Problematikat e operatorëve lokalë nga procesi i dixhitalizimit diskutohen në AMA

Problematikat e operatorëve lokalë nga procesi i dixhitalizimit diskutohen në AMA

Ditën e enjte, në datë 05.07.2018, në mjediset e Autoritetit të Mediave Audiovizive, AMA u zhvillua një takim me shoqatën e Transmetuesve Radiotelevizivë Kabllorë Valorë, RTL, drejtuar nga z. Edmond Isaku, si dhe përfaqësuesve të mediave lokale private në vend, me kërkesën e tyre.

Në një kohë kur procesi i dixhitalizimit të transmetimeve televizive po shtrihet në të gjithë territorin e vendit, operatorët lokale prezantuan disa shqetësime, të cilat lidhen me vazhdimësinë e transmetimeve, ndërkohe që u duhet të përballen dhe me kosto të larta financiare si rrjedhojë e aplikimeve të teknologjisë së re. 

Takimi kishte në fokus diskutimin mbi vlerën e tarifës së miratuar për mbështetjen e subjekteve audiovizive analogë në rrjetin numerik të Radio e Televizionit Shqiptar (RTSH), për integrimin në platformën e tyre, licencimin e subjekteve ekzistues për ndërtimin e platformave lokale.

Subjektet audiovizive analoge, u shprehen se nuk mund të përballojnë këto tarifa e si rrjedhojë rrezikohet vazhdimësia e transmetimeve të tyre me kalimin në numerik.

Një tjetër çështje e parashtruar prej tyre në diskutim ishte edhe kompensimi financiar për të mbuluar kostot e këtyre subjekteve për ndryshimin e teknologjisë së transmetimit dhe investimeve të bëra prej televizioneve lokale.

Gjatë takimit përfaqësuesit e shoqatës u shprehën të shqetësuar mbi tarifën e lartë për mbështetjen e operatorëve analogë në platformën digjitale të Transmetuesit Publik dhe parashtruan se kjo tarifë nuk është konsultuar me ta, nuk janë marrë parasysh shpenzimet e tyre, si dhe nuk po zbatohet ligji nr. 34/2017 “Për lirimin e frekuencave të dixhital-dividentit” të ndryshuar, për kompensimin e tyre gjatë vitit të parë të mbështetjes në rrjetet numerike.

Kryetari i AMA-s, z. Gentian Sala, u shpreh se i mirëkupton në shqetësimin e tyre dhe i siguroi që së shpejti do të fillojë të zbatohet ligji nr. 34/2017, i sipërcituar, objekt i të cilit është ndër të tjera edhe mbulimi i kostos së tarifës së mbështetjes së operatorëve analogë në rrjetet numerike gjatë vitit të parë. Lidhur me tarifën e miratuar për mbështetje në rrjetin e RTSH-së, z.Sala theksoi se caktimi i tarifës mujore për mbështetjen e operatorëve ekzistues analogë për një allotment, në rrjetin numerik të ndërtuar nga RTSH, është bazuar në të dhënat e paraqitura nga RTSH për kostot e mirëmbajtjes së rrjetit, të vlerësuara më tej nga AMA.

Gjatë takimit u diskutua edhe mbi kërkesën e operatorëve lokalë të pranishëm për ndërtimin e rrjeteve numerike lokale. Nga ana e tij z. Sala, u bëri me dije subjekteve se pas një procesi koordinimi me institucionet përkatëse, plani i frekuencave numerike ku bëjnë pjesë frekuencat lokale pritet të ndryshojë për shkak të lirimit të dividendit të dytë digjital, si pasojë e vendimeve të institucioneve të BE-së. Ndërkohë, siç u tha në takim, të gjitha vendet e rajonit e me gjerë, kanë filluar tashmë të veprojnë për lirimin e tyre.

Kryetari i AMA-s i mirëkuptoi shqetësimet dhe propozimet e operatoreve dhe shprehu vijimin e angazhimit për zgjidhjen e tyre.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 05.07.2018