AMA organizon takim konsultativ mbi prezantimin e draft rregullores “Për reklamat dhe komunikimet tregtare”

AMA organizon takim konsultativ mbi prezantimin e draft rregullores “Për reklamat dhe komunikimet tregtare”

Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, organizoi pranë mjediseve të saj, tryezën e diskutimit mbi rregulloren “për komunikimet audio dhe/ ose audiovizive me natyrë tregtare format, kushtet dhe koha ditore e lejuar për transmetimin e reklamave”.

Qëllimi kryesor i takimit ishte angazhimi konkret i të gjitha grupeve të interesit, në një kohë kur projekt-rregullorja sapo i është nënshtruar fazës së këshillimit publik.

Kryetari i Autoritetit të Mediave Audiovizive, z. Gentian Sala gjatë diskutimeve me përfaqësues të OSHMA-ve, theksoi se pavarësisht kalimit të afatit 30 ditor për paraqitjen e propozimeve dhe sugjerimeve, AMA mbetet e hapur për shqyrtimin e sugjerimeve të mundshme të OSHMA-ve për përmirësimin e tekstit të projekt-rregullores. “Është shumë e rëndësishme”- tha ai, “që propozimet të jenë sa më konkrete dhe të strukturuara, që në fund të kemi një produkt cilësor për një impakt sa më pozitiv tek publiku”.

Gjithashtu Z. Sala siguroi se nga ana e Autoritetit të Mediave Audiovizvie do të ketë angazhim maksimal që shqetësimet e ngritura të trajtohen gjatë finalizimit të hartimit të rregullores duke iu përmbajtur gjithmonë kuadrit ligjor.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të OSHMA-ve si dhe aktorë të cilët kanë rol thelbësor në përmbushjen dhe bashkërendimin e forcave për rregullimin e tregut të reklamave.

AMA mbetet e vëmendshme që të tërheqë sa më shumë propozime, vërejtje dhe mendime mbi këtë akt nënligjor përpara se të miratohet, duke qenë se hapësira e reklamave dhe komunikimeve tregtare ka qenë dhe mbetet një ndër fokuset kryesore të saj, për të nxitur subjektet audio dhe audiovizive mbi respektimin e kuadrit ligjor në fuqi, në shërbim të informimit dhe orientimit sa më të mirë të publikut.

Palët e interesuara, të ftuara në takim si Autoriteti i Konkurrencës; Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorëve; Autoriteti i Mbikëqyrjes se Lojërave të Fatit; Autoriteti Kombëtar i Ushqimit; Instituti i Shëndetit Publik; etj; vlerësuan aktivitetin dhe theksuan rëndësinë e kësaj rregulloreje në mbrojtje të konsumatorit dhe grupeve të veçanta të margjinalizuara.

Ky takim konsultativ shërbeu për të prezantuar më mirë shqetësimet e të gjithë atyre palëve të interesuara që janë pjesë e miratimit të kësaj rregulloreje. Qëndrimi proaktiv në tërësi i të gjithë aktorëve pjesëmarrës shkon në mirëfunksionimin e procesit të miratimit të akteve rregullatore të Autoritetit.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 21.11.2017

AMA përqafon politikat e gjelbërta : “Efiçenca e Energjisë dhe adoptimi i një plan veprimi për përmirësimin e saj” – trajnimi për stafin e Autoritetit

AMA përqafon politikat e gjelbërta : “Efiçenca e Energjisë dhe adoptimi i një plan veprimi  për përmirësimin e saj” – trajnimi për stafin e Autoritetit

Më datat 15 dhe 20 nëntor 2017, Autoriteti i Mediave Audiovizve,  me qëllim ekonomizimin e energjisë elektrike dhe ruajtjen e resurseve natyrore, në bashkëpunim me Creative Business Solution (CBS) një organizatë e cila ofron  konsulencën ndaj ekspertizave më të mira në këtë fushë, zhvilloi një trajnim inovativ për ndërgjegjësimin mjedisor të stafit për punonjësit e AMA-s.

Ky trajnim, i përgatitur nga ekspertja e CBS, Znj. Kristina Glasser, duke marrë shkas edhe nga zhvendosja e stafit të AMA-s në një godinë të re, u përshtat për nevojat e AMA-s dhe u krijua për të njohur stafin e të gjithë niveleve me një pasqyrë të aspekteve mjedisore që lidhen me aktivitetet e tyre të përditshme si dhe me informacione të dobishme për përgjegjësitë e tyre në aspektin e qëndrueshmërisë, për ruajtjen e energjisë, mos-shpërdorimit të letrës apo ujit, si dhe ndarjes së mbeturinave për ti bërë ato të riciklueshme.

Në përfundim të trajnimit, pjesëmarrësit arritën të kuptonin se si puna e tyre ndikon në mjedisin që na rrethon si dhe cilat janë hapat dhe praktikat më të mira për të minimizuar këto ndikime përmes një sërë aktivitetesh “të gjelbërta”.

Duke marrë parasysh përgjegjësinë e lartë sociale të AMA-s si institucion shtetëror dhe për më tepër si Autoriteti Rregullator i Mediave Audiovizive, AMA është nga Institucionet e para, i cili është është zotuar të promovojë përpjekje të mëtejshme për t’u bërë më miqësore me mjedisin dhe të  mbështesë  praktikat ambientaliste.

Autoriteti Mediave Audiovizive

Tiranë me 20.11.2017

Shtyhet për 1 Dhjetor 2017 afati i mbylljes së transmetimeve televizive analoge për qarkun e Korçës

Shtyhet për 1 Dhjetor 2017 afati i mbylljes së transmetimeve televizive analoge për qarkun e Korçës

Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, njofton banorët e qarkut Korçë për shtyrjen e afatit të mbylljes së trasnmetimeve televizive analoge edhe me dy javë.

Shtyrja deri më datë 1 Dhjetor 2017 bëhet për t’u dhënë më shumë mundësi të gjithë operatorëve analoge vendore në qarkun e Korçës për t’u mbështetur në një nga rrjetet numerike kombëtare, të licencuara nga AMA.

Autoriteti tërheq vëmendjen e të gjithë subjekteve televizivë analogë vendorë që ushtrojnë veprimtari territorin e këtij qarku, që të marrin sa më parë masa për të mbështetur programin e tyre në rrjetin numerik të RTSH-së, ose në njërin prej rrjeteve numerike private kombëtare.

Pavarësisht shtyrjes së afatit, që në daten 15 Nëntor 2017 banorët e qarkut të Korçës do të kenë akses të shohin nëpërmjet transmetimeve të reja digjitale rreth 20 programe pa pagesë, kombëtare ose lokale, të RTSH-së apo dhe të 5 platformave të tjera private.

Nga ana tjetër, AMA kërkon nga publiku, i cili aktualisht përfiton transmetimet televizive nëpërmjet teknologjisë analoge, të pajiset sa më parë me marrës digjital (dekoderë universalë të tipit DVB-T2), pasi në të kundërt, mbas datës 1 Dhjetor 2017, nuk do të mund të shohë asnjë transmetim televiziv në këtë qark.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tirane me 15. 11.2017

Zgjerimi i transmetimeve audiovizive në Shqipëri dhe Kosovë

Zgjerimi i transmetimeve audiovizive në Shqipëri dhe Kosovë

Ditën e martë, më 3 tetor 2017, në mjediset e Autoritetit të Mediave Audiovizive, AMA në Tiranë u zhvillua një takim pune mes drejtuesve të rregullatorëve nga Shqipëria dhe Kosova.

Kryetari i AMA-s, Gentian Sala dhe homologu i tij nga Komisioni i Pavarur i Medias, KPM, Adnan Merovci, si dhe delegacionet e dy institucioneve diskutuan mbi aspekte të zgjerimit të tregut audioviziv të dy vendeve.

Për përfshirjen e kanaleve televizive të Shqipërisë në platformat që operojnë në territorin e Republikës së Kosovës, si dhe anasjelltas për kanalet televizive nga Kosova në fluksin e transmetimeve në territorin e Shqipërisë.

Në takim u trajtuan dhe ndjeshmëritë e audiencës shqipfolëse për emetimet audiovizive, por dhe për respektimin e të drejtave të transmetimit.

Dy autoritetet rregullatore do te intensifikojnë bashkëpunimin mes tyre në ndjekje të praktikave dhe eksperiencave më të mira në gjallërimin e transmetimeve mes dy vendeve bazuar dhe në standardet më të mira perëndimore audiovizive.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 3 tetor 2017

Zhvillohet procedura e shortit për caktimin e Numrit Logjik të Programit (NLP)

Zhvillohet procedura e shortit për caktimin e Numrit Logjik të Programit (NLP)

Në zbatim të rregullores “Për përcaktimin e kritereve dhe procedurave për renditjen e shërbimeve audio dhe/ose audiovizive që mbështeten në rrjete numerike”, miratuar me vendimin e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), nr. 218, datë 12.10.2016, i ndryshuar, në mjediset e AMA-s, u zhvillua në datën 18 tetor 2017 procedura e shortit për caktimin e Numrit Logjik të Programit (NLP).

Numrat Logjikë të Programit, për të cilat u zhvillua procedura e shortit, ishin NLP 4 dhe NLP 5. Subjektet që u ftuan për të marrë pjesë në procedurën e shortit ishin shoqëritë “TV Klan” sh.a., dhe “Top Channel” sh.a., subjektet e vetme të licencuara si operatorë privatë kombëtare analogë me karakter gjeneralist.

Procedura e shortit u krye prej Komisionit të Vlerësimit për dhënien e numrit logjik të programit të shërbimeve programore të përgjithshme, i përbërë prej Zëvendëskryetarit të AMA-s, (Kryetari i Komisionit) dhe drejtorëve të drejtorive (Anëtarë të Komisionit), në prani të kryetarit të AMA-s dhe njërit prej anëtarëve të AMA-s.

Në hedhjen e shortit u paraqit vetëm përfaqësuesi i shoqërisë “TV Klan” sh.a. Komisioni i Vlerësimit në zbatim të nenit 15 të rregullores së sipërcituar, i cili përcakton se: ”… Mungesa e përfaqësuesve të OSHMA nuk do të pengojë vazhdimin e procedurës së shortit”, vendosi të zhvillojë procedurën. Kryetari i AMA-s, sikurse përcaktohet në procedurë, caktoi anëtarin më të vjetër në moshë të Komisionit të Verësimit, për tërheqjen e shortit për shoqërinë “Top Channel” sh.a.

Fillimisht, në prani të anëtarëve të Komisionit dhe të pjesëmarrësve, në njërën vazo, në dy gogla jo transparente, u vendosën emrat e subjekteve pjesëmarrëse në short, ndërsa në vazon tjetër, po në dy gogla u vendosën Numrat Logjikë të Programit NLP 4 dhe NLP 5. Në vijim u zhvillua procedura e parashortit për të caktuar radhën e tërheqjes së goglave prej subjekteve, ku rezultoi se i pari që do të tërhiqte numrin e NLP-së ishte shoqëria “TV Klan” sh.a.

Përfaqësuesi i këtij subjekti tërhoqi NLP 4, ndërsa anëtari i Komisionit të Vlerësimit që tërhoqi për subjektin “Top Channel” sh.a., tërhoqi NLP 5.

Rezultatet e procedurës së mësipërme do t’i përcillen Këshillit të AMA-s, i cili në bazë të kuadrit legjislativ në fuqi do të miratojë Numrat Logjikë të Programit për këto subjekte.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë më 18.10.2017

Këshilli i Ankesave organizon konferencën “Fake News dhe sfida për të vërtetën në media”

Këshilli i Ankesave organizon konferencën “Fake News dhe sfida për të vërtetën në media”

Këshilli i Ankesave, strukturë kryesore e AMA-s në përmbushje të disa prej objektivave kryesore që vijnë nga ligji 97 /2013 “Për median audio dhe audiovizive në Republikën e Shqipërisë” për Kodin e Transmetimit por edhe rregulloreve të tjera të nxjerra nga AMA për përmirësimin e peizazhit mediatik organizoi sot një konferencë me temë: “Fake news dhe sfida për të vërtetën në media”.

Znj. Monika Stafa, Kryetare e Këshillit të Ankesave, në hapje të aktivitetit theksoi qëllimin e diskutimit të kësaj teme. Sipas saj, zhvillimi i teknologjisë, digjitalizimi i jetës ka anën e vet të errët: shkarjen nga profesioni i gazetarisë dhe një nga pasojat e këtij deformimi është dhe fenomeni fake news.

Kryetari i AMA-s Z. Gentian Sala, përshëndeti konferencën dhe falenderoi palët për bashkëpunimin e palodhur me qëllim lajmin e vërtetë. Ai vuri theksin tek bashkëpunimi me aktorët e medias dhe rolin gjenerues që ka AMA në këtë debat.

Zonja Adelheid Feilcke, një gazetare e njohur e DW (Deutche Welle), aktualisht shefe e Departamentit të Gjuhëve Evropiane në DW, solli përvojën gjermane në betejën ndaj lajmeve të rreme. Ajo tregoi se frika nga fake news gjatë fushatës zgjedhore në Gjermani ishte e madhe, edhe pse u konstatua se nuk pati ndonjë rast të bujshëm. Sipas saj, manipulimi i fakteve apo opinionit, sidomos nga mediat që supozohet të ishin të vëzhguara nga Rusia, konsideroheshin si mundësi destabiliteti.

Profesori Mark Marku solli në vëmendje deformimet më të zakonshme që i bëhën lajmit:
-në nivel shoqëror: media nga pushtet i katërt po kthehet në instrument i pushteteve të tjerë;
-në nivel komunikimi: gazetaria si nënsistem u brendashkruhet sistemeve të tjerë të komunikimit, si PR, publiciteti apo marketingu politik, etj;
-në plan profesional: cënohet pavarësia dhe liria e ushtrimit të profesionit të gazetarit.

Anëtari i AMA-s dhe pegagogu i gazetarisë Z. Zylyftar Bregu, e sheh fake news si sfidën për të vërtetën në media. Facebook apo fakebook?! Vetë rrjeti social Facebook konfirmon se janë rreth 83 milionë adresa false, ose fake profile. Kjo situatë është një shtrat i mirë për ta kthyer Facebookun në fakebook.
Për pedagogun e Departamentit të Gazetarisë në UT Z. Ervin Goci më shumë se çështje respektimi i etikës nga një media, kemi të bëjmë me një krizë të përgjithshme të sistemit të mediave, një krizë besimi mbi informimin në tërësi.
Eksperti i medias Z.Rrapo Zguri u përqendrua tek “seeing is believing”, si dhe problematikat që lidhen me manipulimin e imazhit televiziv. Pjesë e panelit ishte dhe znj. Ilda Londo, nga Instituti Shqiptar i Medias, eksperte e njohur e medias, solli në vëmendje alternativën “media literacy” (edukim-aftësim të medias) si një barrikadë ndaj fake news. Media dhe informacioni, sipas Londos, janw të rëndwsishme në një shoqëri demokratike, pasi supozohet t’u japin mundësi qytetarëve të marrin pjesë në vendimemarrje të rëndësishme, duke ndikuar pozitivisht në fuqizimin dhe kontributin e tyre në shoqëri. Duke u ndalur tek politikat arsimore në vend, Londo tha se ende jemi larg një situate të pranueshme. Ajo adresoi kritere dhe koncepte të aplikuara në fushën e ‘media literacy’ në botë, duke supozuar se kjo alternativë është një armë e fortë njohjeje në morinë e informacionit me të cilin përballen qytetarët ditët e sotme.

Për Z. Lutfi Dervishi, një tjetër ekspert i njohur i medias, fenomeni fake news ka dhe anën e mirë. Ai nxit mendimin për t’u rikthyer drejt bazave tw gazetarisë profesioniste. Dervishi, si dhe referuesit e tjerë, përmendën tri mënyra për të dalluar ose shmangur informacionin e rremë; procesin e verifikimit të lajmit ne disa burime si dhe kontrollin për të prodhuar lajmin e vërtetë në gjithë këtë proces.

Fake news fatkeqësisht ia ka dalë të depërtojë në mediat tradicionale dhe rrjetet sociale. Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe Këshilli i Ankesave në AMA po punojnë në disa drejtime me qëllimin ndërgjegjësimin e të gjitha palëve për lajmin dhe rëndësinë e informimit objektiv të publikut. Kjo konferencë shumë interesante do të pasohet edhe nga një botim i të gjithë referatëve që do të jetë i arritshëm për specialistët e fushës dhe për publikun e gjerë.

Autoriteti i Mediave Audiovizive
Tiranë, më 2 tetor, 2017

15 Nëntor 2017, afati përfundimtar për mbylljen e transmetimeve analoge në qarkun e Korçës

15 Nëntor 2017, afati përfundimtar për mbylljen e transmetimeve analoge në qarkun e Korçës

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), në zbatim të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat  audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe në vijim të mbylljes së transmetimeve analoge në qarkun e Beratit, njofton se qarku i ardhshëm ku do të mbyllen transmetimet analoge do të jetë ai i Korçës.

Afati përfundimtar për mbylljen e transmetimeve analoge në këtë qark, është data 15 Nëntor, 2017.

Për sa më sipër, AMA tërheq vëmendjen e të gjithë subjekteve analogë vendorë që ushtrojnë veprimtari televizive në qarkun e Korçës, në marrjen e masave për të mbështetur programin e tyre në rrjetin numerik të RTSH-së, ose në njërin prej rrjeteve numerike private kombëtare, të licencuara nga AMA.

Nga ana tjetër, AMA kërkon nga publiku i cili përfiton transmetimet televizive nëpërmjet teknologjisë analoge, të pajiset me marrës digjital (dekoderë universalë të tipit DVB-T2), pasi në të kundërt, mbas datës 15 Nëntor 2017, nuk do të mund të shohë më transmetime televizive në këtë qark.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë,  më 26.09.2017