AMA pret në takim misionin parazgjedhor të Komisionit Ad Hoc për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, i Asamblesë Parlamentare të KiE-së.

 AMA pret në takim misionin parazgjedhor të Komisionit Ad Hoc për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, i Asamblesë Parlamentare të KiE-së.

Ditën e enjte, më 1 Qershor 2017, në Autoritetin e Mediave Audiovizive, AMA, u zhvillua një takim pune me anëtarë të misionit parazgjedhor të Komisionit Ad Hoc për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës.

Delegacioni që kryesohej nga Z. Paolo Corsini, i Grupit Parlamentar të Partive Socialise kishte në  qendër të  interesimit mbi situatën politike dhe zhvillimet në vend përpara zgjedhjeve parlamentare të 25 Qershorit 2017, si dhe për rolin dhe angazhimin e AMA-s në këtë proces.

Kryetari i Autoritetit, Z. Gentian Sala, prezantoi para delegacionit kontributin konkret të institucionit gjatë periudhës njëmujore të fushatës zgjedhore, ku në bazë të Kodit Elektoral të Republikës së Shqipërisë dhe të marrëveshjes së bashkëpunimit AMA – KQZ, Autoriteti lë në dispozicion infrastrukturës teknike dhe teknologjike të monitorimit të subjekteve audio dhe audiovizive, si dhe burimet e nevojshme njerëzore. Përqëndrimi i AMA-s në këtë periudhë është që shërbimi i ofruar dhe rezultatet e monitorimit të jenë sa më të sakta dhe profesionale, sikundër kanë qenë dhe zgjedhjet e kaluara, të vlerësuara pozitivisht dhe nga misioni I vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it.

AMA bashkëpunon në nxjerrjen dhe përpunimin e rezultateve të mënyrës së mbulimit që i bëjnë fushatës zgjedhore subjeketet audio dhe audiovizivë me Bordin e Monitorimit të Medias, BMM, si strukturë ligjore e KQZ-së. Gjatë takimit u nënvizua fakti se objekt i monitorimit janë mënyra se si pasqyrohet fushata në edicionet informative apo programet e dedikuara për garën mes partive politike dhe kandidatëve.

Interesimit të delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, mbi të dhënat nga aktiviteti i operatorëve lokalë, rajonalë dhe kombëtarë, z. Sala iu përgjigj duke prezantuar produktin cdo 6 muaj të AMA-s, në print dhe online, me treguesit e performancës së tregut audioviziv në Republikën e Shqipërisë, apo me publikimin në internet cdo muaj të ndarjes kohore që subjektet iu lënë partive politike dhe institucioneve, si dhe volumit të reklamave.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 1 Qershor 2017

AMA publikon Buletinin Periodik me të dhëna të tregut audioviziv

AMA publikon Buletinin Periodik me të dhëna të tregut audioviziv

Autoriteti i Mediave Audiovizive, sot, prezantoi Buletnin Perdiodik Nr. 1 –të dhëna nga dinamika e tregut audioviziv në Republikën e Shqipërisë (janar-qershor 2016).

Buletini është përmbledhje e treguesve mbi sektorin e mediave audiovizive në Republikën e Shqipërisë, duke përmbushur në këtë mënyrë edhe një nga funksionet kryesore të që i atribuohen AMA-s nga ligji për mediat audiovizive.

Takimi ishte i organizuar në dy seanca prezantuese: “Transparenca e aktivitetit audioviziv, ndikimi në treg dhe tek konsumatori”; “Misioni dhe funksioni i një Buletini Periodik- vështrim në dinamikën e treguesve të Edicionit të Parë”, ku referuan Z. Gentian Sala, Kryetar i Autoritetit të Mediave Audiovizive, dhe Z. Arben Muka Drejtor i Programeve në AMA.

Modernizimi që sjell ky botim në fushën e medias u vlerësua nga të pranishmit. Po ashtu edhe fakti që deri më tani kanë munguar të dhëna të tilla për subjektet audiovizivë.

Në seancën e diskutimeve u trajtuan disa tema, si: “Rregullimi i tregut të punës në radhët e operatorëve audiovizivë përmes standardizimit të marrëdhënieve kontraktuale punëdhënës – punëmarrës” nga Znj. Irida Qosja, përgjegjëse sektori në Inspektoriatin Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore; “Aspekte metodologjike në mbledhjen, përpunimin dhe publikimin e të dhënave statistikore” nga Znj. Delina Ibrahimaj, drejtoreshë e përgjithshme në INSTAT; “Rëndësia e botimit të të dhënave e besueshmëria tek publiku dhe grupet e interesit” nga dr. Selami XHEPA, zëvendësrektor në UET; “Kurikula e e studimeve në Gazetari dhe Shkencat e Komunikimit në përputhje me nevojat e industrisë mediatike, si dhe trendet e përhapjes së internetit dhe rrjeteve sociale” nga Prof. Asoc Mark Marku, përgjegjës i Departamentit të Gazetarisë & Komunikimit në Universitetin e Tiranës; “Kualifikimi i gazetarëve dhe redaktorëve të medias audiovizive për respektimin e Kodit të Transmetimit dhe parimeve deontologjike”, nga Z. Remzi LANI, drejtor i Institutit Shqiptar të Medias në Tiranë.

Ky buletin është i dyti i publikuar, nga AMA, brenda këtij viti pas atij të Këshillit të Ankesave.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 30.05.2017

Autoriteti i Mediave Audiovizive organizon tryezën e diskutimit: Transmetimi i reklamave dhe komunikimeve tregetare – dukuri dhe qasje ligjore ne tregun audioviziv

Autoriteti i Mediave Audiovizive organizon tryezën e diskutimit: Transmetimi i reklamave dhe komunikimeve tregetare – dukuri dhe qasje ligjore ne tregun audioviziv

Autoriteti i Mediave Audiovizive organizoi, të enjten, datë 16 mars tryezën e diskutimit me temë: Transmetimi i reklamave dhe komunikimeve tregetare – dukuri dhe qasje ligjore ne tregun audioviziv. Kjo tryezë diskutimi vjen pas një sërë hapash që AMA ka ndërmarrë në zbatimin e plotë të ligjit dhe rolit të saj në hapësirën audiovizive.

Hapësira e reklamave dhe komunikimeve tregtare ka qenë dhe mbetet një ndër fokuset kryesore të AMA-s për të nxitur subjektet audiovizive në respektimin e kuadrit ligjor në fuqi, në shërbim të informimit dhe orientimit sa më të mirë të publikut. Problematikën që haset në këtë aspekt, Autoriteti e ka bërë prezent në komunikimet shkresore dhe të drejtpërdrejta me OSHMA-të.

Kryetari i Autoritetit të Mediave Audiovizive gjatë kësaj tryeze Z. Gentian Sala tha se ky takim është vazhdë e filozofisë së AMA-s për partneritet me OSHMA-të, si një zgjedhje që forcon zbatueshmërinë e kuadrit legjislativ, që ndikon drejtpërdrejt në aktivitetin dhe performancën e vetë subjekteve audio dhe audiovizive, që ka efekte dhe impakt pozitiv tek publiku.

Drejtori i Programeve në AMA, Z. Arben Muka tha se nga fundi i vitit 2015 dhe gjatë vitit 2016-të dhe në vijim aspekti i emetimit të reklamave dhe komunikimeve tregtare nga OSHMA-të është në listën e prioriteteve për Autoritetin.

Në këtë takim ishin të ftuar aktorë të cilët kanë rol thelbësor në përmbushjen dhe bashkërendimin e forcave për rregullimin e tregut të reklamave: Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, ku Znj. Ina Verzivolli foli për “Reklamat dhe mbrojtjen e të miturve, përmirësimet ligjore në këtë aspekt”, Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë, ku Z. Fatmir Brahimaj foli për “Promocionin audioviziv për shëndetin dhe respektimin e Kodit të etikës dhe deontologjinë mjekësore”, nga Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë, Znj. Diana Toma foli për “Rekomandimet për barnat përmes transmetimeve audiovizive”.

Z. Brahimaj, President i Urdhrit të Mjekut, theksoi se ai është i vendosur që të bashkëpunojë për vendosjen e besimit pacient-mjek, sigurimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor, ruajtjen me ndërshmëri të profesionit mjekësor dhe parandalimin e ushtrimit të tij në mënyrë të pandershme.

Znj. Toma, Presidente e Urdhrit të Farmacistëve tha se ka angazhim të plotë nga ana e këtij urdhri që të ketë rigorozitet në zbatim të të gjitha rregullimeve në përmbushjen e etikës.

Znj. Ina Verzivolli, tha se është e angazhur që të rrisin rolin promovues të të drejtave të fëmijëve në media.

Ky takim ishte një rast shumë i mirë për prezantimin e gjetjeve dhe dukurive të evidentuara gjatë monitorimeve të përmbajtjeve të emetuara nga subjektet audiovizive: mënyrat e menaxhimit të hapësirës promocionale dhe impakti tek audienca; reklamat dhe mbrojtja e fëmijëve; promocioni audioviziv për shëndetin dhe rekomandimi për barnat përmes transmetimeve audiovizive etj.

Në tryezë merrnin pjesë: përfaqësues nga Instituti i Medias, Departamenti i Gazetarisë, OSHMA-të lokale dhe kombëtare, organizatat dhe partnerët ndërkombëtar në vend. Kjo tryezë e parë me ketë fokus do të pasohet nga tryeza të tjera të cilat do të dalin me rekomandime dhe masa më konkrete.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 16 Mars 2017

AMA vijon konsultat informuese me operatorët e allotmentit Tiranë-Durrës për procesin e digjitalizimit

 AMA vijon konsultat informuese me operatorët e allotmentit Tiranë-Durrës për procesin e digjitalizimit

Autoriteti i Mediave Audiovizive zhvilloi sot një takim me operatorët e allotmentit të zonës Tiranë Durrës. Ky takim vijon në vazhdën e takimeve konsultuese që Autoriteti po ndërmerr dhe do të vijojë deri në implementin e plotë të procesit të digjitalizimit në vend.

Takimi ishte organizuar në formën e një workshop-i dhe operatorët patën mundësi të shtronin pyetjet e tyre për problematika që i shqetësojnë drejtpërsëdrejti. Për t’i dhënë një përgjigje sa më të plotë, bashkë me përfaqësues të AMA-s, në takim ishin edhe përfaqësues nga Radiotelevizioni Shqiptar dhe Ministria e Inovacionit dhe Adminitratës Publike.

Një nga pikat kryesore të takimit ishte edhe tarifa e përcaktuar nga RTSH dhe miratuar nga AMA në lidhje me mbështetjen e operatorëve vendorë në rrjetin e Operatorit Publik.

Tarifa mujore për mbështetjen e operatorëve vendorë lokale për allotmentin e Tiranë Durrës, në rrjetin e RTSH-së e propozuar nga RTSh dhe e miratuar nga AMA është në vlerën 2146 euro/muaj pa përfshirë TVSH-në. Kjo tarifa është llogaritur pa asnjë marzh fitimi për operatorin publik.

Tarifa mujore për mbështetjen në një allotment, do zbatohet për jo më shumë se 1 vit, ndërkohë që për vitet pasardhëse AMA do të shprehet me vendim duke u bazuar në vlerësimin e zërave financiarë që do të pasqyrohen në situatën reale të operimit të rrjetit numerik tokësor gjatë vitit të parë.

Në ditët në vijim operatorët do të njoftohen nga AMA për të dhënë dakordësinë e tyre në lidhje me mbështetjen e tyre në rrjetin e RTSH-së.

Në takim u dha përgjigje edhe pyetjeve teknike të drejtuara nga operatorët.

AMA në kuadër të fushatës informuese për procesin e digjitalizimit, do të vijojë me takimet konsultative me të gjithë operatoret audioviziv që operojnë në vend.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 7 shtator 2016

AMA në konsultë informuese me operatorët e allotmentit të Tiranës

AMA në konsultë informuese me operatorët e allotmentit të Tiranës

Autoriteti i Mediave Audiovizive në kuadër të fushatës së informimit mbi procesin e digjitalizimit, ditën e martë, më datë 19.07.2016 zhvilloi një takim konsultativ me të gjithë ofruesit e shërbimit audioviziv që operojnë në qarqet e Tiranës dhe Durrësit. Siç ka lajmëruar edhe Radio Televizioni Shqiptar, në fillim të muajit tetor fillon procesi i digjitalizimit për këtë allotment.

Në takimin e mbajtur, Kryetari i AMA-s, Z. Gentian Sala, Drejtori i Kabinetit Z. Dritan Xhelili dhe Drejtori Teknik i RTSH-së Z. Ermir Agaçi informuan më thellësisht operatorët mbi atë se çfarë do të ndodhë pas datës 1 tetor, kur dhe pritet të fillojnë transmetimet digjitale.

Kryetari i AMA-s Z. Sala tha se Autoriteti nga ana e tij do të mbikqyrë me përpikmëri kontratën që do të lidhet midis RTSH dhe operatorëve në çdo rast si dhe mosmarrëveshjet ndërmjet tyre.

Tarifa e mbështetjes në rrjetin e RTSH, në allotmentin Tiranë-Durrës, gjatë vitit të parë do të jetë 2146 Euro dhe për vitet pasardhës tarifa do të përllogaritet bazuar në të dhënat faktike të mirëmbajtjes së rrjetit. Operatorët vendorë privatë të allotmentit Tiranë-Durrës që do të zgjedhin të mbështeten në rrjetin e RTSH-së do të mund të transmetojnë programet e tyre nga 9 pika transmetimi të instaluara në këto qarqe.

Pjesëmarrësit u informuan gjatë takimit edhe për çështje të ndryshme ligjore, teknike, programore dhe financiare, në kuadër të procesit të kalimit në transmetime numerike si dhe për mbështetjen e tyre në rrjetet që RTSH është duke ndërtuar.

Operatorët nga ana e tyre ngritën shqetësim në lidhje me zonat e mbulimit, detyrimet financiare, llojin e dekoderave dhe mënyrën që është menduar për shpërndarjen e tyre për familjet në nevojë dhe paqartësira të tjera teknike.

Me qëllim që kalimi i transmetimeve nga analoge në numerikë të realizohet sa më thjeshtë dhe që procesi të jetë i kuptueshëm dhe i aksesueshëm për operatorët dhe teleshikuesit, AMA ka planifikuar të zhvillojë edhe një sërë takimesh të tjera me të gjithë operatorët e tjerë që ofrojnë shërbimet e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 19 Korrik 2016

AMA në takim konsultativ me operatorët analogë privatë vendorë për diskutimin e tarifës së mbështetjes në rrjetin numerik të RTSH-së

IMG_4272

AMA në takim konsultativ me operatorët analogë privatë vendorë për diskutimin e tarifës së mbështetjes në rrjetin numerik të RTSH-së

Ditën e premte, më datë 19 shkurt Kryetari i AMA-s, Z. Gentian Sala, Zëvendëskryetari Z. Sami Nezaj, Drejtori i Kabinetit Z. Dritan Xhelili si dhe Drejtori Teknik i Radio Televizionit Shqiptar Z. Ermir Agaçi pritën në një takim konsultativ, të organizuar nga AMA, operatorët privatë vendorë, për të diskutuar mbi tarifën që këtyre operatorëve do t’i duhet të paguajnë për mbështetjen e programeve të tyre në rrjetin numerik të televizionit publik.

 Kryetari i AMA-s i njohu operatorët me vendimin që ka marrë operatori publik për tarifën që operatorët do të duhet të paguajnë në muaj, rrjetit të televizionit publik. Ai theksoi se për AMA-n është shumë e rëndësishme zëri i operatorëve dhe marrja e mendimit të tyre për këtë tarifë që rrjeti publik propozon.

 Tarifa e propozuar nga RTSH konsideron vetëm zërat financiar që lidhen me mirëmbajtjen e rrjetit numerik duke mos përfshirë kostot e ndërtimit të rrjetit. Gjatë takimit u diskutua edhe propozimi i RTSh-së mbi diferencimin e tarifave për allotmente të ndryshme, ku për allotmentin e Tiranës do të aplikohet dyfishi i tarifës, për zonat bregdetare dhe Korçës do të aplikohet 1.5 e tarifës dhe për zonat e tjera 0.5 e tarifës së propozuar.

Z. Agaçi theksoi se RTSH-ja do të dalë me transmetimet numerike on air duke filluar nga muaji prill në allotmentin e Tiranës. Ai gjithashtu, deklaroi se RTSH është garanti për cilësinë dhe ecurinë e transmetimeve DVB-T2 të cilat sigurohen nga rrjeti tërësisht i ri.

 Nga ana e tyre operatorët shprehën shqetësim për tarifën mujore të propozuar nga RTSH dhe kërkuan ndihmën e AMA-s për të negociuar mbi vlerën e tarifës. Ata propozuan gjithashtu edhe një periudhë dy vjeçare subvencioni nga ana e shtetit për këtë tarifë.

Z. Sala, i siguroi operatorët që AMA, mbas vlerësimit të zërave financiarë dhe metodologjisë së përllogaritjes së tarifës të mbështetjes, që RTSH-ja ka propozuar, do të shprehet së shpejti në lidhje me miratimin e tarifës.

 Nga të gjitha palët takimi i mbajtur sot u cilësua si i domosdoshëm dhe tejet i rëndësishëm për procesin.

 Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë më, 19.02.2016

AMA në takim konsultativ për ndërgjegjësimin dhe zbatimin e të drejtës së autorit

IMG_4254

AMA në takim konsultativ për ndërgjegjësimin dhe zbatimin e të drejtës së autorit

Ditën e hënë, më datë 15 shkurt, Autoriteti i Mediave Audiovizive organizoi një takim me OSHMA-të dhe agjencitë e administrimit kolektiv të të drejtave të autorit me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të të gjitha palëve për rëndësinë e të drejtave të transmetimit/autorit si pjesë e pronësisë intelektuale.

Ky takim u organizua në kuadër të përmbushjes së detyrime që burojnë nga Ligji nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i cili është i harmonizuar tërësisht me acquis communitaire dhe standardet europiane, dhe përcakton Autoritetin e Mediave Audiovizive, si autoritetin rregullator në fushën e shërbimeve të transmetimeve audio dhe audiovizive dhe nga kjo rrjedh si detyrë funksionale e tij monitorimi dhe mbrojtja e të drejtave të transmetimit dhe të autorit.

Në takim ishin të ftuar përfaqësues nga Ministria e Kulturës, Zyra Shqiptare për të Drejtën e Autorit (ZSHDA), Autoriteti i Konkurrencës, agjencia e administrimit kolektiv AKDIE, agjencia e administrimit kolektiv FMAA, agjencia e administrimit kolektiv ALBAUTOR, Shoqata “Rrjeti i Televizioneve Lokale Valore dhe Kabllore” si dhe përfaqësues nga orfruesit e shërbimit mediatik audio dhe audioviziv.

Temat kryesore të takimit ishin: agjencitë e administrimit kolektiv; efektshmëria e tyre në treg; e drejta e (ri)transmetimit vs. të drejtës së autorit; mosmarrëveshjet në lidhje me tarifat e agjencive të administrimit kolektiv; transparenca në lidhje me mënyrën e llogaritjes së tarifave ndaj subjekteve; mosmarrëveshjet midis subjekteve audio e audiovizivë dhe agjencive në lidhje me listën e produkteve të pronësisë intelektuale.

Takimi u moderua nga Zëvendëskryetari i AMA-s z. Sami Nezaj, i shoqëruar në panel nga Drejtori i Programeve z. Arben Muka, Drejtori Juridik dhe i Licencave z. Enkelejd Lamaj si dhe zj. Sevada Guco, përgjegjës sektori, pranë AMAs. Z. Nezaj, gjatë takimit vuri theksin në zbatimin e të drejtave dhe detyrimeve nga të gjitha palët e interesuara dhe të prekura. AMA, nga ana e saj është në konsultë të vazhdueshme me ZSHDA-në por edhe me OSHMA-të duke i kushtuar vëmendje të veçantë garantimit të së drejtës së transmetimit dhe të autorit. Z. Nezaj tha se këto debate ndihmojnë edhe në projekt-ligjin për të drejtat e autorit që aktualisht është duke u hartuar.

Z. Evien Dako, Drejtor i ZSHDA-së, theksoi nga ana e tij se është kriter i Bashkimit Europian licencimi i produkteve dhe respektimi i të drejtës së autorit. Ai kërkoi që pranë ZSHDA-së të depozitohen të gjitha kontratat që rregullojnë respektimin e këtyre të drejtave, ku të përfshihen: afati i transmetimit, kohëzgjatja dhe territori, në të cilin ai produkt do të transmetohet.

Gjithashtu, nga agjencitë e licencuara të administrimit kolektiv u kërkua që AMA të jetë më e kujdesshme në licencimin dhe rilicencimin e  OSHMA-vë që nuk respektojnë të drejtën e autorit.

OSHMA-të gjatë diskutimeve kërkuan transparencë dhe tarifa të logjikshme për transmetimin e programeve. Kjo duhet të përkthehet në produkte të certifikuara nga zyrat për mbrojtjen e të drejtave të autorit, dhe agjencitë e licencuara të administrimit kolektiv. Po ashtu, operatotët në takim theksuan se ata do të donin që gjithë produksionet e para viteve ’90 t’i transmetonin lirisht dhe pa barriera në programacionin e tyre.

Ky takim vjen në periudhën kur është në proces miratimi projekt-ligji për të drejtat e autorit. Ky ligj vendos si asnjëherë më parë në qendër të vëmendjes autorin krijues dhe renditet ndër legjilacionet më të avancuara në Europë për këtë temë.

Nga të gjitha palët u ra dakord se ky takim nuk i shteroi të gjitha problamatikat në lidhje me këtë çështje por është një hap më tej në trajtimin e tyre. Interesi për  këtë takim ishte shumë i madh nga të gjitha palët e interesuara.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 15.02.2016

Takim pune me subjektet kabllore

 Takimi i parë me operatorët televizivë vendorë mbi ecurinë e procesit të digjitalizimit

Ditën e hënë më datë 1 Qershor 2015,  Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, zhvilloi në Tiranë një takim konsultativ me operatorët televizivë lokalë dhe rajonalë në kuadër të procesit të digjitalizimit. Fokusi kryesor i diskutimit ishte mbi problematikat e mbështetjes së operatorëve në rrjetin e TVSH-së, si dhe përllogaritjen e tarifave përkatëse. Kryetari i AMA-s, z. Gentian Sala, në hyrje të takimit theksoi rëndësinë e digjitalizimit dhe vëmendjen që ka ky institucion për të pasur një proces transparent dhe të bazuar në legjislacionin shqiptar dhe në strategjinë kombëtare të kalimit të transmetimeve nga analogu në numerik, duke sjellë një produkt më të mirë për publikun dhe me kosto sa më të ulët.

Gjatë takimit nga pjesëmarrësit u trajtuan probleme të tilla si, kuadri ligjor për kalimet në transmetimet numerike, proceset që do të realizohen për mbylljen e transmetimeve analoge aktuale, stadi aktual i digjitalizimit të rrjeteve analoge tokësore të transmetuesit publik, i cili është i zhbllokuar pas nënshkrimit të kontratës me shoqërinë “Rhode & Shwartz”, ecuria e digjitalizimit të rrjeteve analoge tokësore të operatorëve private kombëtare, alternativat që mund të zgjedhin operatorët privatë  lokal ekzistues për digjitalizimin e rrjeteve analoge tokësore etj.
Gentian Sala shprehu qartë rolin e AMA-s, si autoritet rregullator, duke siguruar që tarifat që duhet të paguajnë operatorët privatë të jenë të mjaftueshme për mbarëvajtjen financiare të RTSH-së, si dhe që kjo tarifë e paguar prej tyre, të jetë e përballueshme për ta në mënyrë që të përmbushet objektivi kryesor, digjitalizimi.

Ky ishte takimi i parë me subjektet televizive lokale dhe rajonale, që do të vijojë dhe me tryeza të tjera konsultative, për të shkëmbyer ide dhe informacion, në arritjen e një konsensusi sa më shpejtë mes operatorëve privatë, RTSH-ës dhe AMA-s.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 1 qershor 2015

Vizita në Autoritetin Holandez të Mediave

Në datat 7-8 maj 2015 një delegacion i Autoritetit të Mediave Audiovizive, AMA mbështetur nga Këshilli i Europës ishte në Holandë ku zhvilloi takime pune në Autoritetin Holandez të Mediave (Commissariaatvoor de Media), në Institutin Holandez të Klasifikimit të Përmbajtjes së Medias Audiovizive (NICAM), në Fondacionin Holandez të Transmetimeve, CoBo, në Organizatën e Transmetimit që përbën sistemin e transmetimit publik Holandez, NOS Newsroom etj.

Qëllimi i vizitës ishte njohja me këto institucione, përvetësimi i eksperiencave më të mira në fushën e transmetimeve audiovizive, si dhe për të parë shembullin e funksionimit të Autoritetit Rregullator Holandez. Në kuadër të reformave në fushën e digjitalizimit të medias elektronike, trajnimi dhe njohja e administratës së AMA-s me standardet dhe praktikat më të mira evropiane dhe ndërkombëtare në fushën e medias elektronike, është garanci e shtuar në këtë drejtim.
Vizita në Autoritetin Holandez të Mediave u fokusua në mënyrë të veçantë te detyrat dhe kompetencat e institucionit, kalimin nga transmetimet analoge në transmetimet digjitale, bashkëpunimin ndërkombëtar, sfidat e teknikave të reja të reklamave dhe televizioneve si dhe në kërkimet programore.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 7-8 maj 2015

 

Takim pune me subjektet kabllore

Autoriteti i Mediave Audiovizive, në datën 15 dhjetor 2014, në mjediset e Hotel “Tirana Internacional”, në Tiranë, organizoi veprimtarinë “Takim pune me subjektet kabllore”. Ky takim u zhvillua me pjesëmarrjen e të gjithë subjekteve kabllore të licencuar nga AMA, në të gjithë territorin e vendit.

më shumë