E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Mbrojtja e fëmijëve në shërbimet e medias audiovizive – Sfidat drejt së ardhmes

 

Mbrojtja e fëmijëve në shërbimet e medias audiovizive – Sfidat drejt së ardhmes

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), dhe Këshilli i Ankesave, si një nga strukturat kryesore të tij, organizoi të mërkurën, më datë 24.01.2018, Tryezën e Rrumbullakët, me temë “Mbrojtja e fëmijëve në shërbimet e medias audiovizive – Sfidat drejt së ardhmes”.

Pjesë e kësaj Tryeze ishin përfaqësues të televizioneve, Komisionit Parlamentar të Medias, Ministrisë së Arsimit Rinisë dhe Sporteve , Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale , Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, organizmave ndërkombëtarë, Institutit Shqiptar të Medias, studentë të gazetarisë etj.

Tryeza e Rrumbullakët, që vjen fill pas miratimit të Kodit të ri të Transmetimit, synoi të promovojë kulturën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në transmetimet audiovizive e të rrisë ndërgjegjësimin e publikut dhe të gjithë aktorëve të interesuar mbi këtë çështje. Nga ana tjetër, kjo Tryezë tregoi gatishmërinë e të gjithë aktorëve për të nxitur dhe zbatuar rregullat etike të Kodit të Transmetimit dhe të përmirësojë cilësinë e përmbajtjes së prodhimeve audiovizive.

Në fjalën e tij, kryetari i AMA-s, Gentian Sala, theksoi se fokusi kryesor i AMA-s është mbrojtja e të drejtave të fëmijëve. Z. Sala tha se takime të tilla janë shumë të nevojshme, ashtu si dhe kanë rezultuar efikase deri tani, pasi organizatat partnere dhe aktorët e tjerë të kësaj fushe e kanë konstatuar progresin e deritanishëm. “Kemi një situatë më të mirë, por ‘mjaft’ nuk është asnjëherë”, tha kreu i AMA-s.

Ndërsa znj. Monika Stafa, kryetare e Këshillit të Ankesave, pasi vuri në dukje bashkëpunimin e mirë dhe efikas të kësaj strukture me organizatat në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve, shpjegoi arsyet pse fëmijët janë në vëmendjen kryesore të vetë AMA-s dhe Këshillit të Ankesave: Sepse edhe numri më i lartë i ankesave të mbërritura në Këshill lidhen pikërisht me shkeljen e të drejtave dhe privacisë së fëmijëve”.

Zv. Ministrja e Arsimit Znj. Besa Shahini theksoi se është shumë e rëndësishme t’i mbrojmë fëmijët nga fake news, po ashtu edhe ekspozimi i dëmshëm mediatik. Edukimi mediatik dhe rëndësia e përfshirjes në kurrikula e këtij orientimi mbeten ende sfida të institucioneve të cilat kanë fokus fëmijët.

Këshilltarja e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Alma Sulstarova, e cila foli në emër të zv/ ministres së Shëndetsisë znj. Bardhylka Kospiri theksoi disa nga problematikat e publikimit të informacioneve në media që i bën fëmijët të identifikueshëm. Pasojat e këtyre publikimeve bien mbi fëmijët, theksoi në fjalën e saj dhe përfaqsuesja e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e Fëmijëve, znj. Anila Bregu e cila shtoi se bazuar në  risitë ligjore mbi median duhen propozuar ndryshime  në kurrikulën e  arsimit për studentet e gazetarisë.

Më tej, pjesëmarrësit në tryezë diskutuan për mbrojtjen sociale të fëmijëve, bashkëpunimin me institucionet, problemet e evidentuara që kërkojnë adresim dhe zgjidhje, edukimin për mediat dhe fëmijët, praktikat më të mira të raportimeve mediatike, si dhe përmirësimet ligjore në fushën e të drejtave të fëmijëve. Edhe pse situata, sipas tyre, është përmirësuar sa u përket raportimeve mediatike që kanë fëmijët në qendër të tyre, ata sollën në vëmendje raste kur janë shkelur të drejtat e fëmijëve dhe privacia e tyre.

Në fund të takimit, u sugjerua që rekomandimet e tryezave të tilla t’u përcillen edhe redaksive, gazetarëve dhe editorëve, në mënyrë që të kenë parasysh rregullat etike, dhe nga ana tjetër, të jetë objektiv trajnimi i vazhdueshëm të gazetarëve për ligjet që lidhen me të drejtat e fëmijëve dhe normat apo parimet etike.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 24.01.2018

Perpara 31 Mars 2018, afati përfundimtar për mbylljen e transmetimeve analoge në qarkun e Fierit

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara