Ndalimi i reklamës që cënon të drejtat e konsumatorëve

Ndalimi i reklamës që cënon të drejtat e konsumatorëve

Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, ka marrë ankesa së fundmi ndaj transmetimit në disa subjekte audiovizive të një reklame për aktivitetin e kompanisë së sigurimeve SIGAL-UNIQA Group, mbi ofertat e saj për pensione private.

Nga shqyrtimi i përmbajtjes së kësaj reklame, AMA evidenton se kemi të bëjmë me cënim haptazi të të drejtave të konsumatorëve, duke iu dhënë atyre informacion për këtë kompani private dhe njëkohësisht duke përçmuar sistemin publik të sigurimeve shoqërore (pensioneve) në Republikën e Shqipërisë.

Çdo kompani, institucion, individ mund të reklamojë produkte, shërbime apo oferta të tjera në hapësirat audio dhe audiovizive, duke prezantuar aspekte pozitive dhe të dobishme të tyre. Por këtij promovimi nuk mund t’i japë një natyrë të pandershme tregtare, duke përdorur etiketime dhe vlerësime krahasuese negativiste me konkurrentët në treg.

Sa më sipër, AMA kërkon nga të gjitha OSHMA-të që e transmetojnë këtë reklamë që ta ndërpresin menjëherë, duke vijuar komunikimin me subjektin porositës për të emetuar përmbajtje promovimi, të cilat nuk bien ndesh me të drejtat e konsumatoreve dhe cënojnë  klimën e konkurrencës së ndershme në treg.

AUTORITETI I MEDIAVE AUDIOVIZIVE

Tiranë, më 22 Nëntor 2017

 

Përmbajtjet audiovizive duhet të respektojnë dinjitetin njerëzor dhe privatësinë

Përmbajtjet audiovizive duhet të respektojnë dinjitetin njerëzor dhe privatësinë

 Transmetimi i emisionit “Me zemër të hapur” në televizionin News 24, datë 28.07.2017, po përcillet me reagime kundërthënëse në opinion publik. Në qendër të tij ishin marrëdhëniet intime të një nëne, e cila, siç shpjegohej me titra të dukshme, “kryen veprime të turpshme në sy të fëmijëve”. 

Autoriteti i Mediave Audiovizve, AMA, vlerëson se ky transmetim bie ndesh me kërkesat e ligjit 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” dhe Kodit të Transmetimit. Në përpjekjen për të trajtuar një problem të mprehtë social brenda një familjeje, drejtuesja e emisionit ka ceduar në aspekte profesionale dhe etike.

Ligji për mediat audiovizive kërkon nga operatorët që në përmbajtjet që ato transmetojnë të mos cenojë dinjitetin dhe të drejtat themelore të njeriut dhe të mos cenojë të drejtën e fshehtësisë së jetës private të individit.

Për ilustrimin e asaj që ka ndodhur drejtuesja e emisionit “Me zemër të hapur” ka përdorur regjistrime amatore, të xhiruara brenda ambjenteve të shtëpisë, që përbën shkelje të rëndë të privatësisë, sanksionuar kjo edhe në vendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Transmetimi i programit nga ora 12:08:20 deri në orën 13:25:35 të datës 28.07.2017, identifikon qartë gjyshin e dy të miturve 5 dhe 9 vjeç, të cilin drejtuesja e ka ftuar në studio, si dhe shfaq fotografi të të miturve me fytyra te mbuluara, por në mënyre te pamjaftueshme. Identifikohet me emër e mbiemër dhe i ati, me fotografi e në telefon. Në këtë mënyrë është i qartë identifikimi i fëmijëve që mund të bëhet lehtësisht nga emri i familjarëve, nga vendi i banimit të së ëmës, por edhe nga fotografitë e tyre, shfaqja e të cilave ishte e panevojshme disa herë.

Gjatë emisionit transmetohet një insert që zgjat tre minuta, që ka synuar regjistrimin e një marrëdhënie intime të nënës në prezencë dhe të fëmijëve. Pamjet e ofruara janë të paqarta, por me efektet zanore që i shoqërojnë,  krijojnë idenë e situatave të papranueshme, të përpërshtatshme për t’u emetuar në fashën orare të mesditës, kur ekranet televizive janë të pambrojtur nga vëmendja e të miturve.

Transmetimi i një përmbajtjeje të tillë nuk  respekton kërkesat ligjore dhe etike për përmbajtjen e programeve audiovizive, veçanërisht dispozitat e nenit 4 të ligjit nr. 97/2013, pika b (për të drejtat, interesat, dhe kërkesat morale e ligjore për mbrojtjen e të miturve) dhe ato të nenit 33, pika d të këtij ligji, (për respektimin e rregullave të etikës dhe moralit publik); si dhe kërkesat e Kodit të Transmetimit të AMA-s, seksioni 1 “Parime themelore” pika 1.4, pika 1.7  dhe pika 1. 17, si dhe seksioni 5, pika 5.29 ( paraqitja e sjelljeve… seksuale … dhe kujdesi për zhvillimin moral mendor e fizik të të miturve).

AMA po ndjek procedurat vlerësuese ligjore për subjektin televiziv të sipërpërmendur, por gjen rastin që t’u kujtojë dhe ofruesve të tjerë të shërbimeve audiovizive që të tregojnë profesionalizëm dhe etikë në rastin e trajtimit të temave sociale, për aspekte brenda dhe jashtë familjes, duke siguruar në çdo rast mbrojtjen të drejtave dhe dinjitetit njerëzor, veçanërisht kur vjen rasti për të miturit.

Tiranë, më 1 gusht 2017

Autoriteti i Mediave Audiovizive

AMA takim me gazetarët për procesin e digjitalizimit

AMA takim me gazetarët për procesin e digjitalizimit

Ditën e mërkurë, Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, zhvilloi një takim me gazetarët mbi procesin e digjitalizimit, për të informuar publikun dhe palët e treta mbi ecurinë e tij dhe hapat në vijim.

Drejtori i Kabinetit, z. Dritan Xhelili, iu tha përfaqësuesve të mediave të pranishëm se prej disa muajsh janë përmbushur të gjitha kushtet për digjitalizimin e transmetimeve televizive ne qarqet Tiranë-Durrës. Si rrjedhojë AMA shpalli datën 30 qershor si afat përfundimtar për mbylljen e transmetimeve analoge ne këto qarqe.

Gjate kësaj periudhe është konstatuar se në treg mungon sasia e nevojshme e pajisjeve marrëse televizive, dekoder, pajisje te domosdoshme për të pasur akses në transmetimet televizive pas mbylljes së transmetimeve analoge.

Me gjithë fushatën intensive informuese që ka organizuar AMA për sensibilizimin e popullatës mbi domosdoshmërinë e pajisjes me dekoder, kërkesa ne treg ka qenë mjaft e ulët.

Kjo ka sjellë që dhe oferta në treg për këto pajisje nga operatoret tregtarë të mbetet e ulët.

Si rrjedhoje, në mungesë të sasisë së mjaftueshme në treg të dekodereve, AMA shtyn për një kohë të shkurtër afatin e mbylljes së transmetimeve analoge në qarqet Tiranë-Durrës.

Është mjaft e rëndësishme të njoftojmë shikuesit që të pajisen sa më shpejt me dekoder ne mënyrë qe me mbylljen e transmetimeve analoge te mos ngelen pa akses ne transmetimet televizive.

AMA, ne bashkëpunim me te gjithë institucionet e përfshira ne proces, tha z. Xhelili, po vijon te ndërmarrë masa nxitëse për te bere te mundur sigurimin e sasisë se mjaftueshme ne treg te këtyre pajisjeve, çka do te mundësonte një zhvillim normal te procesit te digjitalizimit ne qarqet Tirane e Durrës e me tej ne te gjithë vendin.

Procesi i digjitalizimit do te  vijoje ne qarkun e Berat me fillimin e transmetimeve numerike ne këtë qark, ku për një periudhe një mujore do te kemi transmetime paralele si ne analog ashtu edhe ne digjital.

Një proces tjetër i rëndësishëm qe pritet te mbyllet ne date 30 Qershor është lirimi i brezit te dividentit digjital, i cili do ti kaloje ne administrim shërbimeve te lëvizshme qe administrohen nga AKEP. Ky proces do te siguroje ne arkën e shtetit një shume prej disa dhjetra milionë dollarësh.

Shefi i Kabinetit iu përgjigj më pas interesimit të gazetarëve të pranishëm.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë më 28 Qershor 2017

AMA nuk do të lejojë çeljen e kanaleve të reja televizive pa autorizim

AMA nuk do të lejojë çeljen e kanaleve të reja televizive pa autorizim

Duke marrë shkak edhe nga eksperiencat e viteve të kaluara, ku gjatë fushatës elektorale, subjekte të ndryshëm kabllorë, përsëritës të programit (kanaleve) të të tretëve, kanë çelur kanal televiziv të ri, pa autorizim, të quajtur si kanal i kabllorit, duke e përdorur atë për qëllime politike dhe jo vetëm, Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, ju tërheq vëmëndjen që të respektoni parashikimet ligjore. Hapja e kanaleve të reja apo pëfshirja e ndonjë kanali të palicencuar në rrjetin tuaj kabllor do të konsiderohet shkelje e ligjit.

Sjellim në vëmendjen tuaj se çelja e një kanali të ri televiziv, pa autorizimin e AMA-s, dënohet me gjobë nga 5.000.000 – 10.000.000 lekë dhe me sekuestrimin e pajisjeve që përdoren për të mundësuar transmetimin e paligjshëm.

Përgjatë gjithë fushatës zgjedhore, AMA do të vijojë të monitorojë rregullisht transmetimin e çdo kanali nga ana juaj dhe do të marrë të gjitha masat e parashikuara në ligj për çdo rast të konstatimit të shkeljes dhe mosrespektimit të parashikimeve ligjore.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 29 Maj 2017

AMA kallëzon penalisht shoqërinë “Unison Group Inc.” për mashtrim me të drejtat e transmetimit të filmave

AMA kallëzon penalisht shoqërinë “Unison Group Inc.” për mashtrim me të drejtat e transmetimit të filmave

Në përmbushje të angazhimeve për monitorimin e përmbajtjeve audiovizive për respektimin e të drejtave të transmetimit të filmave artistikë dhe kundër piraterisë, Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, ka konstatuar se shoqëria “Unison Group Inc.” është duke shkelur ligjin për transmetime të paautorizuara. Shoqëria po vepron në tregun e mediave audiovizive, duke pretenduar se është prodhuese dhe zotëron të drejtat e transmetimit për kanalet 7-HD, STAR- HD dhe SOFIA, madje ajo ka lidhur edhe marrëveshje me subjekte audiovizive që operojnë në Shqipëri.

Sipas dokumentacionit që përdor për nënshkrimin e marrëveshjeve, shoqëria “Unison Group Inc.” ka deklaruar se është e licencuar pranë autoritetit të mediave të Bullgarisë, ndërkohë që nga ky autoritet konfirmohet e kundërta.

Për këtë arsye, AMA ka depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë kallëzimin penal ndaj shoqërisë dhe personave të implikuar në këtë mashtrim, së bashku me dokumentacionin e siguruar deri më tani.

Siç ka njoftuar edhe më parë, AMA do vijojë të ndjekë me shumë vëmendje respektimin e të drejtave për transmetimin e filmave shqiptarë edhe të huaj nga ana e subjekteve televizivë, si dhe do të shqyrtojë të gjitha marrëveshjet, kontratat apo autorizimet që janë depozituar në AMA në lidhje me transmetimin e filmave. Autoriteti nuk do të hezitojë të çojë para organeve të drejtësisë të gjithë ata subjekte që nuk respektojnë ligjin dhe aktet nënligjore në fuqi.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 26.05.2017

Të respektohet ligji për transmetimin e reklamave politike

Të respektohet ligji për transmetimin e reklamave politike

Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, në procesin e monitorimit të përmbajtjeve të transmetuara, është evidentuar se nga disa subjekte audiovizive në datën 09.05.2017 ka nisur të emetohet një reklamë politike. Reklama është përgatitur nga Partia Demokratike e Shqipërisë mbi një aktivitet politik që ajo do të organizojë në Tiranë më 13.05.2017.

AMA kujton të gjithë subjektet audiovizive, se bazuar në ligjin nr. 97/2013 “Mbi mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, nuk lejohet të transmetohen reklama politike. Referuar përcaktimeve të nenit 39 dhe nenit 41, pika 2, transmetimet e këtyre reklamave janë të ndaluara. Përmbajtje të tilla lejohen vetëm në periudhën e zhvillimit të fushatave elektorale, bazuar në Kodin Zgjedhor të Republikës.

AMA tërheq vëmendjen për të gjitha subjektet audiovizive që të respektojnë kërkesat e ligjit 97/2013, për reklamat dhe komunikimet tregtare gjatë transmetimit të programeve për audiencën.

Autoriteti i Mediave Audiovizive                            

 Tiranë, 10.05.2017

AMA nuk do të lejojë transmetimin e filmave pa të drejta

AMA nuk do të lejojë transmetimin e filmave pa të drejta

Autoriteti i Mediave Audiovizive, ka ndjekur dhe po ndjek me shumë vëmendje respektimin e të drejtave për transmetimin e filmave, shqiptarë edhe të huaj nga ana e subjekteve televizivë. Prej muajit tetor 2016 e në vijim AMA ka kryer monitorime sistematike, ka bërë vërejtje dhe tërheqje vëmendjeje, si dhe ka marrë masa administrative duke sanksionuar me gjobë televizionet që kanë transmetuar filma pa kontrata, ose marrëveshje. Pavarësisht kësaj, ende konstatohet se ka probleme me mosrespektimin e kuadrit legjislativ dhe transmetime filmash pa kontrata, ose marrëveshje.

Duke e parë si një detyrim ligjor nga të gjithë aktorët që operojnë në tregun audioviziv, Autoriteti sjell në vëmendje se në bazë të ligjit nr. 97/2013 datë 4.3.2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, të gjitha televizionet duhet të transmetojnë filma vetëm në përputhje me kushtet dhe afatet për të cilat kanë nënshkruar kontrata, ose marrëveshje të shoqëruar me listën konkrete të filmave.

Për sa më sipër, ju tërheqim vëmendjen që të merrni masa të menjëhershme, që gjatë ushtrimit të aktivitetit tuaj audioviziv, të mos transmetoni asnjë film televiziv, apo kinematografik, shqiptar, apo të huaj, pa nënshkruar më parë një kontratë, ose marrëveshje me mbajtësit realë të të drejtave të tyre.

Sjellim në vëmendjen tuaj se transmetimi i filmave pa kontratë, ose marrëvshje, përbën kundërvajtje administraive dhe ndëshkohet me gjobë nga 1.000.000 deri në 2.000.000 lekë. Përsëritja e shkeljes më shumë se 3 herë dënohet me uljen deri në 50 për qind të afatit të licencës dhe/ose autorizimit dhe, në rast ripërsëritjeje, shkelja ndëshkohet me heqjen e licencës dhe/ose autorizimit.

Përveç sa më sipër, AMA ju njofton se është duke shqyrtuar të gjitha marrëveshjet, kontratat apo autorizimet që janë, ose jo depozituar në AMA në lidhje me transmetimin e filmave, të lidhura mes televizioneve dhe subjekteve të tjera, shqiptare, apo të huaja, me qëllim verifikimin e plotë të gjithë titujve të filmave që këto shoqëri pretendojnë se zotërojnë dhe japin për transmetim në territorin e Shqipërisë. Për këtë arsye ju ftojmë të jeni të kundesshëm në lidhje me nënshkrimin e çdo marrëveshje, apo kontrate për të drejtat e filmave, si dhe të siguroheni mirë që subjekti me të cilin nënshkruani këto marrveshje, apo kontrata i zotëron vërtet të drejtat që kalon tek ju dhe zotëron certifiktatat e të drejtve, të shoqëruar me titujt e të filmave, të lëshuara nga prodhuesi i tyre.

AMA do të vijojë të monitorojë transmetimin e çdo filmi nga subjektet televizivë dhe do të marrë të gjitha masat e parashikuara në ligj për çdo rast të konstatimit të shkeljes dhe mosrespektimit të të drejtave të filmave, që nga sanksionimi me gjobë deri në heqjen e licencës/autorizimit.

Ju faleminderit për mirëkuptimin.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 5 maj, 2017

Miratohet strategjia dhe plani i veprimit të AMA-s për periudhën 2017-2019

Miratohet strategjia dhe plani i veprimit të AMA-s për periudhën 2017-2019

AMA, në mbledhjen e datës 29.03.2017, miratoi  Strategjinë dhe Planin e Veprimit për 2017-2019 të Autoritetit të Mediave Audiovizve duke pëmbushur një nga objektet e punës të përcaktuara dhe në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizvie në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar nga ku institucioni harton dhe miraton çdo trevjeçar një strategji ku pasqyron mënyrën e realizimit të funksioneve të veta ligjore.

Strategjia përfshin objektivat kryesore të AMA-s, agjendën e aktiviteteve që duhen ndërmarrë në përmbushje të tyre, si dhe rrugët e realizimit. Ajo është e ndërtuar mbi dy kollona kryesore:

  • Dokumenti Strategjik
  • Plani Veprimit për Dokumentin Strategjik

Dokumenti strategjik përmban misionin, vizionin, vlerat, qëllimet strategjike si dhe objektivat përkatëse të Autoritetit, duke u bazuar në dispozitat ligjore në fuqi dhe në parimet mbi të cilat funksionon;

Plani i Veprimit të Dokumentit Strategjik, ku parashikohen veprimtaritë me përparësi,  si dhe rezultatet e pritshme për përmbushjen e qëllimeve strategjike, të ndara në afate, për periudhën 2017-2019.

Për përgatitjen e një strategjie sa më të qartë, të thjeshtë, të drejtpërdrejtë dhe për ndërtimin e një plani veprimi të detajizuar dhe efektiv, AMA ndërmori një proces të standardizuar të këshillimit publik duke përfshirë të gjitha grupet e interesit, duke marrë dhe ekspertizë nga Këshilli i Evropës, duke bashkëpunuar ngushtë dhe me Këshillin e Ankesave pranë Autoritetit. Në këtë proces dokumentet u janë përcjellë për mendim Kuvendit të Shqipërisë, MIAP-it, AKEP-it dhe Autoritetit të Konkurrencës, duke reflektuar të gjitha sugjerimet dhe rekomandimet në kuadër të rritjes  së sinergjisë për përmbushjen e objektivave të përbashkëta.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë më 31 Mars 2017

 

AMA dhe KQZ nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

AMA dhe KQZ nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Sot, Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për monitorimin e fushatës sё zgjedhjeve për Kuvend, të datës 18.06.2017


Nënshkrimi i marrëveshjes u bë nga Kryetari i AMA-s, z. Gentian Sala dhe Kryetari i KQZ-së, z. Denar Biba.


Kryetari i AMA-s, z. Gentian Sala tha se, për të ofruar monitorim cilësor dhe profesional, këtë vit synohet rritja e kapaciteve monitoruese për radio-televizionet gjatë fushatës zgjedhore, duke vënë në dispozicion të BMM-së dy studiot e monitorimit.

Nga ana e tij , Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, z. Denar Biba në fjalën e tij përshëndetëse vlerësoi bashkëpunimin mes dy institucioneve, duke vënë theksin tek rëndësia që ka monitorimi i fushatës në media nga Bordi i Monitorimit të Medias dhe rolin që ka Autoriteti i Mediave Audiovizive në këtë proces.

Marrëveshja u nënshkrua në zbatim të Kodit Zgjedhor dhe ka si qëllim përcaktimin e rregullave, mënyrën dhe afatet e shfrytëzimit të kapaciteteve teknike dhe njerëzore të AMA-s, për monitorimin e fushatës zgjedhore, në radio-televizionin publik dhe në radio-televizionet private.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 17 Mars 2017

Transmetimi i reklamave politike është i ndaluar me ligj

Transmetimi i reklamave politike është i ndaluar me ligj

Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, në procesin e monitorimit të përmbajtjeve të transmetuara nga subjektet audiovizive ka evidentuar se në datën 15 shkurt 2017 është emetuar një reklamë politike. Reklama është përgatitur nga Partia Demokratike e Shqipërisë mbi një aktivitet politik që ajo zhvillon në datën 18 shkurt 2017 në kryeqytet.

AMA kujton të gjithë subjektet audiovizive se bazuar në ligjin nr. 97/2013 “Mbi mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, nuk lejohet të emetohen reklama politike. Referuar përcaktimeve të nenit 39 dhe nenit 41, pika 2, transmetimet e këtyre reklamave janë të ndaluara. Përmbajtje të tilla lejohen vetëm në periudhën e zhvillimit të fushatave elektorale, bazuar në Kodin Zgjedhor të Republikës.

AMA tërheq vëmendjen për subjektet audiovizive që të respektojnë kërkesat e ligjit 97/2013, për reklamat dhe komunikimet tregtare gjatë transmetimit të programeve për audiencën.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, 15 shkurt 2017