Gjithashtu, në bashkëpunimin me Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, është ndërmarrë një fushatë sensibilizuese për të sfiduar urrejtjen dhe diskriminimit në media, me qëllim ndërgjegjësimin e sa më shumë aktorëve apo elementëve të shoqërisë shqiptare.

AMA, në muajin nëntor 2021, miratoi Planin Numerik Frekuencor, sicc njihet ndryshe DD2, lirimi i brezit 700 MHz) për transmetimet audiovizive numerike tokësore në Republikën e Shqipërisë dhe në zbatim të këtij vendimi, inicioi procesin e koordinimit të brezit UHF me vendet fqinje, në momentin që flasim, ky proces është drejt përfundimi, për sa i përket vendeve fqinjëve.

Një rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe përmirësimit të aseteve teknike pranë studios së monitorim/arshivës. Gjatë vitit 2021 u bë i mundur instalimi i pajisjeve të reja për regjistrimin e subjekteve audio, në të gjithë territorin e vendit. Falë këtij investimi, AMA, tashmë mund të ndjekë, në kohë reale, tërësinë e programeve që transmetojnë të gjithë subjektet audio FM lokale, rajonale apo kombëtare. Gjithashtu, në funksion të monitorimit të proceseve zgjedhore, u investua në sektorin e përpunimit të të dhënave në periudhën zgjedhore, duke bërë të mundur blerjen e një softi për përpunimin e të dhënave sasiore të subjekteve audio dhe audiovizive në transmetim. Programi u ndërtua mbi bazën e kërkesave dhe rekomandimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në Metodologjinë për monitorimin e zgjedhjeve.

Në muajin korrik, pata rastin të zhvilloj një takim pune me Përfaqësuesen e Lartë për Lirinë e Medias në OSBE, Vjenë, znj. Teresa Ribeiro. Gjatë këtij takimi, u përmendën shtyllat kryesore të aktivitetit të Autoritetit, si mbrojtja dhe të drejtat e fëmijëve, mbrojtja e gazetarëve, të drejtat e autorit, transpozimi i  direktivës AVMS 2018/1808 të BE-së dhe në çështje të tjera të hapësirës mediatike, të cilat kërkojnë vëmendje në vijimësi. Pas një kohë të shkurtër, znj.Ribeiro ishte në Tiranë dhe u angazhua në një Konferencën Ndërkombëtare të organizuar nga AMA.

Këshilli i Ankesave pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive, edhe gjatë vitit 2021 dhe vijimit të pandemisë së krijuar nga Covid-19, në përmbushje të detyrave, objektivave të përcaktuara, angazhimeve dhe rekomandimeve të Kuvendit të Shqipërisë, ka vijuar mbikëqyrjen e zbatimit të Kodit të Transmetimit dhe të rregulloreve të miratuara nga AMA.

Gjatë gjithë periudhës raportuese, Këshilli i Ankesave ka shqyrtuar mbi 300 ankesa, të ardhura nga individë, shoqata e organizata të shoqërisë civile. Pjesa më e madhe e shqetësimeve dhe ankesave të ardhura kishin si objekt të tyre shkeljen e të drejtave të njeriut, të normave ligjore dhe etike, shkeljen e të drejtave të fëmijëve, cenimin e dinjitetit, si dhe disa ankesa të shtuara ndaj rrjeteve sociale, portaleve dhe gazetave.

Në zbatim dhe të rekomandimeve të Kuvendit të Shqipërisë, gjatë vitit 2021, AMA ka lidhur 2 marrëveshje bashkëpunimi me institucione, aspektet e punës së të cilave lidhen me fushën e veprimit të Autoritetit, me qëllim krijimin e hapësirave dhe lehtësimin e formave të koordinimit të punës.

Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit me qëllim garantimin dhe mbështetjen operacionale, teknike dhe ligjore në fushat me interes të përbashkët për të dyja palët.

Gjithashtu, është nënshkruar Marrëveshja e Mirëkuptimit “Mbi bashkëpunimin dhe ndërveprimin ndërinstitucional” midis Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA). Ky material do t’i vijë në ndihmë AMA-s, për përgatitjen paraprake mbi çështjet që do të diskutohen dhe miratohen në Konferencën Botërore të Radiokomunikacionit (WRC) e cila do të zhvillohet në vitin 2023, çështje për të cilat administrata shqiptare, si anëtare me të drejta të plota në ITU, do të ketë vendimmarrje.

Pjesëtarë të stafit të AMA-s gjatë vitit 2021, kanë marrë pjesë në më shumë se 37 konferenca, takime, tryeza diskutimi brenda e jashtë vendit, me homologët dhe bashkëpunëtorët për tema që lidhen me veprimtarinë e autoritetit. Po ashtu, gjatë vitit 2021, AMA, si në vitet e mëparshme, ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me homologët, në kuadër të pjesëmarrjes në organizmat evropiane apo rajonale të medias audiovizive, si EPRA, ERGA, BRAF, MNRA, REFRAM etj.

Perpara Mbrojtja e fëmijëve nga përmbajtjet e dëmshme audiovizive mbetet prioritet

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2021 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara