Rreth AMA’s

Rreth AMA-s

Në vitin 1998 u miratua ligji nr. 8410 dt. 30.09.1998, “Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë” (këtu e më poshtë referuar “Ligji 8410”), i cili i hapi rrugën lindjes së konkurrencës midis shoqërive publike e private në fushën e radios dhe televizionit duke eliminuar në këtë mënyrë mundësinë e shtetit për të kontrolluar i vetëm veprimtarinë në këtë fushë. Harmonizimi i këtij ligji me teknologjitë e reja, realitetin e tregut dhe përmbushjen e detyrimeve që ka hasur Shqipëria nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim –Asociimit (“MSA”) me Bashkimin Evropian (“BE”), ka bërë prioritare kryerjen e një reforme të plotë ligjore.

Në zbatim të po këtij ligji, në korrik të vitit 1999, Parlamenti shqiptar vendosi dhe miratoi krijimin e Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit (KKRT), i cili filloi veprimtarine e tij si nje organ i pavarur, misioni kryesor i të cilit ishte rregullimi, licencimi dhe mbikëqyrja e veprimtarisë radio e televizive në Republikën e Shqipërisë.

Kuadri ligjor që ka rregulluar transmetimet radiotelevizive në Republikën e Shqipërisë dhe transmetimet numerike deri në miratimin e ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, (këtu e më poshtë referuar “Ligji për Mediat”) përbëhej nga dy ligje të veçanta:

–   Ligji nr. 8410, datë 30.09.1998 “Për Radion dhe Televizionin Publik e Privat në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, dhe

–   Ligji nr. 9742 datë 28.05.2007 “Për Transmetimet Numerike në Republikën e Shqipërisë” (këtu e më poshtë referuar “Ligji     për Transmetimet Numerike”).

Nevoja për ndryshimin e legjislacionit në fushën e transmetimeve audiovizive lindi si rezultat i zhvillimeve të vetë shërbimeve të medias elektronike, zhvillimeve teknologjike në fushën e komunikimeve elektronike dhe të shoqërisë së informacionit si dhe për të përmbushur detyrimet që rrjedhin për Republikën e Shqipërisë për të harmonizuar legjislacionin e saj në këtë fushë me legjislacionin evropian dhe veçanërisht detyrimet që rrjedhin nga MSA-ja.

Deri në Qershor të vitit 2007, Ligji 8410, ka qenë baza kryesore dhe e vetme për rregullimin e sektorit të medias në Shqipëri. Por ky legjislacion nuk i përgjigjej zhvillimit të vrullshëm teknologjik, ekonomik, social dhe kulturor të sektorit audioviziv, që ndodh më shpejt nga sa mund të ndryshojnë kornizat rregulluese. Ligji nr. 8410, nuk parashikonte mundësinë e transmetimit të programeve nëpërmjet teknologjisë numerike, duke u bërë në një farë mase barrierë për zhvillimin e këtij sektori. Për plotësimin e këtij boshllëku ligjor, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ne Ligjin për Transmetimet Numerike, i cili kishte si objekt dhe qëllim përcaktimin e një kuadri rregullues për hyrjen e transmetimeve numerike, duke iu dhënë mundësinë operatorëve të rrjetit (multiplekseve) dhe programeve të ndërtojnë rrjete dhe transmetojnë programe në rrugë numerike.

Ligji për Mediat rregullon veprimtarinë e mediave audiovizive dhe shërbimeve mbështetëse të tyre, mbi bazën e parimit të asnjanësisë teknologjike në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Sipas nenit 6 të ligjit të mësipërm, Autoriteti i mediave audiovizive (ketu e me poshte referuar “AMA”) është autoriteti rregullator në fushën e shërbimeve të transmetimeve audio dhe audiovizive dhe shërbimeve të tjera mbështetëse në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Struktura e AMA përbëhet nga Kryetari, Zëvendëskryetari dhe 5 anëtarë.

Anëtarët e AMA-s.

Anëtarët e AMA-s zgjidhen nga Kuvendi për një periudhë 5-vjeçare, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Procedura e zgjedhjes së anëtarëve të AMA-s dhe Kryetarit të AMA-s rregullohet në nenet 9 dhe 10 të Ligjit për Mediat. Sipas këtyre dispozitave kandidat për t’u zgjedhur anëtar i AMA-s kërkohet të ketë eksperiencë jo më pak se 10 vjet në fushat e medias, transmetimeve audiovizive të shërbimit publik, tregtar ose jotregtar; prodhimit të përmbajtjes së transmetimeve audiovizive; ekonomisë, administrimit dhe rregullave te konkurrencës; çështjeve të zhvillimit të gjuhës shqipe; çështjeve që lidhen me personat me aftësi të kufizuar e grupeve të tjera vulnerabël; artit, kulturës e muzikës; drejtësisë, ligjit, administrimit publik; shkencës, mjedisit dhe zhvillimit teknologjik; mbrojtjes së konsumatorit etj.

Nga trupa prej 7 (shtatë) anëtarësh të AMA-s vetëm Kryetari dhe Zëvendëskryetari janë te angazhuar me kohë të plotë në veprimtarinë e perditshme të punës së AMA-s.

AMA është organ kolegjial. Procedurat e vendimmarrjes, zbatimi i tyre dhe thirrja e mbledhjeve jashtë radhe te AMA-s kryhen sipas dispozitave të ligjit nr. 8480, datë 27.5.1999 “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike”. Kuorumi i kërkuar për zhvillimin e mbledhjeve është 4 anëtarë. Si rregull, vendimet e AMA-s merren kur për to votojnë pro shumica e anëtarëve të pranishëm, me përjashtim të rasteve të parashikuara ndryshe në ligj. Shumica e vendimeve të AMA-s merren me shumicë të thjeshtë, përveç disa lloj vendimesh që kërkojnë shumicë të cilësuar. Një nga drejtimet kryesore të punës së AMA-s është kontrolli i përmbajtjes se programeve të ndryshme radiotelevizive: programeve informative, kulturore, programeve për fëmijë e të rinj, duke u përqendruar te realizimi i funksionit edukues, kulturor, argëtues e etik të tyre. Krahas veprimtarisë mbikëqyrëse rol të rëndësishëm luan edhe veprimtaria rregullatore të AMA. Ligji i ri për Mediat në këtë drejtim, shprehet në mënyrë eksplicite.

Ligji për Mediat parashikon parimet themelore që përbëjnë bazën e zhvillimit të veprimtarisë audiovizive. Përveç parimeve të përgjithshme, të cilat janë norma deklarative, në Ligjin për Mediat, ka disa dispozita që parashikojnë detyrime për ofruesit e shërbimit mediatik audioviziv duke përcaktuar që këta të fundit, në veprimtarinë e tyre, të respektojnë kërkesat të legjislacionit për median gjatë veprimtarisë audio dhe audiovizive.

Nga disa prej funksioneve kryesore të AMA-s mund të përmenden:

– garantimi i konkurrencës së ndershme;

– hartimi i strategjive për ofrimin e shërbimeve të transmetimit;

– miratimi i kodit dhe rregulloreve të transmetimit audioviziv dhe akteve të tjera nënligjore;

– zgjidhja e mosmarrëveshjeve midis ofruesve të shërbimeve të transmetimeve audio ose audiovizive, përfshirë mosmarrëveshjet me transmetuesin publik;

– monitorimi i programeve të transmetuara nga Ofruesit e Sherbimit Mediatik Audioviziv (OSHMA);

– bashkëpunimi me institucione të tjera për përmbushjen e objektivave ligjore si Autoritetin e Konkurrencës, Zyren shqiptare ZSHDA-në, Komisionin për Mbrojtjen e Konsumatorit etj. ;

– hartimi dhe miratimi i rregulloreve për procedurat dhe kriteret e dhënies së licencave dhe/ose autorizimeve, sipas përcaktimeve të Ligjit per Mediat;

– përcaktimi i pagesave për licencat.

AMA kontrollon zbatimin e Ligjit per Mediat nga subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën audiovizive dhe në rast shkeljesh, vendos sanksione. Fuqia, kompetenca, pavarësia financiare dhe përshtatshmëria e burimeve përbëjnë garanci legjislative për të siguruar pavarësinë e këtij autoriteti rregullator.