E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Autoriteti i Mediave Audiovizive në bashkëpunim me MIAP organizojnë konfererencën “Media e gjeneratës tjetër”

Autoriteti i Mediave Audiovizive në bashkëpunim me MIAP organizojnë konfererencën “Media e Gjeneratës Tjetër”

Më datë 20 Maj, Autoriteti i Mediave Audiovizive në bashkëpunim me Ministrinë e Inovacionit dhe Administratës Publike në kuadër të Javës së Inovacionit organizuan konferencën “Media e gjeneratës tjetër”. Në aktivitet u prezantuan risitë e fundit nga bota teknologjike dhe inovacionit të aplikuara në Shqipëri në infrastruktura të ndryshme të transmetimit numerik si ato tokësore, satelitore, CaTv, IPTV, etj. Në këtë etapë të re të digjitalizimit që po hyn Shqipëria mediat pritet të kenë rolin e tyre më me përkushtim sa i përket garantimit të parimeve bazë të demokracisë dhe në promovimin e lirisë së shprehjes, pluralizmit, diversitetit etnik dhe kulturor si dhe pavarësin në politikat editoriale të saj.

Konferencën me titullin “Media e gjeneratës tjetër” e hapi me fjalën e saj përshendetëse Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, znj. Milena Harito. Ajo solli një përshkrim të shkurtër mbi procesin e digjitalizmit që po kalon vendi, duke e cilësuar atë si një dukuri komplekse që mund të realizohet vetëm në një bashkëpunim të frytshëm mes shumë aktorëve. Zj. Harito theksoi se deri tani ky proces në Shqipëri ka ecur në rrugën e duhur falë këtij bashkëpunimi dhe sot vendi gjendet në një fazë të avancuar të tij. Në vijim, Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën e përqëndroi fjalën e saj duke thënë se ky ndryshim i ri teknologjik pritet të sjellë një peizazh mediatik të ndryshuar, të ridimensionojë mënyrën e të parit të TV dhe mbi të gjitha pritet të ndikojë në zhvillimin e ekonomisë së vendit.

Ndërsa në fjalën e tij, Kryetari i Autoritetit dhe Mediave Audiovizive, z. Gentian Sala theksoi se fokusi i Autoritetit që ai drejton ka qenë dhe mbetet maksimizimi i ofertës për publikun. Për qytetarët sipas kreut të këtij institucioni, ngjall më shumë interes buqeta e programeve që platformat dhe kanalet ofrojnë, se sa parametrat e teknikës dhe teknologjisë. Me fokusin tek Transmetuesi Publik, Z. Sala shpjegoi se AMA mbetet e investuar tek shumëfishimi dhe cilësia e programeve, në mënyrë që ato të destinohen për të gjitha grupmoshat, por dhe të jenë të shumëllojshme.

“Ne kemi besim se dialogu dhe komunikimi mes dy institucioneve tashmë do të jetë edhe më intensiv me zgjedhjen e menaxhmentit të ri të RTSH-së, për të mbërritur tek objektivi ynë i përbashkët, nënshkrimi i Kontratës së Shërbimit Publik” – përfundoi z. Sala fjalën e tij.

Drejtori i ri i Radio Televizionit Shqiptar, gjatë fjalës së tij e vuri theksin mbi gjendjen e gazetarisë sot, 25 vjet që nga koha kur ai kish qenë vetë gazetar. Duke i dhënë rëndësi ruajtjes së dinjitetit dhe personalitetit të gazetarit ai dha shpjegime mbi atë cfarë mediat duhet të ofrojnë lidhur me atë cfarë publiku dëshiron të ndjekë. Radio Televizioni Shqiptar për Z. Gëllçi është një mekanizëm shoqëror që duhet t’u paraprijë ndryshimeve të mira në shoqëri dhe teknologjia është vetëm një mjet në shërbim të këtij qëllimi.

Konferencën e përshëndeti dhe Z. Erkan Tabak, Drejtori i Përgjithshëm i Albtelekom, ku dha një pasqyrë të plotë të investimeve të kryera nga kjo shoqëri në fushën e teknologjisë dhe medias.

Operatorët kryesorë në fushën e transmetimeve audiovizive paraqitën një panoramë të investimeve të kryera gjatë viteve të fundit në teknologjinë audio dhe audiovizive në vend. Kjo, si në infrastrukturën transmetuese ashtu edhe në ofrimin e shërbimeve programore. Gjatë këtyre prezantimeve u trajtuan dhe argumente të cilat lidhen me sfidat dhe angazhimet me të cilat përballet tregu audioviziv në kuadër të zhvillimeve të reja në teknologjinë e transmetimeve audiovizive dhe të telekomunikacionit.

Në konferencë ishin të ftuar, gazetarë, subjekte audioviozive, organizatat ndërkombëtare, studiues të medias, shoqëri të telekomunikacionit si dhe gjithë grupet e interesit mbi median dhe teknologjinë.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 20 maj 2016

Perpara Autoriteti i Mediave Audiovizive miratoi heqjen e licencave/autorizimeve për dy ofrues të shërbimit mediatik audioviziv dhe bëri të pavlefshëm licencën/autorizimin për shtatë subjekte të tjera.

Leave Your Comment

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara